Gazmend Bërlajolli: Vetë shpirtnat këtë gja e ditën…

Gazmend Bërlajolli
Gazmend Bërlajolli

Nga Gazmend Bërlajolli

Semafori i kambësorëve ish i kuq, madje m’i jepte edhe shtatëdhetë e tetë sekonda pritje. Por kur ktheva kryet majtas me pa mos po vjen ndoj veturë, vuna re se ato të rrugës së degëzueme merrnin të parën kthesë tekëndej në kryqëzim, tue ua zanë, kësodore, shtegun veturave që kishin me ardhë drejt meje. Prandej mora me kapërcy gjysmën e parë të zebrës, për të ndalue në ishullin mes dy rrugësh të gjana.
Njani, që vlerësoi se po ecja me hap të sigurtë të dikujt që dinte ç’po bante, pa pritë gjatë, u vu me e ba hapërimin bardhezi fill mbas meje. Kur hetoi se ngadalësova sapo u avita te mesi i shtegut kambësorësh, bash mbi vetë boshtin imagjinar të ishullit trotuar, edhe ai, pa vonue, u ndal aty me mue.
Mbetëm ashtu përbri do çaste. Nuk pashë, me bishtin e vëmendjes, përtej nji manteli bezhë, veshë pa mbërthye rreth nji trupi të hajthëm e të gjatë. Kaq di me thanë për qenien majtas simes.

Semafori përballë shënonte edhe katërdhetë e tre sekonda pritjeje të kuqe. Ajo që unë e dija, e që, me ç’dëshmova prej hapave që m’i ndoqën të mitë, zotnia përbri nuk e dinte, asht se kur ato dy shifra të ndërronin vende, makinat, që tashma po vinin nga e djathta, do të ndalonin hov e do të banin aty radhën vetjake të pritjes së palëvizun, kurse unë, pa i pritë çastet me u harxhue, rrjedhë e përngeshme rane nëpër grykë të ngushtë qelqi, do ta kaloja gjysmën e mbetun të shtegut, kalorës urban i zebrës asfalti.
Çasti erdhi. Nji veturë e bardhë që avitej, u ndal matanë vijës së gjanë perpendikularisht të bardhë. Unë mora me qitë hap. Vendosa me e riecë ritmin fillestar. Ai, që si unë, po nxitonte rrugës së vet, do të bindej me më ndjekë risht me të njejtën bindje si ma parë, tue i ba lak pritjes mbigjysëminutëshe për shifrat e blerta.

Me nji ngurrim, këtë herë ma të shkurtë, hapi i tij ndoqi timin.
Tashma në trotuar, manteli bezhë që rrypat po i valëviteshin, bani drejt. Unë mora djathtas.
Ndonji i tretë, që mund të ketë qenë dëshmitar i këtij ngadhënjimi modest, nuk kish me thanë kurrë se na të dy kalimtarët, nëpër të kuqen tonë të përbashkët kuvendëm, se unë ftova, e se tjetri më besoi e më ndoqi.
Por po, dy energjitë tona, ato që mbas gjase i quejnë shpirtna, kuvendën vërtet. Ç’asht kryesorja, vetë shpirtnat këtë gja e ditën, sepse gjithmonë e paskishin ditë. Të pavëmendshëm ishim veç na, egot prej mishi e truni, mbetë me ecë këtyne rrugëve edhe ndonji vit a ditë. Veç të ndrymë kësisoj, harrokemi se në thellin ma të thjeshtë të gjanave, jemi nji dhe e njejta, pjesë të pandashme të të tanës që ka.

ObserverKult

Lexo edhe:

GAZMEND BËRLAJOLLI: MËSUESJA