Gjashtë muajt e gjatë të Princ Vidit: ”Si ma nxiu jetën Shqipëria”

Ishte cilësuar si më i përshtatshmi, për dy arsye: së pari, se ishte protestant, pra nuk i përkiste asnjë feje që ishte në Shqipëria dhe e dyta, ishte gjerman dhe Gjermania, nuk kishte interesa të drejtpërdrejta me Shqipërinë.

Vilhelm Vidi (26 mars 1876 – 18 prill 1945), lindi në Noi Vid të Gjermanisë më 26 mars të vitit 1876. Ai ishte i martuar me princeshën Sofia nga Shënburgu Valdenbergu.

Princ gjerman nga një familje protestante, i caktuar nga Fuqitë e Mëdha europiane në tetor 1913, në krye të shtetit shqiptar. Një dërgatë nga Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit shkoi më 21 Shkurt 1914 në Nojvid (Neuwed), për t’i ofruar zyrtarisht Vilhelm Vidit fronin e Shqipërisë. Vilhelm Vidi erdhi në Shqipëri më 7 Mars 1914, në një situatë të ndërlikuar kombëtare dhe ndërkombëtare.

Gjatë sundimit gjashtëmujor u përpoq të ruante balancën ndërmjet interesave të Fuqive të Mëdha në Shqipëri.

Pas shpërthimit në maj 1914, të Kryengritjes së Shqipërisë së Mesme kundër tij, u detyrua të mbyllej në Durrës, i mbrojtur nga forcat e tij. Me fillimin e luftës I, në gusht 1914, ekuilibri politik ndërmjet Fuqive të Mëdha europiane u prish dhe Vilhelm Vidi humbi mbështetjen ndërkombëtare. Abdikoi formalisht dhe u detyrua të largohej nga Shqipëria, më 3 Shtator 1914.

Princi gjerman Vilhelm Vid, në kujtimet e tij, të botuara për herë të parë në gazetën “Klan”, Tiranë 1999, me titull: ”Si ma nxiu jetën Shqipëria”, për dështimin e misionit të tij në Shqipëri, ka këto ankesa:

– Mungesa e ushtrisë, pra e themelit të çdo vendi…;

– Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit (KNK) përbënte për mua një tjetër qeveri paralele;

– Antagonizmi mes Fuqive të Mëdha ishte fare i hapur. Kjo pengoi edhe caktimin e drejtë të kufijve të Shqipërisë;

– Fqinjtë serbë, malaziasë dhe grekë nuk rreshtnin së sulmuari teritoret e lakmuara prej tyre dhe vazhdonin t’i plaçkisnin ato;

– Përpjekjet e shqiptarëve për t’i dalë zot vendit pengoheshin nga politika e Italisë, Serbisë dhe Greqisë;

– Nga këto interesa lindi edhe kryengritja në Shqipërinë e Mesme;

– Esati (Toptani) tradhtari i Shqipërisë dhe agjent i Italisë, nuk u përzu me kohë, pra para mbërritjes time në vend;

– Xhandarmëria shqiptare ishte tepër e re dhe e vogël, për të mbajtur rendin në vend;

– Territore të tëra të pasura të Shqipërisë, ranë në dorë të Serbisë, Malit të Zi dhe Greqisë;

– Mungonin kushtetuta dhe ligjet, mungonin zyrtarët e arsimuar për të gjitha degët e një administrate të rregullt;

– Mungonin fondet për zhvillimin e bujqësisë dhe të industrisë;

– Mungesa e parave më la pa mundësi për të luftuar me sukses kryengritësit, pas fillimit të luftës (së parë) botërore.

ObserverKult


Lexo edhe:

PRINC VIDI NË SHQIPËRI, SI E KËSHILLONTE FAIK KONICA?

ObserverKult