Gioconda Belli: Jam gruaja që mendon

Jam e gjallë
si frut i arrirë,
zonja e dimrave dhe verëstinëve,
gjyshja e zogjve,
vegjëtare e erës së lundrimit.
Kurrë nuk është zbutur
zemra ime
dhe, si fëmijë, unë ende dridhem kur bie mbrëmja,
e blerta më lëbyr sytë,
dhe marimbat
e zhurma e shiut
bëhen një me barkun tim të lagur,
kur gjithçka bëhet më e ëmbël dhe më e ndritshme.
Rritem dhe nuk mësoj të rritem,
nuk zhgënjehem,
as nuk bëhem ajo gruaja e mbështjellë me vello
dyshuese për gjithçka duke vajtuar veten.
Jo, sytë e mi, riçelin çdo ditë në mrekullinë
e tokës së sapolindur,
këngën e popujve,
krahun e punëtorit që ndërton,
shitëses me mizërinë e saj të fëmijëve,
vogëlushëve të hareshëm që marshojnë për në shkollë.
Po,
është e vërtetë, ndonjëherë jam e trishtë
dhe dal udhëve
e lirshme si floket e mi
dhe qaj për gjërat më të ëmbla dhe më të buta
e vjel kujtimet
që grafullojnë mbi kockat e mia,
jam një spirale e pafund që përdridhet
midis diejve dhe hënave,
duke përparuar mes ditëve
e zhbllokuar kohën
me paturpësi apo me frikën,
duke zhveshur yjet,
për t’u ngjitur edhe më lart, më lart,
në gjueti të ajrit,
duke shijuar qenien që më përkrah,
në valën e përjetshme
të baticave e zbaticave
që zhvendosin universin
dhe ngallit rrotullimet unazore të tokës.
Jam gruaja që mendon.
Një ditë
sytë e mi
do të ndezin xixëllonjat.

Shqipëroi: Rielna Paja