Gjendet i paprekur guri “i shenjtë” që përcaktonte kufijtë e Romës

Po kryenin disa punime në kanalin e ujërave të zeza, si pjesë e projektit të një prej shesheve qendrore të Romës, ai i kushtuar perandorit August, ku ndodhet edhe mauzoleu i tij.

Por mes baltës dhe reperteve të vogla që gjithmonë i dhuron nëntoka e kryeqytetit italian, punonjësit u mahnitën nga dimensionet e një guri që shndriste nga bardhësia e tij. I ngulur aty, pjesërisht i dëmtuar, por ende me shkrime që rikthyen studiuesit 1972 vjet më parë.

As më shumë as më pak, sepse guri ishte vënë aty pikërisht në vitin 49 me urdhër të perandorit Klaudius, me një funksion aq të rëndësishëm sa të shenjtë, në Romën e atëhershme.

Guri përfaqësonte kufirin origjinal të Romës, brenda të cilit secili mund të quhej Civis Romanus, pra qytetarë romakë me anë të gjakut, dhe jo të pushtimeve të njëpasnjëshme që çuan kufijtë e perandorisë deri në Lindjen e Mesme, transmeton ‘a2news.com’.   

Guri, i gjatë 193 centimetra, do të ekspozohet pikërisht në mauzoleun që prej pak kohësh është rihapur për publikun. Në gjithë historinë e arkeologjisë në Romë, vetëm 10 gurë të tillë janë gjetur, i fundit një shekull më parë. Prej tyre, vetëm tre janë gjetur ekzaktësisht në pozicionin origjinal, prandaj arkeologët flasin për një zbulim të jashtëzakonshëm. “Është vullneti i perandorit që na shfaqet pas 2 mijë viteve, i paprekur”, thonë ata.   

LEXO EDHE: A e shkaktoi helmimi nga plumbi rënien e Perandorisë Romake?