Gëzuar dhe mos harro çfarë mbjellim do korrim!

Nga Ermira Ymeraj

Po e lamë dhe nji vit, e tash le të turrena me uru njani-tjetrin për nji vit të mbarë në gojë të ujkut. Mbasi lypet të harrojmë që s’besum, që u lajthitëm përditë nga pak prej gojës së ligë që s’frenohet.

Epo një vit të mbarë, ti njeri që rend në këtë hapësirën time të mbushur me rrena të reja për çdo gja fisnike.

Të harrume për shumë vjet, ty idealist i zvetnum në botën e sipërfaqësisë.

Gëzuar, ti maskë e dhjamur që let me shpirtin fisnik aq shumë, sa zvoglue ja ke rrezen e dritës.

Gëzuar dhe ti Tjetërsim, që si pishtar mbretnon në këtë kohë.

Të harrume për shumë vjet tanë prometeve të dijes, drejtësisë e sakrificës jena në shekullin e judave.

Syve të butë e të ktjelltë u uroj të rrinë peng të njani tjetrit e të rujnë vetveten, se edhe kështu do mbesin gjatë peng e borxh i mbijetesës, bri syve hipokritë e djallëzorë.

Të harrume, dhe për shumë ju shpirtra të bukur, që rrekeni të gdhendni mirësinë.

Gëzuar, jetë e acartë, me qënie të paskrupullta që shtireni si identitete të njerëzisë.

Gëzuar kolegë, që lejojmë të përdhosemi e të heshtim, duke kyç ndërgjegjshëm veten tonë përballë injorancës në maxhorancë.

Gëzuar dhe ti sistem që po kultivon antivlerën si sukses, aq shumë sa gëzuar vërtet, se tani ke bindur kaq shumë këtë kohë sa bishti mendon se është kokë dhe koka bisht.
Vlera ulëret e sëmuret çdo ditë teksa sheh se atje lart, si përherë, si dje, si sot kemi bërë goxha përparim: “urtinë e quajmë krim”.

Tani i dashur koleg, këtë vit le t’i përvishemi dijes ta zhdëpim në dru ta ngelim në klasë se po i bën hije padijes turp për sojin e saj.

Padije, gëzuar e dashur, për mendjen, zemrën dhe shpirtin tënd që pishtar po i bëhesh vendit tim të bukur.

Urime për harbimin tand të furishëm në çdo kënd të dijes, urime për tanë pozat e format e shfaqjes që na i shtron si alternativë.

Gëzuar koleg, për rrjedhjen e trunit, asht koha ma e mirë për të kuptu se asgjë nuk ka ndryshu thjesht thelbësisht do jemi pa tru.

Gëzuar ti krijesë e re amorfe që do jesh në krye të detyrës, nadja e mirë horr, edhe ti sekser.

Gëzuar, uroj që këtë vit nëpërkëmbjen e vlerës ta nderojmë me çmim, moralizmat t’i heqim nga fjalori.

Këtë vit le të gëzojmë për kushtetutën e re atë të cënimit të drejtës së tjetrit e nëpërkëmbjes së të drejtit. E mira të shpallet e papërshtatshme të studiohet si arkaizëm. Ndërsa të lutemi përballë shtatoreve të qenieve pa formë. E padenja të jetë kodi i respektit.

Librat të ndryshojnë, kushtetuta të ndryshojë.
Gëzuar koleg, është kohë e bukur kjo koha e çakërdisjes.
Gëzuar dhe mos harro çfarë mbjellim do korrim.


ObserverKult