Muzeu Kombëtar “Shtëpia me Gjethe” përkujtoi poetin martir Genc Leka, pushkatuar nga regjimi diktatorial.
Genc Leka ishte mësues dhe poet, i pushkatuar në kohën e regjimit komunist. Lindi më 23 mars 1941 në fshatin Bërzeshtë të rrethit të Librazhdit. Mësimet e para i mori në fshatin e lindjes. Mes viteve 1959-1962 studioi në Shkollën Pedagogjike të Elbasanit dhe pastaj në periudhën 1960-61 e emëruan mësues në Zdrajsh, në krahinën e Çermenikës. Në vitet 67-68 shërbeu si ushtar, pranë Cërrikut.
Prej vitit 1959 ishte vënë në përpunim nga organet e Sigurimit. U arrestua më 31 gusht 1976 dhe pas njëmbëdhjetë muaj torturash në hetuesinë e Librazhdit, u akuzua për “sabotim dhe agjitacion e propagandë”.
Me vendimin nr. 45, më 16 qershor 1977 u dënua me pushkatim bashkë me kushëririn e tij, poetin Vilson Blloshmi. Pas një kërkese për falje, më 16 korrik 1977, Presidiumi i Kuvendit Popullor njoftoi refuzimin e faljes së jetës.
U ekzekutua bashkë me kushëririn e tij, Vilson Blloshmin, më 17 korrik të vitit 1977, në vendin e quajtur “Përroi i Firarit”. Më 1994, Presidenti i Republikës i akordoi dekoratën “Martir i Demokracisë”. Një vit më vone emri i ti iu vu një prej shkollave 9 vjeçare të Librazhdit.
Në vitin 2009, nën kujdesin e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve u botua vepra e tij e plotë. Në vitin 2010 Presidenti i Republikës i akordoi dekoratën “Nderi i Kombit”.
Poezia e fundit
O hënë, pse dole, moj, kaq e trishtuar,
Mos vallë për mua po mban zi?
……..
Ç’më fsheh ashtu me sy të lotuar,
Mos m’u sos jeta dhe unë s’e di?
Po dhe në vdeksha, jeta s’ka të mbaruar
Dhe pse sot po shkruaj të fundmen poezi.
(Shkruar në gusht 1976, pak ditë para arrestimit)/ATSH
—————————
Lexo edhe:
GJATË KOMUNIZMIT GRATË ISHIN VIKTIMA TË DHUNËS SEKSUALE SISTEMATIKE PREJ ATYRE QË MBROHESHIN NGA…
ObserverKult