Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët (QSPA), organizon Kuvendin e parë të saj me temën: “Gjendja aktuale e studimeve arbëreshe”.
Kuvendi do të zhvillohet në datat 27-28-29 shtator 2021. Ky tubim mëton të nxjerrë në pah arritjet e deritanishme në lëmitë e ndryshme të studimeve mbi universin arbëresh si në studimet gjuhësore, studimet letrare, etnografike, antropologjike kulturore, të çështjeve juridike që lidhen me statusin aktual të arbërishtes si dhe, të përpunojë një strategji pune të përbashkët me të gjitha forcat studiuese në të gjitha trevat shqipfolëse, por po aq edhe të gjithë albanologëve të huaj që kanë patur e kanë në vëmendjen e tyre çështjen e Arbërisë.
Njëkohësisht, ky Kuvend synon të dalë me një Rezolutë mbi perspektivat e ardhshme të zhvillimit të të gjithë problematikave të sipërpërmendura.
Kuvendi do të ketë të ftuar, kumtues me emër e reputacion të spikatur në mjedisin studimor të këtyre lëmive, nga brenda dhe jashtë Shqipërisë.