Një kritik arti në Hollandë, ka zbuluar një kopje të rrallë të një libri të poetit persian, Hafez. Libri i grabitur, që daton prej shekullit XV, u gjend gjatë një “gare kundër kohës” në disa vende, duke tërhequr edhe vëmendjen e shërbimeve sekrete iraniane.
Vepra, e dekoruar me fletë të arta, me çmim rreth një milionë euro, ishte zhdukur nga koleksioni i një tregtari iranian antikuaresh, i cili jetonte në Gjermani dhe kishte humbur jetën në vitin 2007.
Pas kërkimeve në qarqet nëntokësore, Arthur Brand, i ashtuquajtur “Indiana Jones i botës së artit”, për kërkimet e tij hetimore, arriti të gjente dorëshkrimin e çmuar në një apartament në Amsterdam.
“Ky është një zbulim që do të thotë shumë për mua, sepse është një libër shumë i rëndësishëm”, – ka thënë kritiku i artit.
Bëhet fjalë për një nga kopjet më të vjetra nga librat “Divan”, që sjell së bashku veprat e Hafezit (1315-1390), i cili është një prej poetëve më të njohur mistik persian.
Veprat e tij kanë frymëzuar shumë shkrimtarë perëndimorë, si romancierin gjerman, Gëte dhe shkrimtarin amerikan, Emerson, i cili e quante Hafezin “Princin e poetëve persianë”.
***
“Lëvduar qoftë poezia, Hafizi i dha një dritë hyjnore,
Fjalën e bukur, çiltërsinë, mos i pëlqejë, s’ka njeri!”
Hafizi lindi në shekullin e 14-të në qytetin e Shirazit (1320-1389), që ndodhet në qendër të Iranit.
Që në fëmijëri për shkak ndikimit islam dhe kulturës arabe e cila ishte përhapur në atë periudhë në Iran mësoi gjuhën arabe, më pas mëson dhe Kur’anin përmendësh. Për këtë arsye e quajtën Hafiz. Me rastin e datëlindjes së tij, sot e kësaj dite admiruesit e tij udhëtojnë në qytetin e Shirazit te mazoleumi që i është ngritur, me tetë kolona dhe një kupolë. Poetët nga vendet e tjera të botës vijnë e i thurrin lavde poetike, Hafizit, mbi varrin e tij. Sot në shumë vende të botës organizohen përkujtimore dhe simpoziume në nderim të tij.
Poezitë e Hafizit karakterizohen kryesisht me ndjenja spirituale, moralit, botës së përtejme, misticizmës dhe njohjes së Zotit. Në poezitë e Hafizit nuk mund të vërejmë motive vartësia me botën e këtushme materiale, ai kurrë s’pajtohej që spiritualen poetike ta lente për shkak të lakmisë ndaj pasurisë e të robërohej shpirti i tij artistik ndaj materiales. Për këtë shkak shumë poetë të shquar, dijetarë të mëdhenj dhe poetë idealistë, i pëlqejnë idetë e Hafizit duke i ftuar lexuesit e tyre të qëndrojnë larg materies dhe lidhjes me këtë botë për të forcuar lidhjen me shpirtëroren dhe mistiken./konica