reklamë

Giovanni Mele, ipeshkvi i Ungrës që ruajti dhe kultivoi gjuhën arbëreshe

Më 10 mars 1919, Imzot Giovanni Mele, një nga figurat më të rëndësishme arbereshe, u emërua ipeshkëv i Ungrës.

Giovanni Mele ishte një nga patriotët që kontribuan në ruajtjen dhe kultivimin e gjuhës arbëreshe ne Itali.

Imzot Mele lindi në fshatin arbëresh Firmoza (Acquaformoza) më 19 tetor 1885. Mësimet e para i mori në Cassano, më vonë në Kolegjin Grek në Romë. Shugurohet meshtar më 7 qershor 1908. Gjatë viteve 1908 – 1913 ishte famullitar në Çifti (Civita), pastaj në Ungra (Lungro) në vitet 1913 – 1919. Emërohet ipeshkëv – epark më 10 mars 1919.

Gjatë shërbimit të tij të gjatë dhe besnik baritor, dallohej në zell, përkushtim dhe kujdes atëror. Në vitin 1922, pasi kishte vizituar të gjitha famullitë, shkroi “Letrën baritore”, ku kishte theksuar sidomos dy gjëra: Ruajtjen dhe kultivimin e traditës dhe të ritit greko-bizantin (lindor) dhe arbërishte-shqipe. Ai ishte edhe shkrimtar, poet, njeri i kulturës dhe krijimtarisë. U nda nga kjo jetë më 25 qershor 1979.

Ishte papa Benedikti XV ai që më 13 shkurt 1919 themeloi ipeshkvinë – eparkinë lindore të ritit grek – bizantin , duke ndarë klerin dhe besimtarët nga ipeshkvijtë perëndimore italiane.

Në dokumentin e papës shkruhej: “Besimtarët katolikë të ritit grek, banorë të Epirit dhe të Shqipërisë, duke u larguar në një numër të madh nga sundimi turk, kanë emigruar në Italinë e afërt, ku janë pranuar me dashuri dhe janë vendosur në krahinën e Kalabrisë dhe të Sicilisë, duke ruajtur, siç është e drejtë, traditat dhe institucionet, ritin e Kishës së tyre, si dhe të gjitha ligjet tjera zakonore që i kanë pranuar nga paraardhësit e tyre, dhe që gjatë shumë shekujve i kanë ruajtur me kujdes dhe dashuri…”/atsh

ObserverKult


Lexo edhe:

I shëmtuar dhe i tallur/ Rrugëtimi jetësor i Chuck Norrisit