Genc Leka, mësuesi që u ekzekutua nga komunistët

Me rastin e 7 Marsit, Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit kujton mësuesit e persekutuar nga regjimi komunist.

AIDSSH vë në dispozicion të studiuesve dosjen e Sigurimit të Shteti të poetit dhe mësuesit, Genc Leka.

Sot, më 7 Mars, kujtojmë mësuesit që me përkushtim dhe sakrifica u arsimuan në kushte të vështira dhe pamundësi të skajshme ekonomike, mësuesit që e deshën shumë dijen, por regjimi u preu jetën në mes!

Genc Leka, në autobiografinë e tij, shkruar nën kushtet e survejimit, tregon dëshirën e zjarrtë për t’u arsimuar dhe kalvarin e vështirësive që i duhej të kalonte për t’u bërë mësues, gjithnjë nxënës me nota të shkëlqyera, por i paragjykuar për shkak të biografisë “së keqe”.

Poeti Genc Leka, lindi më 23 mars 1941 në fshatin Bërzeshtë të rrethit të Librazhdit. Mësimet e para i mori në fshatin e lindjes. Mes viteve 1959-1962 studioi në Shkollën Pedagogjike të Elbasanit. Nga viti 1962 e gjer më 1966, kur dhe u pushua nga puna, punoi si mësues në zonat e thella të Librazhdit.

Në vitet 1967-1968 kreu shërbimin ushtarak në një brigadë pune në Sopot të Librazhdit dhe në Cërrik. Pas mbarimit të shërbimit ushtarak, punoi në fermë dhe në ndërmarrjen pyjore, ku bënte vetëm punë krahu.

U arrestua më 31 gusht 1976 dhe pas njëmbëdhjetë muaj torturash në hetuesinë e Librazhdit, u akuzua për “sabotim dhe agjitacion e propagandë”, dhe më 13 qershor 1977 u dënua me vdekje, pushkatim. U ekzekutua bashkë me të kushëririn, Vilson Blloshmin më 17 korrik të vitit 1977, në vendin e quajtur “Përroi i Firarit”.

Më 1994, Presidenti i Republikës i akordoi dekoratën “Martir i Demokracisë”. Një vit më vonë, emri i tij iu vu një prej shkollave 9-vjeçare të Librazhdit. Po këtë vit iu dha dekorata “Mësues i Popullit”.

Në vitin 2009, nën kujdesin e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, u botua vepra e tij e plotë. Më 2010, Presidenti i Republikës i akordoi dekoratën “Nderi i Kombit./ATSH

———————————-

Lexo edhe:

DOKUMENTI: JA KUSH E FIRMOSI VRASJEN E POETËVE VILSON BLLOSHMI DHE GENC LEKA

ObserverKult