Gjama e Burrave, zakoni unik i malësorëve të veriut

Veriu njihet për ruajtjen e traditave dhe zakoneve brez pas brezi, pra edhe Gjama e Burrave, mbijetoi atje.

Studiuesja Edit’h Durham, ishte e dashuruar me alpet shqiptare.
Në librin e saj për Ballkanin shkruante:
Shqipëria e vertetë, e pa ndikuar nga asnjë kulturë apo pushtues i huaj, gjendet vetëm në malësitë e Dukagjinit.

Në këto zona, mund të përballesh edhe sot me zakone që janë trashëguar që përpara lindjes së Gjergj Kastriot Skenderbeut. Disa prej tyre janë edhe me origjinë pagane. E tillë është Gjama e Burrave.

Një rit vdekjeje që bëhet për të nderuar një burrë që ka ndërruar jetë dhe ku vajtojnë vetëm meshkujt.

Thuhet se u Gjama e Burrave u bë pjesë e pandarë e shqiptarëve në momentin kur vdiq Gjergj Kastriot Skenderbeu.

Në atë kohë ishte miku i tij i madh, Lekë Dukagjini i cili nga dhimbja filloi të vajtonte.
Godiste veten dhe gërvishtte me thonj fytyrën.

Që prej asaj kohe, Gjama e Burrave, u bë tradite, kryesisht për Dukagjinin dhe Nikaj – Merturin por edhe Mirditën apo Gjakovën.

Por si organizohej Gjama e Burrave dhe kush merrte pjesë ?

Ded Kola, një burrë i njohur në zonën e Nikaj – Merturit, tregon më shumë detaje rreth kësaj tradite të hershme.

85 vjeçari thotë se gjama i bëhëj vetëm burrave të shquar, me nder dhe prijësve të dalluar. Jo gjithkush meriton të percillet me të tilla nderime:

“Gjama e Burrave daton shumë herët dhe kohën e saktë nuk e di askush. Thuhet se gjama e mirëfilltë i është bërë Gjergjit (Kastriot Skenderbeut) nga Leka i Madh.

Unë kam marrë pjesë në shume ceremoni të tilla dhe është nder për ta përcjellë burrin siç e meriton.
Ashtu kam dëshirë edhe une dhe e kam lënë amanet tek djemtë, që të percillem kur të vdes me Gjamë Burrash.

Zakonisht ishim dhjetë burra që merrnim pjesë në gjamë që ishim të fortë, kishim eksperiencë dhe zë të fuqishëm.
Eksperienca ishte shume e rëndësishme në ato raste pasi burri nuk duhet të gabonte në asnjë levizje apo britëm.

Kur kishte edhe me shumë se 10 burra ishte edhe më mirë pasi ishte respekt për të vdekurin”.

Pal Gjeloshi është një tjetër malësor, 79 vjeçar nga Shoshi, tregon :

“Fillimisht burrat rreshtoheshin në vijë të drejtë dhe me një distancë të largët nga arkivoli.

Të gjithë njerëzit largoheshin për të na lënë vendin bosh ne.
Prijësi ishte më i rëndësishmi. Unë kam patur fatin e madh të njoh dhe të jem mik i burrave të medhenj e me zë në të gjithë malësinë. Mik i Mark Mitri, Gjelosh Kola,Sokol Delia, Pjeter Ndou, Qerim Delia apo Kukel Ndou.

Kryesisht një prej tyre ishte prijës pasi ishin më të vjeter.

Gjama e Burrave bëhej kështu:

Nën drejtimin e prijësit, grupi kryente njëherësh një përkulje mbi gjuj me duar ne mes nga e djathta në të majtë.
Më pas të gjithë burrat vijonin me britmën :’au’, ‘eu’, ‘heu’, ‘ou’, ‘hou’.
Britma që shprehnin dhimbjen e madhe. Ato dilnin nga shpirti pasi në të vertetë kishim dashuri të vertetë për njeri tjetrin.

Varfëria të miqëson më shumë dhe ne ishim të gjithë bashkë.
Pasi përfundonin thirrjet e para, të gjithë drejtonin trupin. Pastaj kryhej rrotullimi i vrullshëm trupor duke u bërë gati për një tjetër britme më të fuqishmë:
‘O i mjeri u per ty’.

Britma përseritej 9 herë dhe vazhdohej me vetëgjymtimin:

Grushtimit e gjoksit, gërvishtja e fytyrës me thonj dhe në fund përulja ma gjunjë para të vdekurit”

Pak minuta, pasi burrat ishin në gjunj përpara të vdekurit dhe po lëshonin britma dhimbjeje. Disa burra të tjerë që nuk ishin pjesë e gjamës, afroheshin duke i tërhequr fort ata, derisa të largoheshin nga kufoma.

Më pas, burrat ktheheshin në gjëndje normale dhe me fytyrë të gërvishtur i jepnin dorën familjarëve. Shprehnin ngushëllimet e tyre.

Në Dukagjin, Nikaj – Mërtur, Mirëditë apo në Iballe të Pukës, në këto raste thuheshin fjalë ngushëllimi si:
“Zoti ju forcoftë”, “Paçi Baftin” ( Ju pastë lënë vetem të mira), “Paste Dritë”.

Gjama e Burrave u ndërpre nga komunizmi që në vitet 1960 dhe ishte e ndaluar praktikimi i të tilla riteve.

“Diku nga vitet 1960 u ndërpre gjama dhe me sa mbaj mend unë, e fundit ishte në fshatin Peraj. Gjatë komunizmit nuk u zhvillua dhe nuk mund të bëhej në fshehtësi . Kjo pasi kur bërtisnin burrat, zëri i tyre degjohej edhe disa fshatra më larg madje edhe në qytet. Në 1990 rikthyem gjamat në Dukagjin, Nikaj – Mërtur, Iballe dhe Mirditë. Burri nuk mund të përcillet për në botën tjetër pa u ndëruar si burrë.”

Sot, Gjama e Burrave është një traditë që po humbet për shkak të ndërrimit të brezave. Gjithsesi ceremoni të tilla vijojnë të organizohen nga familje malësorësh të cilat ende ruajnë me fanatizem traditat dhe zakonet.

ObserverKult


Lexo edhe:

GJAMA E LEKË DUKAGJINIT PRANË SKËNDERBEUT QË KISHTE NDËRRUAR JETË