Prokurorët rumunë njoftuan zbulimin e rreth 200 librave antikë me një vlerë prej më shumë se 2,5 milionë euro, të grabitur në vitin 2017 në një depo në Britaninë e Madhe.
Botimet e para të Galileut dhe Isak Njutonit, një libër i Petrarkës, disa botime të rralla të Dante Aligerit apo dhe 80 skica të piktorit spanjoll Fransisko de Goja ishin vjedhur gjatë një grabitjeje spektakolare natën e 29-30 janarit 2017.
“Grabitësit kishin hyrë nga çatia në një depo në Feltham, pranë Londrës, pa u zbuluar nga detektorët”, theksuan prokurorët.
Ata kërkuan për disa orë mes mijëra librave që do të dërgoheshin në SHBA në pritje të një panairi ndërkombëtar të librit dhe dolën nga e njëjta rrugë, transmeton ‘botasot.info’.
Katër të dyshuar rumunë u arrestuan në qershor 2019 gjatë rreth 30 kontrolleve të shtëpive të kryera në Rumaninë Verilindore, ndërsa dhjetëra të tjerë, kombësitë e të cilëve nuk u bënë të ditura, u arrestuan në Britaninë e Madhe.
“Ky është një sukses i dyfishtë, pasi të dyshuarit u identifikuan dhe u arrestuan dhe thesaret u gjetën para se të hidheshin në shitje”, theksoi Eurojust.