Gentian Basha: Si e fitova rolin tek “Kur xhirohej një film”, ju rrëfej prapaskenat

“Alo mami, alo babi, prit pak se erdhi mami”… kush nuk përlotet ende pas më shumë se 39 vjetësh? Për dikë që po konfuzohet mes aq shumë batutash të filmave shqiptare, është fraza që Genci, djali i vogël i çiftit në prag të divorcit, dhe aktori kryesor i “Kur xhirohej një film”, thotë i ngatërruar teksa flet në telefon me të atin. Të gjithëve na ka marrë malli për ata fëmijët aktorë me rolet e të cilëve jemi rritur. Shumë prej tyre nuk e vazhduan më karrierën, por mjaftuan pak role që t’i kujtojmë edhe sot. Mbase jo të gjithëve ua dimë emrat e vërtetë, por rolet ua dimë përmendësh.

Gencin, djalin e trishtuar që përpiqej të pajtonte mamin dhe babin, e mbajmë mend mirë. Po ku është ai? Si vazhdoi jeta e tij pas këtij filmi? Po gjatë xhirimeve të një filmi mbi një film ç`ndodhte? Për shembull, pak mund ta dinë, por në librin e saj “Vitet e jetës sime”, regjisorja Xhanfize Keko ka shkruar se historia e filmit  “Kur xhirohej një film” rrëfen jetën e aktorit që ka luajtur “Beni ecën vetë”, Herion Mustafarajt. Kjo do të thotë se Genci në fakt, ishte Herioni.

Për të gjithë ata që kanë mall për këta fëmijë, që sot janë bërë baballarë, Genci i quajtur në realitet Gentian Basha, ka dhënë kohë më pare një intervistë për ‘tiranapost.al’, nga Amerika, ku jeton prej shumë vitesh.

Si u ndodhe ti në rolin e Gencit tek “Kur xhirohej një film”?

Unë kam qenë në fillim të klasës së parë dhe vija nga pushimet në fshat. Kushërinjtë e mi gjithmonë më thërrisnin Beni, sepse sapo kishte dalë filmi “Beni ecën vetë”. Sikur ma taksën. Ndërkohë që Xhanoja, Xhanfize Keko, regjisorja, kishte shkuar në shkollë dhe kishte parë për fëmijë, se ishte në kërkim e sipër. Aty i kishin thënë edukatoret dhe mësueset, që kemi një fëmijë, por ai ka shkuar në fshat. Sepse unë isha angazhuar në kopsht me shfaqjet e fëmijëve të vegjël. Kjo i ngjalli kureshtjen Xhanos për t`u rikthyer përsëri te shkolla jonë. Unë nuk është se i dija në atë kohë këto detaje, por i kam lexuar në librin e saj të kujtimeve.

Në ditën që ajo erdhi në shkollë isha komplet në autobus. Isha ulur në bankën e fundit. Ajo erdhi me asistent regjisorin. Kur hyri në klasë më bëri përshtypje pamja e saj. Një grua që të linte përshtypje të veçantë, si ambasadore dukej, si drejtoreshë shkolle. Thashë kush ka bërë tani ndonjë gabim. Por ajo i drejtoi sytë te mua. Mendova: “Ohoooo e paskam unë radhën sot”. Më pyeti për emrin dhe iku. Unë mbeta, thashë çfarë ndodhi? Mësuesja më sqaroi që ishte regjisore dhe se kishte ardhur për të kërkuar fëmijë për filmin e saj. Ditën tjetër erdhi asistent-regjisori, më mori dhe më çoi në dhomën e dentistit të shkollës. Thashë me vete do më heqin ndonjë dhëmb tani. Por jo, ai më bëri disa pyetje, pastaj më tha të bëja si i sëmurë. Me thënë të drejtën e mbaj mend si të turbullt këtë moment. Më shkruajti pastaj një letër dhe më tha t`ua jepja prindërve. Atje shkruhej që duhej të paraqitesha në Shtëpinë e Pionerit. Kur shkova atje pastaj, ishin 200 fëmijë, nga të cilët do të zgjidheshin vetëm 5 ose 6 fëmijë, një ndër ta isha unë.

Prindërit u gëzuan shumë. Mamaja më puthi, më tha: “Të keqen mami, artisti i mamit”. Siç e kanë prindërit.

Më vonë mora vesh që askush nga stafi nuk kishte dashur ta merrja unë rolin kryesor. Xhanoja kishte këmbëngulur. Madje kameramani i kishte thënë: “Xhano, unë nuk mund t`i afrohem dot këtij fëmije. Nuk mund t`i afrohem dot me kamera”. Pasi isha verdhacuk dhe më mungonin dhëmbët e parë. Kur e shikoj veten sot e kësaj dite më rrënqethet mishi. Edhe kur u them të tjerëve që jam ai fëmija te filmi më thonë: “Uuu se nuk e shikoj dot, më prek shumë”.

Ai film vazhdon të shfaqet ende në Shqipëri dhe ne jemi shumë kuriozë të dimë çfarë ndodhte në prapaskenë. E kemi fjalën për detaje që ty të kujtohen ende dhe që janë interesante për t’u rrëfyer.

Ai film nuk ka vdekje. Ata filma nuk vijnë më. Më kujtohen shumë skena, sidomos në Pogradec, se atje i kemi bërë xhirimet. Ne ishim çapkënë. Unë kisha një palë proteza, se sipas kameramanit e vetmja mënyrë që unë të bëja atë rol ishte të rregulloja dhëmbët. Kështu që Xhanoja më kishte çuarr te një dentist dhe më kishte bërë protezë. Mirëpo unë e hiqja kur haja. Diku i lashë dhe më humbën. Kur shkova në sheshxhirim dhe qesha më doli goja bosh. U anuluan xhirimet vetëm për protezën. U detyruan që të më bënin një tjetër dhe të na e dërgonin nga Tirana. Për fat, doktori i kishte mbajtur masat dhe mbi ato bëri një tjetër. Ama, të gjithë bënë një javë pushim, prej meje.

Para disa ditësh, Donald Kokona, që ka luajtur tek “Taulanti kërkon një motër”, tregoi në një emision se Yllka Mujo i ka dhënë ca shpulla të mira që ai të qante. Edhe ti i ke ca skena me të qarë…

Ai ka qenë filmi më qaraman për mua. Ai dhe “Një vonesë e vogël”. Po është shumë e çuditshme dhe e shikoj edhe te djali im, prekesha për një fjalë goje. Jo se më bërtiste njeri. Mbase kjo i bëri përshtypje Xhanos. Isha si tip melankolik. Kurrë nuk më ka ofenduar apo bërtitur njeri. Kur më thoshin qaj, më duheshin vetëm 30 sekonda. Të më thuash tani qaj, gjallë në botë se e bëj dot. Është shumë e çuditshme. Kam qenë fëmijë interesant. E shikoj dhe sot te fëmija im, që është 7-vjeçar. Më ngjan shumë. Në zë, në melankolikën e tij dhe them hë, më bëj baba të të ngjaj.

Që të dukej sikur Viktor Zhusti ishte vërtet babai yt, a krijoi ai ndonjë marrëdhënie të veçantë me ty?

Në fakt, kam qenë i lidhur më shumë me Violetën. Ishte meritë e Xhanos. Ajo më mbajti shumë shumë afër, si fëmijën e saj. U lidha shumë me të. Kur më prezantoi me Violetën me tha: “Genci, (Se Genci më thërriste gjithmonë, asnjëherë Genti), kjo është Violeta Deda dhe është mamaja jote në film. Po unë dua që ti ta thërrasësh mami”. Kurse me Viktorin nuk kam qenë shumë i lidhur, me thënë të drejtën. Viktori kishte atë profesionalizmin e tij. Xhanoja m’u lut t`i thoja babi edhe atij. Unë ia bëra qejfin, i thashë, por ai më shikonte pak ndryshe. “Kujt i thua babi ti more?”, më thoshte ndonjëherë. Xhanoja e vuri re ftohtësinë e tij dhe pastaj ai më bëri një xhiro me motor dhe më përkëdheli. Aty filluam të afroheshim.

Edhe në fabulën e filmit, aq shumë fëmijë bashkë mund të sajojnë veç rrëmujë. Po në sheshxhirim çfarë bëhej me gjithë ata fëmijë?

Kishim kujdestare që kujdesej. Po mbaj mend që kishte vështirësi. Ne s`dimin as të lexonim. Mbaj mend se Xhanos i duhej të na lexonte gjithë pjesët dhe na i thoshte ajo çfarë duhej të flisnim dhe intonacionin se si duhej ta bënim. Mbaj mend edhe një bisedë me Violetën. Siç e thashë, isha vërtetë shumë i lidhur. Aq sa njëherë mbaj mend që i thashë: “Ju jeni burrë e grua në film? Po atëherë përse nuk flini bashkë në një dhomë? Jeni prindërit e mi”.

Një film që xhirohej mbi një film, çfarë kuptoje ti nga ajo fabul? Si ta shpjeguan?

Ky film është me fëmijë po s`është për fëmijë. Unë habitesha pse njëherë vishesha me rroba të mira, pastaj me të vjetra. E dija që po bënim një film, po kaq. Nuk na e shpjeguan fabulën. Ne ishim fëmijë, ishim robotë. Na shpjegonin vetëm skenën, e dija që do qaja dhe çfarë do flisja. Të gjitha i bëja vetëm se donte Xhanoja. Skena e shpullës, për shembull: Unë s`kam qenë në prova. Kurse në xhirime regjisorja më tha thjesht rri këtu dhe shiko këta. Unë thjesht u shtanga kur pashë që Viktori i gjuajti me shpullë. Ndaj shtangia ime ishte kaq reale.

Pas “Kur xhirohej një film”, ishte radha e “Një vonesë e vogël”. Rrjedhojë e suksesit të filmit të parë?

Kam bërë filma të tjerë para “Një vonesë e vogël”. “Thesari”, ku kam qenë fëmija i një peshkatari. Pas këtij erdhi “Një vonesë e vogël”. Xhanoja më donte për një film tjetër, por unë isha i angazhuar me “Thesarin”. Në atë kohë regjisorët vinin të merrnin se thoshin, ah po ky ka bërë një film.

Dhe pastaj nuk të pamë më. Çfarë ndodhi? Nuk ishte dëshira jote që të bëheshe aktor. Kështu vendosën prindërit? Nuk pate më asnjë kërkesë tjetër?

Me këto angazhime u mësova pak keq. Mbeta mbrapa me shkollën. Megjithëse e kishte një të mirë dhe kjo. Se shokët më shikonin me zili, si çunin e Kinostudios që i vinte makina te dera e shkollës, e merrte për të lënë orët e mësimit, që njëherë i bëja në Durrës, njëherë në Pogradec…

Pas filmit të fundit “Pranverë e hidhur”, të xhiruar në Durrës, do luaja te “Flutura në kabinën time”. Por prindërit thanë, jo. Pasi u konsultuan edhe me Xhanon, ajo i tha të fokusohesha te shkolla, sepse kisha mbetur mbrapa. Pastaj në gjimnaz jam marrë me trupën e teatrit. Kam luajtur “Kopracin”. Edhe në vit të dytë kam luajtur. Pastaj ndihmoja studentët kur konkurronin në Akademinë e Artit. Aty njoha dhe Bujar Alimanin, me të cilin kam bashkëpunuar edhe sot.

Të ka mbetur peng që ca hapa aq të suksesshëm ngelën me aq dhe ne patëm një aktor më pak në Shqipëri?

Nuk e kam shumë pishman. Unë konkurrova dy herë për dramë. Kam shkuar tre herë. Njëherë ndihmova një mikun tim. Në juri ishte Timo Flloko, i cili më njihte, se kishim luajtur film bashkë. Më tha që se kisha emrin, ndaj pse kisha shkuar? Unë isha në vit të katërt. I thashë se kisha shkuar për një shok, por vitin tjetër do shkoja për vete. Por vitin tjetër ishte Birçe Hasko në juri, nuk ishte Timo. Ata nuk më pranuan. Arsyeja që nxorën ishte se unë nuk mbushja skenën, duke qenë se isha i dobët. Kurse herën e dytë hyra i demoralizuar. Kisha filluar të doja largimin nga Shqipëria.

Herën e dytë të konkurrimit isha me Romir Zallën në dialog. Ai konkurroi edhe për vete. Romiri e fitoi, unë jo.

Me një kërkim të thjeshtë në faqen tënde të Facebook-ut zbuluam se ndodhesh në Amerikë. Por para se të vijmë këtu ne duam të dimë, çfarë bëre ti deri para se të lije përfundimisht Shqipërinë?

Unë punova me mamanë time në lokal, si banakier. Se me privatizimet, puna u shtua. Mamaja ishte banakiere. Më pas më doli mundësia për t`u larguar me anën e një organizate që ofronte binjakëzime. 1000 dollarë kam paguar, siç bëhen këto gjëra, për të marrë një vizë për në Amerikë.

Dhe tani a mund të na tregosh në vija të trasha për jetën tënde të tanishme?

Fillimisht punova në ndërtim, në të zezë. Derisa u njoha me bashkëshorten, me Shpresën, ajo kishte ardhur me Green Card dhe i mora dokumentat me bashkim familjar. Kurse jeta e tanishme është shumë e larmishme. Kam dy djem. Njëri shtatë dhe tjetri një vjeç. Kurse nga ana profesionale jam IT, merrem me kompjuterat. Nga ana artistike akoma angazhohem. Se si diasporë, kemi organizime. Me Bujar Alimanin kemi bërë filma dhe kemi ende disa në projekte, por për mungesë fondesh kanë mbetur. Plus pastaj kam marrë pjesë dhe në filma kosto të ulët dhe kam pasur disa role.

——————————

Lexo edhe:

Pengu i Nënë Terezës: “Kush e di në do të lexoj e shkruaj më poezi”

ObserverKult