Gazmend Bërlajolli: Mësuesja

Nga Gazmend Bërlajolli

«SHIH, MËSUESJA! Ende gjallë qenka! Dhe paska mbetë krejt e njejta. Ende me atë të gjithmonshmin stil të flokëve të shpeshtë, të drejtë, bjondë, të shkëlqyet, të lëmuet në dukje, as t’ishin prodhim i ndonji serikulture në za, të harkuem së mbrendshmi në krrelën rretheqark qafës. Ende me pallto gëzofi, ende me qëndrimin si me qenë farë gjakkaltre a grueje manjati. S’paska ndryshue astenji grimë. As plakë s’asht.»
Jo se kish mbetë e re. Mësuesja gjithmonë asht dukë si plakë. Fëmijë, e mendoja dikund shtatëdhetë vjeçe, edhe pse s’mund të ketë qenë. Mirëpo, vetë na thoshte se mendonte të pensionohej mbasi ta nxirrte edhe gjeneratën tonë. Flokët e saj ishin temë e përhershme debati mes grupit të nxanësve që betoheshin se i ka parukë dhe tjetrit që ia quenin natyralë. Unë isha te të pavendosunit, megjithatë gjithmonë kureshtar. Tash shoh qartë se qenkan vërtet flokët e saj. Janë të lyem ashiqare, sepse rranjët i paska krejt të thinjuna. Për herë të parë po mundem me ia shqyrtue kaq hollësisht e prej kaq afër. Ajo asht e ulun dhe, tue pa anash, madje as nuk më vëren që po e shikoj, e unë në kambë po mbahem për nji shtyllë menjiherë skaj ulëses së saj, pozitë kjo që më jep mundësi me u afrue për t’ia shqyrtue.
«Kush kish me thanë se do ta shihja, ani ku, n’autobus urban, plus mbas gati tri dekadash. A thue e ka shkelë tashma nji shekull jetë?»
Jo veç që ish gjallë, por dukej goxha e fortë. Në ulësen ngjitun nuk kish njeri, që domethanë se vetë i kishte hypë autobusit dhe se e vetme po shkonte kudo që të ishte nisë.
Me folë kah del shpirti, në çastin kur më shkrepi se fytyra përballë dukej e njohun ngaqë ishte, m’u përvodh nji buzagaz.
«Mësuese! Mësuese? Jam Loriku. Lorik Kelmendi. Kam pasë qenë nxanës i yti. A të kujtohem?» Bana me iu afrue, por nuk di me e spjegue, as emën me i vu nuk di. Di veç me thanë se diçka më ndali. Vazhduem si çdo dy bashkudhëtarë rasti, që të përbashkëtën e vetme kanë atë copëz itinerari derisa njani të zdrypë në ndonji stacion.
Po prap, mendova dikur, gjithë ata vjet kanë kalue, e mos ndoshta do të ish ma e udhës me…

*

Nuk asht se përditë na i lypte detyrat e shpisë. Veç kur tekej. Prandaj as nuk i banim përditë. Ishte punë llotarie. E kur i shkrepte:
– Detyrat mbi banka!
Tevona i shihte nji për nji fletoret, tue u nisë nga banka ma e afërt nëpër rreshtin skaj dritareve, për me u kthye së mbrapshti nëpër rreshtin e mesëm e me i hy së mbrami rreshtit ndanë murit. A të kapte pa detyra, me nji të lëvizun gishti tregues të drejtonte për te tabela. Nësa ecte prej banke në bankë, vigjilonte dhe gjithnji e gjente nji nga ato vizoret e gjata drejtkandëshe, që ia merrte nxanësit pronar me nji:
– Qekjo po më duhet!
E armatosun, kthehej te tabela, urdhnonte nxanësin e parë të rreshtuem me zgjatë njiherë shuplakën e djathtë, ia fshikullonte dy herë, mandej të majtën, prap dy herë. Kalonte mbasandej te i dyti. Aq fort rrëmbehej në kënaqësinë e të ndëshkuemit sa, diku te nxanësi i mesit, vizorja gjithmonë i thyhej. Të mbetunit merrnin ndëshkimin e shkuljes së të dy zylyfëve. Personalisht, parapëlqeja vizoren, sepse zylyfët dhimbnin ma fort e digjnin ma gjatë. Me nji përjashtim: kur në vend të vizores ia mori Kreshnikut njifarë lapsi që ia kishte pru i ati prej Amerike. Ishte i gjatë e i trashë si kabëll rryme, përdredhej si t’ishte prej gome, e prap shkruente si çdo laps tjetër e madje edhe mprehej. Kreshniku e mbështillte rreth krahut kur shkruente. Në sytë e mi ai laps ishte i mahnitshëm, i sofistikuem e i pakuptueshëm, si Amerika vetë.
Kush ma shpesh e kush ma rrallë, asnji nxanës nuk i shpëtonte vizores. Asnji veç… Afrimit. I ardhun në klasën tonë në vitin e dytë, kur familja iu shpërngul në kryeqytet mbasi i ati i qe emnue guvernator i bankës qendrore të vendit, Afrimi ishte flokëpërkëdheluni i mësueses.
Kur qëllonte që nuk ia kishte ba detyrat, e pyeste tanë butësi:
– Pse mësueses nuk i ke ba?
E dëshmoja skenën gjithmonë i ulun dikah ma mbrapa. Mësuesja çonte dorën dhe në vend se të drejtonte gishtin tregues kah tabela, niste me e përkëdhelë butësisht flokësh. Mandej ajo vijonte kontrollin, kurse ai mbetej aty, i ulun në bankë.
Sa e kisha mëni njatë përkëdhelje bashkë me të dyja qeniet e përfshime në dhanie-marrjen e saj. Mësuesen për shkak të diskriminimit, e Afrimin, Afrimin…
Besoja në atë kohë se isha ndryshe prej të gjithë fëmijëve tjerë, se kisha dhunti të tejzakonshme, superfuqi, aftësi telepatike që prisnin me gufue. Besoja se kur të rritesha do të mund të komunikoja me jashtëtokësorët, t’ua lexoja mendimet njerëzve, të shihja qartazi në terr dhe t’i parashikoja numrat e llotarisë. Aq shpesh andrroja se po fluturoja përmbi lagje dhe aq fort e kisha sofistikue teknikën e shkëputjes nga toka, sa isha i bindun se nji ditë do të fluturoja përnjimend pa ma të voglin mund. Ende besoj se nji ditë do t’ia dal. Sapo ta kuptoj si me ia ba për m’e shpërfillë forcën e randesës. Por ky, megjithatë, asht tjetër tregim.
«Çohu dhe dil vetë te tabela! Çohu dhe ec deri te tabela!» – ia komunikoja me telepati në gjithë ato variante e gjatë gjithë atyne viteve mendimet e mia Afrimit, sa herë që niste rituali i flokëpërkëdheljes. Herë provoja me iu qasë si za i jashtëm autoritativ e urdhnues, herë prindor e i prajshëm, herë si zani i vet i arsyes, por Afrimi mbetej se mbetej i ngulitun në atë bankë.
Kur dolëm në klasën e katërt, Afrimin e kishte ulë te banka e parë e rreshtit të mesëm e mue menjiherë mbrapa. «Çohu, veç dy hapa larg e ke» provoja me e bindë me tanë ato ngjyrime të zanit të heshtun, por telepatia, me gjithë rrethanat lehtësuese e pa pengesën e asnji energjie ndërmjetëse, mazallah se po më funksiononte.
Siklete të shtueme nisi atë vit me më dhanë ai ritual, që tashma e dëshmoja prej aq afër. Të ishin flokët e mi që po përkëdheleshin, a do t’i kisha këllqet me dalë vetë e me u rreshtue te tabela? A thue mos bash për shkak të këtyne ndërdyshjeve, telepatia nuk po më funksiononte?
Unë nuk isha i guximshëm si Fatjoni, topolak e fytyrërrumbullakët, i cili qysh në klasën e tretë, sa herë ishte ditë kontrolli e detyrave, nuk priste as t’i vinte radha. Çohej, ecte e rreshtohej i pari kundrejt tabelës.
– Ma me qef i ha dy vizore këndej, e dy këndej, se rri dy sahat tue ba detyra në shpi, – ishte filozofia e tij.
Po unë, pse nuk çohesha si Fatjoni me dalë vetë kur nuk i kisha ba? Fare lehtë, edhe tue ndejtë në kambë përballë Afrimit mund ta ushtroja telepatinë. Mos ndoshta msheftazi shpresoja se mos mësuesja do të ma falte edhe mue ndonji prej ditësh? Mos testoja kësisoj me pa nëse ia kisha fitue sërisht zemrën, humbë qysh në klasë të parë?
Po. Qysh në muejin e dytë të klasës së parë. Unë as që e kisha vërejtë mësuesen e ndalun skaj meje, i përqendruem me i kopjue në fletore fjalët e shkruejtuna në tabelë. Di veç kur më tha:
– A edhe ti Lorik me dorën e majtë a? Edhe ti te tabela!
Tre veta qiti mësuesja gjithsej te tabela në kërkimin për majtakët e klasës atë ditë. Kur unë dola, Adriani e Shqipja ishin aty. Ishte e para herë në jetë që po ndeshesha me gjithë ato vështrime zhbiriluese. Të tjerë kishin dalë vullnetarisht, kishin këndue ndonji kangë a recitue ndonji vjershë, po jo unë. Isha, pak me thanë i marrshëm; isha marrja e trupëzueme.
Nuk dija as qysh do t’i përgjegjesha para gjithë atyne syve kureshtarë, mbasi me siguri do të na kërkonte me sqarue pse zgjedhnim me shkruejtë me dorën e majtë. Sido me qenë, i treti isha në radhë. Thjesht do të ndigjoja ç’do të thoshin së pari Adriani, mandej Shqipja, tue mbajtë vesh në mos ndonji fjalë e tynia e bante ndonji nxanës kund me kukurisë a me u zgërdhi. Së mbrami do të përsërisja pak a shum të njejtat arsyetime si ata.
Por, mësuesja nuk na pyeti gja atë ditë. U ul në katedrën e saj aty skaj nesh dhe u foli gjithë të tjerëve:
– Këta të tre, nxanësa, po kujtojnë se munden me shkruejtë me dorën e majtë veç pse qashtu u teket. Ju bashkë tash duheni me ua dhanë nji mësim. Përsëritni, pra, mbas meje: Qe ky…

*

Koha. Hapësina. Priren njerëzit me ua caktue ngjarjeve si përmasa. Në filan date, në filan vendi ka ndodhë, thonë. Por koha, pohojnë shkencëtarët, asht relative, e hapësina, nga ana e saj, e lakueshme. Vetë kujtesa? Gjithkush të thotë se tradhton, besë nuk i zihet. E s’na mbetet, duket se nuk kemi tjetër njimendësi, veç ndjenjës që ruhet e ngulmon, e që me gjasë, në njifarë tinëzie të njohun për zotat pos, asht e vetmja që vërtet asht.
Dhe qe, koha asht prap atëherë dhe asht edhe tash, e unë jam përballë mësueses ende këtu në autobus dhe jam prap te tabela për herë të parë në jetë, e mësuesja përnjiherë ka të veshun atë të shkëlqyetin fustan të zi sintetik me vija të bardha të holla paralele, që i pjerren nga e djathta në të majtë. Bashkudhëtarët nëpër ulëset e autobusit bahen sakaq të tanë fëmijë të ulun nëpër banka, e unë, kundrejt dheta palë syve që më kqyrin, ngul shikimin tim te goja e mësueses, ndërsa ende dhe prap i hetoj bashkë kureshtjen dhe frikën për fjalët e ardhshme që do t’i shqiptojë. E, sapo ajo gojë hapet me e kumtue qortimin që duhet ta përsërisë e tanë klasa, imazhi menjirend më ngadalësohet – buzët i hapen krejt avash, e fjalët që nxjerr ma as nuk ndihen. Asht Adagio në g-mol, që më kish nisë në sfond të mendjes me nji organo e me piziccato ritmike të nji teli kontrabasi, që, sapo futet edhe violina, më shpërthen dhe jehon, jehon, si e vetmja audio që ma mbush tanë skenën, e gjithçka tjetër vazhdon zhvillohet shi sikurse në filmat e këtunjihershëm pa za.
Shoh krahët e nxanësve që nisin të çohen me i zgjatë gishtat tregues drejt meje, vërej tek u tërhiqen ca për t’u drejtue pak ma djathtas, drejt Shqipes, drejt Adrianit mandej. Dhe as fjalët e tyne ma nuk ndihen. Janë veç gojë që mbeten të hapuna gjatë e që mbyllen ngadalë, për t’u hapë risht, të tana njiherësh, ndërsa Adagio bahet edhe ma e zashme, e fëmijët rrëmbehen edhe ma fort prej detyrës së dhanë, ndonjani tue u shtri me gjithë trupin sipër bankës me krah të zgjatun; gishtat prap drejt meje, mandej prap pakëz i tërheqin, për t’i drejtue pak ma djathtas, sërisht kah Shqipja, kah Adriani tash.
Përnjiherë, jam prap kumbimi i fortë i zemrës që më përkon me ritmin e ndukjes së telit të kontrabasit, jam prap shija e lotëve që më rrjedhin nëpër grykë, jam prap gulçi, jo veç i imi, po edhe i Shqipes krejt pranë, jam loti i Adrianit që po i pik prej hundësh, jam pafundësia që ky çast asht, jam përgjërimi që së mbrami mezi guxon me m’u shfaqë në sytë e përlotun, «të lutem, mësuese, thueju, boll», por ajo, tue pa anash, madje as që më vëren se po e shikoj.
Autobusi ndalet. Dera mbrapa meje hapet. Disa udhëtarë marrin me dalë. Melodia nis shuhet. Jemi ende përballë, unë me sytë e ngulun te mësuesja mospërfillëse. Violina e muzikimit jep rënkueshëm nji gis të naltë tretaktësh të mbramë, për me i lanë vend refrenit të përsëritun prej nxanësve që ma nuk janë. Vetë refreni më vjen së largu, porsikur jehu i atyne lojëve ritmike fjalësh të fëmijëve, që mbasditeve verore nga oborri më hyn në dhomë prej dritares së hapun:

Qeee ky go-maaa-ri,
Qe kjo go-ma-riii-ca,
Qeee ky go-maaa-ri,
Qe kjo go-ma-riii-…

*

Ca minuta ma vonë, zdrypë tashma prej autobusit, po mundohesha me e shpërla ndërgjegjen, mbasi mësuesen time të parë, mbas kaq dekadash, e kisha përshëndoshë veç me shpërfillje:
«Le t’i flasë çifti i Afrimit, manarit të saj».
Kish kohë që Adagio në g-mol nuk më kish luejtë në krye. Seç ka diçka të tejbotshme ajo melodi, përtej misterit që lidhet me autorsinë e saktë e që i ban dy shekuj dhe dy vende me u shkri në nji të vetëm kompozim. Ka diçka në te që asht hirshëm e trishtë, as t’ish melodi e luejtun prej engjëjsh nëpër periferitë e parajsës, poshtë murit që e ndan me ferrin, si gjamë për gjithë atë që ndodhet e ndodh matanë.
Dhe, asht e vërtetë, tash që po e mendoj. Mësuesja, me bindjet e veta prej djathtaku mostolerues, më kishte thye. Nga frika, kisha nisë, rrëshqanë njiherë, ma lehtë mandej, me e urdhnue lapsin mbi vijat e fletores edhe me dorën e djathtë. Të paktën në klasë. Detyrat në shpi, për lehtësi, i vazhdoja me të majtën. U bana – me e përdorë termin e shpikun s’do mend prej farë djathtaku – ambidekstroz, që ka kuptimin e dikujt që ndoron njilloj lehtë të dyja duert, por që realisht përkthehet si ‘dydjathtak’. Në rastin tim, termi nuk asht fort i gjetun, mbasi unë nuk i bana dy të djathta ndonjiherë; ma parë, të djathtën e ngathtë e aftësova dhe, me kohë, e bana edhe nji të majtë, ose aty afër. Mirëpo, djathtakët mbizotnues të kësaj rrokullie, termin ambisinister, dymajtak pra, e kishin ngarkue tashma me kuptimin e dikujt që të dyja të ngathta i ka. Bash qysh, edhe kujt s’ia thotë në zotësi që kërkojnë zhdërvjelltësinë e kambëve, si futbolli a vallëzimi, i thonë “i ka të dyja të majta”. Mos me folë për tanë ato kultura në gjuhët e të cilave “e drejta” dhe e “e djathta” janë nji dhe e njejta fjalë.
Sa fort e gdhendim vetjen e tjetrit tue përdorë mbi të daltën e të frikësuemit. Çashtja asht: a e bajmë njeri ma të mirë? Majtak, isha vetvetja, isha i pakicës, i të veçantëve, në sinkron me botën time të mbrendshme, andrrimet për njeriun që mendoja me u ba. A më kishte ba ma të mirë, qyshdo, imponimi i saj? Më kishte ba tip edhe-edhe, të majtë e të djathtë. Të mos kisha qenë nxanës i saji, me gjasë tashma do të isha i mirënjohun botnisht si fituesi historik i katërfishtë i jackpot-it të Mega Millions, dhe sot do të isha tue shkue jo në punë, po në kurs për zgjimin e çakrës së synit të tretë te ndonji prej guruve ma në za të Indisë, për me e vazhdue mbasditen me meditim poshtë ndonji peme fiku e mbramjen tue i krahasue në YouTube ligjërimet e të mbijetuemve të përvojave të deshvdekjes.
Por qe, punoj si kontabilist për nji hipermarket dhe mbaj dy lloj librash, edhe për boss-in që t’i shohë fitimet e vërteta, edhe tjetrin që të jetë paq me inspektorët dhe qeverinë; edhe due me e lanë këtë punë të mërzitshme gjithë fatura e shifra, edhe shpresoj tinëz të më shpallin kryekontabilist në mot, kur shefi të pensionohet; edhe mendoj me u rimartue, edhe më pëlqen me e zgjatë beqarinë e dytë; ose qe sot, edhe vetë marr vendim të vetëdijshëm mos me i folë mësueses, edhe e kam ndërgjegjen paçariz.
E pranoj. Jam thye. Edhe Adriani u pat thye. Me gjasë, dikur kaloi krejt në taborrin e djathtakëve. Shqipja veç mbeti kryefortësisht majtake e kurrë nuk u dha. Respekt maksimal Shqipe, kudo qofsh sot.

*

– Lorik! Hajde! Po e vazhdojmë me afterparty te kafja jeme! Me u çlodhë pak. Po e mbledhim veç klasën tonë të dikurshme.
– Në dy e gjysë të natës don me e çelë kafen a? E me të ardhë policia?
– Mos ta ndien! Kam rregullue gjithçka!
Shpendi. Qysh i mendon të tana detajet. Ia lakmoj se si përbirohet e gjen lidhje kahmos.
Njizetvjetori i maturës ishte vërtet mbramje hata. Por mes këndimeve, valleve, zhurmave të muzikës, s’kishim pasë fort mundësi edhe muhabet të shtruet me ba.
Asht natë e ngrohtë vere, e disave prej nesh, të djersitun qysh ende jemi nga të kërcyemit në sallë të mbyllun deri para gjysmë ore, na pëlqen me ndejtë në kambë e me ndërrue kuvend, tashma në oborrin e kafes së Shpendit, megjithëse të tjerët mbrenda janë. Shpendi, si zot shpie, lëviz pak andej e pak këndej, e dikur del dhe na bashkangjitet në bisedën tonë.
Adriani asht ba farmacist, jeton me familjen në Kroaci. Saranda, që pati shkue në tjetër shkollë nga klasa e shtatë, punon këtu në nji ambasadë dhe ka binjakë shtatëvjeçarë. Fatjoni, ende fytyrërrumbullakët, jeton në Zvicër, lëviz prej nji pune në tjetrën, kryesisht në ndërtimtari ose si pastrues; sapo asht nda nga nji gjermane me të cilën ka nji vajzë. Afrimi asht zgjatë, por nuk asht ma as hija e çunakut të hijshëm që ka pasë qenë; ka mbetë asht e lëkurë mbas nji smundjeje të randë të mushknive, e flokët i kanë ra, me përjashtim të nji xhufke në mes të ballit, që nuk kuptoj pse nuk e rruen. Unë jam ende lumnisht i divorcuem, pa mbasardhës, dhe shijoj beqarinë e rifitueme tash tre vjet me dy të dashuna, që kuptohet nuk dinë për njana-tjetrën, si dhe me biciklizëm malor shtigjeve të Gërmisë.
– I telefonova mësueses. I tregova që sonte festojmë njizetvjetorin e maturës. E ftova me na u bashkangjitë, po më tha se nuk beson që mundet me i ba ballë, se asht plakë. Mirëpo, më porositi me ju përshëndetë të tanëve.
Me këto fjalë të Sarandës u çel tema e mësueses.
– Ah, mësuesja jonë… e dashur! – nga ngurrimi dhe mënyra se si Fatjoni e shqiptoi cilësorin, të tanë i pamë thojëzat.
– Unë e kam dashtë! Nuk kam qef me ma sha, – ia preu Saranda – Sa aktivitetet kulturore, sa vallet, sa recitalet na i organizonte. Me këto, na jemi dallue shum prej nxanësve të mësueseve tjera.
– Po ato aktivitete e kanë nji emën. Quhen jashtakurrikulare, e neve na i bante në orën e matematikës! – ia kujtoi Shpendi, – Mbaruen more tue më vjedhë kamarierat, se as shumëzimet nuk po di qysh duhet me i ba.
– A ju kujtohet – dhe ia vuna krahun rreth qafe Adrianit – kur na pati nxjerrë njiherë te tabela ne të dy dhe Shqipen, pak muej mbasi kishim nisë klasën e parë, me na ndëshkue se shkruejshim me dorën e majtë. E ju të tanë, tue na i drejtue gishtat, përsëritshit: “qe ky gomari, qe kjo gomarica”.
– Oh, qysh s’më kujtohet! – Adriani vuni shuplakën në ballë – Ujëvarë më kanë pasë shkue lotët atë ditë. Mezi në shpi dikur u qetësova. Babi i pati shkue të nesërmen. Mësuesja i kishte thanë që kur t’i baja detyrat në shpi, duheshin me ma lidhë dorën e majtë. Mandej na detyronte me e mbajtë mbrapa mes dy shpatullave sa herë shkruenim, për me na e pa kur të lëvizte nëpër klasë.
– Mue nuk po m’u kujtoka hiç kjo vaki! Ndoshta bash atë ditë kam mungue, – tha Shpendi – Mirëpo, besoj se këtu po flas në emën të krejt këtij grupi, kur ju thom, sinqerisht, na falni! Ashtu kemi folë, mbasi aq kemi ditë. Se…
Kur Shpendi u ndal me thithë nji tym duhani, gazin që m’i çoi cepat e buzëve e hetova të më ngjitej drejt syve. Ai nxori tymin dhe vazhdoi:
…ju gomarë jeni ba tash. Atëherë keni pasë qenë veç kishka.
– Po vizoret që na i jepte shuplakave te tabela, a ju kujtohen?
U çudita që vizoret i pruni në bisedë Saranda.
– Unë s’ia kisha hiç problem vizoret. Bile dilsha i pari me u rreshtue te tabela, pa e pritë me ardhë ajo me më qitë. Po, nuk di a e mbani në mend nji ditë kur ma pati përplasë kryet për tabele derisa më shpërtheu hunda në gjak.
Përnjiherë, krejt e gjallë, m’u kthye ajo skenë. E pati nxjerrë për nji problem të thjeshtë aritmetike, por Fatjoni zgjidhjen nuk e dinte. Ajo turfullonte tue nxjerrë stërpika pështyme. “Zgjidhe! Bilmez!”
“Nuk di. Nuk di. Nuk di.”
Provoja me ia nisë zgjidhjen Fatjonit me zanin tim të pafjalë, por – bam, bam, bam, bam – ia kishte shtrëngue rrashtën sipër qafe dhe po e përplaste shpejt, shpesh, fort. Shkundullohej e gjithë tabela. Dridhesha së tutësh dhe mendoja «krejt fajin e kam unë» mbasi nuk arrija kurrsesi me u përqendrue për t’ia përçue Fatjonit zgjidhjen. As frymë madje nuk guxoja me marrë. Veç kur përplasjet u ndalën, e Fatjoni u kthye, tue e shfaqë turinin të lamë në gjak, mora frymë tue e thithë zashëm të njejtin “hëëëëh” me të gjithë të tjerët. E urdhnoi me u kthye te banka dhe me u mbështetë në karrige me kryet të lëshuem mbrapa, derisa gjaku t’i ndalej. Ai shkoi e u ul andej kah fundi i klasës. Doja gjithë ato herë me u kthye, me pa gjaku a iu ndal. Nuk u ktheva asnjiherë. Kisha frikë se më vërente mësuesja.
Heshtje. Mandej foli Afrimi:
– E, a mbani në mend nji ditë kur, në vend të vizores, ia pati marrë Kreshnikut njifarë si lapsi të gjatë, të lakueshëm, të trashë kaq! – dhe zgjati gishtin tregues.
– Eh, sa mirë e mbaj në mend. Ma pati mëshue me te, por më rroku sipër shuplakës, këtu te nyja. M’u ajt, m’u ba tupan. Në shpi mbaja mangën e xhemperit me grusht, që të mos ma shihte nana. Çudi që edhe ty t’u kujtoka.
– Pse çudi? – më pyeti.
– Se… ti nuk ke hangër ndonjiherë dajak. Ti ke pasë qenë… – ngurrova, por ia thashë, tue ba me dorë lëvizjen – …flokëpërkëdheluni i mësueses!
– E pse mendoni që i kanë ra krejt flokët heu? Po prej përkëdheljeve haram pra. Ani, shih si i ka mbetë nji kaçubë këtu, – Shpendi tregoi se e ka për xhufkën tue kapë me gishta nji balluke të veten – Këto të kanë pshtue sagllam veç pse nuk t’i ka rrokë kurrë dora e saj.
– S’ka dy muej që e kam pa, – vazhdoi Afrimi – te veranda e restorantit Gërmia. Ish hera e parë, mbas gjithë asaj kohe që ishim nda prej saj. Gati hiç s’kish ndryshue. U çova prej tavoline me shkue me i folë. Bana nji hap, mandej të dytin, po… si me pasë shkelë në farë superngjitësi, kambën hiç nuk mujta me e çue. Mbeta do kohë ashtu, pa lëvritë, as para, as mbrapa. Mandej u ktheva, u ula në karrigen teme. Nuk shkova hiç me i folë.
– Pse?
– U ndieva shum keq. Nisa me u ndi po aq keq sa ndihesha çdo herë që ma përkëdhelte kryet, e unë detyrat s’ia kisha ba. Sa marre më vinte prej të gjithë juve, nuk keni ide.
Fishekzjarre! Nëse për brezat e mbasluftës asht ba traditë me i mbyllë netët e maturës me fishekzjarret që ne nuk i kishim, për mue njikëto fjalë të Afrimit ishin fishekzjarret që po e mbyllnin këtë njizetvjetor, tue ma zdritue qiellin e mbrendshëm me xixëllime ngjyrash gjithfarësoj. Zgjata krahun dhe ia caka shuplakën fort. E pashë tanë kujdes, tue ia vërejtë mollëzat e dala, shtatin e hollë, xhufkën në ballë. Për herë të parë mbrenda atij trupi pashë nji tjetër njeri. Pashë nji shpirt të bukur fort.
Shpendi nxori prej xhepit çakmakun, e ndezi, e kur çoi krahun nalt, nisi m’e valëvitë flakën lehtas majtas-djathtas dhe këndoi:
Dhe sot ia dëgjoj zërin e ëmbël…
Saranda e kapi menjiherë. Vazhduen të dy:
…Dhe sot ia vështroj sytë zjarr
Atëherë më rroplloi. Ishte kanga që e këndonim për recitalin para prindëve ditën që merrnim librezat me nota në fund të çdo gjysmëvjetori. Nga nji muej banim çdo herë me përgatitë programin për atë recital.
Mandej u bashkangjitëm edhe unë, Adriani, Afrimi e Fatjoni:
E desha, o miq, me gjithë zemër,
Mësuesen e klasës së parë.

Tregimi “Mësuesja”, është shkëputur nga vëllimi “FRYMA” – tregime bashkëkohore në gegnisht, Botimet Princ, 2019

ObserverKult

Lexo edhe:

LUTEMI ME GJITHË SHPIRT QË TË NA MBAROJNË VUEJTJET NJI HERË E MIRË