(sarajevasve që mbijetuen 1425 ditë nën rrethim)
Sot në pazar
Nji gjysëm konjaku ma ofroi nji grue shtatzanë
«Nuk më duhet, merrma»
Këmbeva nji përmbledhje poezish të Xhelaludin Rumit
unë i kisha mësue përmendësh
e ajo donte diçka
«Me i shkue ditët, gjithë mbyllë, kurrë pa dalë»
U gëzova!
Frika dhembi ma pak.
Edhe ma fort u gëzova
kur rrugës për në shpi
dy herë më gjuejti plumbi i snajperit
e të dyja më huqi
Dy herë e ndieva ngat
thue asht mickojë!
Dy plumba
dy herë gjallë
sot,
tri këtë javë
Pasha Zotin! asht rekord
personal kuptohet,
ma shum s’di
po kufoma që tërheqin qentë nëpër borë, përmbi urë ma tutje
e treta e re që po e shoh sot
ma kujton se rekordi im asht ma i mirë se i të treve atyne
çka megjithatë më ban njifarë kampioni.
Harroji paret, edhe unazat e arit, kujt i duhen?
më jep diçka që më ndihmon me e shkue njikëtë t’imtë kohe
që e di se e kam, e nesër:
dita e re, nafaka e re!
Nji cigare duhan asht ma realja njësi matëse
se njaq zgjat
sa jeta vetë
nja shtatë tetë tyma,
Më tha njani në pazar sot.
Ani pare të gjermanit,
mandej shtoi,
pse s’na njohu edhe ne si Slloveninë e Kroacinë?
Plumbat që nuk më rrokën
Më gëzojnë ma fort kur mendoj
Dy plumba huq për ate
që i shkrepi
e për ata
e për këtë luftë
Haaa! dy plumba shkue krejt kot
e unë, sebepi.
Të dy iu ngjeshën nji muri të nji ndërtese banimi
bash te ‘Parku i Pakicave Kombëtare’
vrapova, thashë «s’më sheh»
ish hije
e bora kish nisë risht me ra.
E qe ku po ta parathom ty që ke me kalue këndejpari
njizet e pesë vjet mbasi lufta të ketë mbarue
suvarja e përbirueme në të dyja vendet
qe, prej sot ka pasë mbetë
huq plumbi mue, me gjasë për me më lanë me dëftue
se jam tue i përmbledhë
do shënime
në shpëtofsha gjallë
kismet
due me i botue
ua kam gjetë edhe titullin
Sarajevo Blues
Çka po të duket?
Falemnderës.
Nji komshi
Kur jam në hymje
te kati përdhesë
s’më len me u ngjitë asnji hap ma nalt
«Aman, mërdhiva! Konjaku bile më nxen nji grimë»!
M’ofron pesë kile miell.
Po ç’ta baj miellin
Përsheh nuk bahet
E unë ç’me ndezë i pata harxhue qysh në nantor
Sivjet hymë në olimpiadën tonë të katërt dimnore
Mbas asaj të parës, botnores, e gjetëm formulën
Pjesëmarrës jemi ekskluzivisht vetë
Jemi ba qytet sportistash
Vrapojmë, i ri e e vjetër,
Vrapojmë tanë ditën
Vrapojmë
për jetën tonë
Sarajevo Slim City
Welcome
Kemi palaçinka
Pa vezë
Tri copa bajnë nji cigare!
Po si t’i pjek, mendoj ndërsa
jam tue e ba këmbimin me fqinjin
a thue se padashtas
veç pse e di që grueja çmendet
bani tregtova për me e mbajtë veç vedin
«E djali ç’me të hangër? E unë?»
Po krejt ndërdyshjet rreth vleftës së tregtisë që sapo bana
m’i davarit
Shpërthimi i predhës në ndërtesën përballë
Se nji mur banese bjen prej katit të njimbëdhetë
Nashtë!
Në kate njaq të ekspozueme ka kohë
s’banon kush
E unë
kornizat e dritareve të rame mundem me i shkulë
me muzgun e sontëm
hiç ma larg!
«Asht mirë se frigemi»
Dofarë dërdëllitjesh sot,
në pazar,
nji profesor, demek
psikolog,
dëshmojka se po i mprehim instinktet e të mbijetuemit
e kjo na kthejka te njeriu primitiv
çka bajka me i përballue kushtet natyrore
ma lehtë
cilatdo ato.
Unë as s’kisha ditë ç’me i thanë
Frigemi?
Unë hala jam tue iu gëzue
msheftazi
plumbit të dytë
sidomos
dhe vendimit për me e marrë
bashkë me raqet për pazar
edhe librin e Rumit.
Nesër asht ditë jubilare
plot njimijë na bahen nën rrethim
e unë shpresoj po më lind
ndonji poezi e veçantë.
*mbas vizitës në Sarajevë, nantor 2019
ObserverKult
Kliko edhe: