(Miguel de Unamuno “Dashuri dhe Pedagogji”, përkthyer nga Orjela Stafasani, Dukagjini, 2023)
Titulli i romanit të Unamunos “Dashuri dhe Pedagogji”, në gjysmën e parë përmbledh thelbin e dëshirave të njeriut, në gjysmën e dytë detyrimet. Pjesa e parë tingëllon bukur, e dyta disiplinshëm. Titulli i tillë është tërheqës dhe vetvetiu e ndan librin në dysh, por jo nga ana formale.
Nga Gëzim Aliu
Të flasim pra fillimisht për anën formale të jashtme. Libri ndahet në tri pjesë. Prologu, Epilogu dhe Shënime për një traktat të kokotologjisë janë rrethues, gardh i romanit, i pjesës qendrore, që përbëhet nga pesëmbëdhjetë kapituj. Romani do të mund të funksiononte fare mirë edhe pa gardhin autorial, ndoshta edhe më mirë madje, madje vetë Unamuno e di këtë. Por, ai e rrethon romanin me këto pjesët anësore për të dhënë një varg efektesh në storie, në ide, në procesin e të krijuarit, në formë, në ndërtimin e karaktereve, në mendimet e shprehura. Kur të gjitha pjesët shkrihen mirë e mirë në tërësi, romani del në sipërfaqe dhe i kushtohet lexuesit. Por, jo secili që lexon është lexues. Shumica do të kënaqen me romanin, një pjesë e vogël do t’i kenë parasysh edhe artificet anësore, e disa do ta kuptojnë se pa këtë mënyrë të krijuari, “Dashuri e Pedagogji” nuk do të ishte romani që është.
Prologu është hyrje ironike e satirike në roman. Duke përdorur vetën e tretë shumës, autori flet për veten, për të tjerët, për procesin krijues, stilin e shumëçka. Nuk është ndonjë prolog shumë sqarues. Duhet kapur për hijet e fjalëve për të marrë vesh sadopak se për çfarë mund të bëhet fjalë në kapitujt pasues të librit që autori e quan gabim fatkeq, por që megjithatë ia vlen t’i kushtohet vëmendje e kujdesshme. Taktika e tillë e të folurit për veten nga pozita e tjetërkujt, i funksionon, sepse e zgjon kureshtjen për lexim të mëtutjeshëm.
Epilogu, ndërkaq, është letrarizim i kontekstit të botimit të librit, që lidhet me botuesit, të cilët kërkojnë numër të caktuar faqesh. Kjo çështja e numrit të faqeve përmendet në prolog e trajtohet edhe në epilog. Si në fillim të librit, edhe në fund, ironia e satira dalin në pah, sidomos kur, për të fryrë faqet e kërkuara, autori përsiat për marrëdhënien mes artit dhe tregtisë. Mendimet e autorit për artin janë të frymëzuara nga njëri prej personazheve të romanit të tij, filozofi don Fulhensio. Përveç eseizmit që e përbën pothuajse në tërësi Epilogun, kemi edhe atë që do ta quaja pas-Histori. Romani përfundon, lexuesit edhe mund të mos i interesojë çfarë do të mundë të ndodhte më tutje, është shthurur storia, por autori, duke e përfillur mënyrën e vet të të krijuarit, na jep disa të dhëna të shkurtra për pas-Historinë. Ndërprerjen e pas-Historisë e bën përmes kthimit në letrarizimin e kontekstit të botimit të librit: Ai e dërgon një letër në Barcelonë lidhur me numrin e faqeve.
Ndërkaq, pjesa “Shënime për një traktat të kokotologjisë”, është, si të thuash, një trajektore diskursive për çështjen si bëhet një zog nga letra, por që çon në idenë e dizajnimit të botës nga Autori suprem. Ideja e dizajnimit nuk e paraqet patjetër bindjen autoriale, sepse përmendet po ashtu edhe darvinizmi, pra zhvillimi evolutiv i specieve bimore e shtazore nga format më të thjeshta e më të papërsosura te ato më të ndërlikuara e më të përsosura. Duket që këtë pjesë, këtë traktat të personazhit të vet, Fulhensios, autori e ka bërë për ta sfiduar paksa atë lexuesin të cilit ia dedikon në fillim këtë libër, por edhe për të shprehur ide të caktuara kundërshtare me njëra-tjetrën lidhur me çështjen e origjinës dhe zhvillimit të jetës.
Të flasim edhe për romanin (kapitujt brenda gardhit).
Dashuria! Çka është dashuria? A mund ta bëjmë këtë pyetje? Ne njerëzit mund t’i bëjmë të gjitha pyetjet. E si do të përgjigjeshim pra në pyetjen se çka është dashuria. Në çastin që fillojmë të japim përgjigje, dalim te pedagogjia, në të vërtetë, te shkenca, te shpjegimi i botës, te meraku për të kuptuar gjithçka ndodh brenda nesh, përreth, në gjithësi. Të gjithë e dimë çka është dashuria, por, kur përpiqemi të japim përgjigje gjuhësore, disi ngecim. Gjuha e vetme e saktë e dashurisë është ndjenja. Dhe, Unamuno e di këtë.
Por, autori e di po ashtu që njeriu nuk është vetëm ndjenjë. Është edhe arsye.
“Dashuri dhe Pedagogji” është roman për dashurinë, për ndjenjën, për trupin që përpiqemi ta shndërrojmë në ide, në koncept, në shkencë. Trupin që prapë na ikën dhe zhytet në lëngun natyror të Dashurisë.
Kjo zhytje i ndodh pa dashje e pa plan edhe Avito Karraskalit. Synon të “prodhojë” një gjeni me një grua të përzgjedhur shkencërisht, por dashurohet fort në një tjetër grua, trupi e truri nuk e pyesin, ai nuk arrin të bëjë asgjë ndaj këtij “determinizmi” ndjenjor.
“Gjeniu i ardhshëm”, Apolodoro, lind nga bashkimi i Formës me Materien. I ati përpiqet ta rrisë me shkencë, por i riu, posa e ndien veten gjallë, rrëshqet e zhytet në dashuri. Mjetet shkencore të ofruara nga i ati nuk i bëjnë punë për ta bërë Klaritën për vete. Dashuria do natyrshmëri, këmbëngulje, ndjenja e emocione të shprehura. Apolodoro, të cilin e ëma, tinës të shoqit, e quan Luis, është gjymtuar nga imponimi i shkencës, prandaj dështon.
Madje, edhe filozofi, don Fuhlensio, i cili teorizon marramendshëm për shumëçka, është i zhytur në dashurinë ndaj së shoqes, Edelmiras.
Pra, të gjithë personazhet janë të dashuruar.
Mund të thuhet se, në fund, dashuria e mund pedagogjinë në këtë roman. Por me një çmim të madh.
Romani është komik, por përfundon tragjikisht.
Përfundon tragjikisht për arsye se dashuria ngufatet nga pedagogjia. Dashuria nuk është vetëm ndjenjë dhe emocion, por nuk është as mjet për të realizuar qëllime. Është edhe histori, është edhe marrëdhënie, është edhe raport, është edhe mendim, edhe kënaqësi, madje edhe qetësi pas shqetësisë. Dashuria nuk është vetjakësi. Nuk duhet të jetë. Tjetri nuk është lënda përmes së cilës përpiqesh t’i realizosh qëllimet. Avitoja dashurohet në Marinën pa e ditur pse, në fund të fundit pse ka nevojë ta dijë?!, por nuk heq dorë nga qëllimi i prodhimit të gjeniut të ardhshëm të njerëzimit. Çfarë dashurie është kjo?! Ta projektosh tjetrën si objekt për t’i realizuar qëllimet tuaja?! Unamuno e sulmon pikërisht këtë trajtë dashurie, që në të vërtetë nuk është dashuri.
Apolodoro, ndryshe nga i ati, nuk ka kurrfarë qëllimi, ai është thjesht i dashuruar, por nuk e di si t’ia bëjë për ta fituar tërësisht zemrën e Klaritës, atij i ka humbur natyrshmëria e të rriturit normalisht. E shkruan dhe e boton një roman të vogël, i dështon tërësisht, përpiqet të kundërshtojë Federikon, konkurrentin, nuk ka guxim; akti i tij i poshtërimit të shërbëtores, Petras, është njëherazi edhe vazhdimësi e gjenit të tij sipas këshillave (herostratike) të filozofit don Fulhensios që të bëjë fëmijë për të gjetur përjetësi, por edhe kapaku i jetës së tij të programuar pa sukses nga i ati: ai e vret veten. Një varg gjërash e ndodhish lidhen dhe e çojnë në fundin tragjik. Fundi tragjik nuk mund të mos ndodhë dhe këtë e pohon edhe vetë autori në Epilog, për shkak se njeriu nuk mund të rritet, të edukohet, të shkollohet, të bëhet vetëm me instrumente shkencore, pedagogjike. Dashuria e nënës, Marinës, pra Materies, ndaj fëmijëve, është e madhe, por Avito, pra Forma, lejon fare pak ndikim të saj. Të rritur me dashuri shumë të kufizuar amënore, Roza e vogël vdes, Apolodoro vret veten. Lexuesi, kur Avitoja gjunjëzohet bashkë me Marinën dhe luten, do të mendojë se ky njeri i çuditshëm është penduar për imponimin e pedagogjisë së tij. Por, jo. Posa merr vesh se Petra mban fëmijën e djalit të tij, nipin pra, fillon të bëjë plane për gjeniun e ardhshëm të njerëzimit.
Avitoja është viktimë e shkencës. Në fakt, e keqkuptimit të shkencës. Shkenca vetvetiu nuk bën kurrë dëme. Keqkuptimi dhe keqpërdorimi i saj bëjnë. Për shembull, shpikja e bombës atomike. Besimi absolut në shkencën si mrekullibërëse është i njëjtë me besimin në një perëndi mrekullibërëse. Avitoja është besimtar i shkencës, prandaj edhe fanatik, rrjedhimisht edhe shkatërrues i jetës së vet, jetës së gruas dhe jetës së fëmijëve të vet. Ky personazh shfaqet shkurtimisht edhe te romani tjetër i Unamunos “Mjegull”, i cili shkon në kishë e lutet, edhe pse nuk e di a beson a jo. Duket sikur ka kaluar nga një ekstrem në tjetrin, për shkak të dështimit të tij për ta kuptuar jetën e vërtetë, jashtë teorizimeve.
Romani ndërtohet përmes një rrëfimi dinamik, që të përfshin. Përshkrimet janë më të rralla, por janë gdhendje të bukura ambientesh, hapësirash, fytyrash. Si për ironi, stili duket paksa shkencor, kemi fjali të qarta, përgjithësisht të shkurtra, veçanti është përdorimi i kohës së tashme, jo edhe aq e lehtë për rrëfimin që e do dhe e kërkon të kryerën e thjeshtë ose të pakryerën. Nëpër tërë romanin hasim në dialogë, që të nxitin ta imagjinosh historinë si të ndodhur në një skenë teatri.
Mendoj se pika më e fortë e romanit janë personazhet-ide. Personazhet e këtij romani përfaqësojnë ide autoriale të disa këndeve e pikëvështrimeve, por janë të shkrira mirë në rrëfim, janë të lidhura me veprimin, prandaj nuk bezdisin. Mjeshtëria e autorit është se arrin të jetë prapa të gjithëve, pa u hetuar haptazi dhe kjo është arritje e madhe, që romanin e bën vepër të rëndësishme letrare, eseistike, filozofike, sociologjike.
Unamuno shkruan për botën e gjysmave të domosdoshme. Mirëpo, nuk duhet menduar se gjysmat janë vetëm ato të dyja që përmenda në fillim, që i ka edhe titulli i këtij romani, dashuria dhe pedagogjia. Ironia e katrorëve dhe e trekëndëshave në pjesën e fundit të librit, që përdoren për ta krijuar një zog letre, shpërfaq një ide fluturuese, të përjetshme, jo vetëm të Unamunos: tërësia krijohet nga pjesët, pjesët pa tërësinë mund të shndërrohen në asgjë, por shpesh në asgjë të dëmshme. Po humbi baraspesha e njërës ndaj tjetrës, bota çrregullohet. Çrregullime ndodhin çdo sekondë, minutë, orë, ditë, vite e shekuj. Çrregullimet prodhojnë ngjarje. Ngjarjet mund të krijojnë storie. E storiet edhe romane të bukura. Kjo botë është paradoks i madh.
Pra, bota jonë është botë e gjysmave të domosdoshme që janë të pafund e në dridhje të vazhdueshme për të bërë dashuri e për të krijuar jetë.
Ne jetojmë në një botë të tillë dhe e ndiejmë çdo çast këtë dridhje universale.
ObserverKult