Qytetit të Durrësit i është shtuar një mozaik i rrallë antik. Duke hapur themelet për rindërtimin e shkollës së mesme “Gjergj Kastrioti” doli në dritë një pjesë mozaiku.
“Menjëherë filloi puna për zbulimin e plotë të atij që nesër mund të jetë një sit i ri arkeologjik i Durrësit”, shkroi në rrjetet sociale, kryebashkiakja e Durrësit, Emiriana Sako. Ajo ndoqi nga afër punimet bashkë me Ministren e Kulturës, Elva Margariti. Bashke me ta ishin edhe arkeologun e njohur prof. dr. Luan Përzhita, përfaqësues të UNDP dhe të Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore.
Sipas arkeologut prof. dr. Luan Përzhita i cili drejton punën për këtë zbulim arkeologjik ky është një mozaik mjaft i rrallë jo vetëm për Shqipërinë por për të gjithë rajonin e Ballkanit.
Ky mozaik, i përbërë nga gurë ngjyrë blu të errët dhe të bardhë ku paraqiten figura gjeometrike dhe floreale, i përket fundit të shekullit të I dhe fillimit të shekullit të II. Është pjesë e një vile luksoze që ndodhej pranë amfiteatrit të Durrësit.
Deri tani janë zbuluar disa pjesë të këtij mozaiku. Mendohet që në tërësi të ketë një sipërfaqe rreth 60 metër katror. Aty është zbuluar edhe një pjesë muri 3 metër e lartë në anën lindore si dhe disa objekte të tjera. Punimet në këtë mozaik janë kryer me një nivel mjaft të lartë profesional.
Ky është një zbulim mjaft i rrallë arkeologjik që i shtohet trashëgimisë së jashtëzakonshme kulturore të Durrësit. Puna e arkeologëve do të vijojë deri në zbulimin e plotë të të gjithë objekteve arkeologjike në këtë zonë.
ObserverKult
Lexo edhe: