Giacomo Leopardi: Estetika e vdekjes

giacomo leopardi

Nga Zija Vukaj

Xhakomo Leopardi (Giacomo Leopardi) përmbledh në një lidhje intime dashurinë, bukurinë, vdekjen: është kjo një nga veçoritë më karakteristike të poetit, të cilin Alfred de Myse e përshëndet me emrin “sombre amant de la Mort” (dashnori i zymtë i Vdekjes).

Dy gjëra të bukura ka bota:
Dashuri e vdekje,
Thotë Konsalvi: dhe
Vëllezër, njëkohësisht, Dashuri e Vdekje.
Do të ngjallin të ardhmen.
Gjëra kaq të bukura këtu poshtë
Të tjera bota nuk ka, as qielli nuk i ka,
thotë poeti në këngën që titullohet pikërisht “Dashuri dhe Vdekje”; në të cilën tri gjëra janë të denja për një shënim të veçantë: një farë personifikimi dhe figuracioni i vdekjes; një shoqërim i vdekjes me dashurinë; një dëshirë e fortë për vdekjen.


Vdekja është
Vogëlushja bukuroshe
E ëmbël në të parë, jo ashtu si
E pikturojnë burracakët;
Dhe është gjenialitet hyjnor e bamirës
Që çdo dhembje të madhe
Çdo zezonë asgjëson,


Dhe veç ajo e dhembshura e mundimeve tokësore. Prandaj të vdesësh s’është dhimbje, por ëmbëlsi, siç njofton tashmë poeti tek “Kujtimet” dhe siç do ta thotë në mënyrë më shprehëse tek “Dialogu i Federik Ruysch” dhe tek “Mumiet” (prozat) e tij. Njeriu me shpirt të lartë që ndjen mirësinë të vdesë, nga vdekja nuk ka neveri, por përkul i përgjumur fytyrën në gjirin e vogëlushes së virgjër bukuroshe. Dhe vdekja është i vetmi qëllim i qenies.
Ky figuracion i vdekjes nuk është i ri. Grekët përfytyruan një Vdekje motër të Gjumit (pikërisht vëlla, siç e sillte gjuha e tyre); dhe të dy binjakët paraqiteshin nganjëherë në prehrin e Natës, nënës së tyre të përbashkët; dhe Vdekjen e paraqitën shumë të ngjashme me Gjumin, në dukjen e një djali gjenial me krahë, me një pishtar të përmbysur në njërën dorë dhe një kurorë lulesh në tjetrën.

ObserverKult

Lexo edhe:

PËR SHKAK TË PËRQENDRIMIT TE DHIMBJA, SHUMICA NUK E KANË HASUR KËTË GJË TE…