Gjergj Jozef Kola: Me kenë shkrimtarë duhet me pasë mbi të gjitha: NJI SHPIRT FISNIK

Gjergj Jozef Kola

REFLEKSIONE JETE – PËR ÇMIMIN E KARRIERËS SI AUTOR ROMANI, DRAMË E POEZI!( Esse)

KARAKTERE, KARAKTERE, VETËM KARAKTERE!

Nga Gjergj Jozef Kola

1.

Krijimi letrar si natyrë në vedi.

Krijuesi artistik, ka në vedi, den schöpferischen Geist, i thonë gjermanisht, e tanë fryma e tij përdoret vetëm për nji qëllim: Me dhanë karakteret në art.

Kjo asht edhe motoja e çdo shkrimtari, e çdo krijuesi letrar. Me kapë karakterin e plotë të personazhit dhe me e dhane atë në atë mënyrë që çdokush me ndeshë njeriun e gjallë të jetës.

Sa ma i gjallë, ma i plotë, ma i fuqishëm ky karakter, aq ma e madhe asht vepra e Autorit.

Në Shqipni gjatë diktaturës, të gjithë e dijmë se kena pasë aktorë të mrekullueshëm, porse autorë shumë të dobët teatri e filmi dhe aktorët kanë pasë fat, sidomos ato të Teatrit, sepse kanë vu në skenë edhe rolet nga gjenitë e botës e kanë shpalosë kështu edhe aktin e tyne krijues, prandaj na ende sot kujtojmë shumë aktorë, porse thuajse asnji autor të diktaturës.

Me kenë shkrimtarë, aktor, kompozitor, poet e krijues duhet me pasë mbi të gjitha: NJI SHPIRT FISNIK!

Berthol Brecht, nji poet i majtë, dramaturgu ma i njoftun gjerman, shkruen: „Takohen nji i vorfën e nji i pasun e kqyrën në sy, në pozicionin e tyne. I thotë i pasuni: pse je i vorfën? Ja kthen i vorfni: Mos me kenë unë i vorfën, nuk je ti i pasun.“

Nëse e kthejmë kët raport majtist të Brechtit në art, na kena simetrinë e tij: „Nëse unë jam i pasun në shpirt e në pendë, kjo vjen ngase përreth ka shpirta të vegjël që më rrethojnë.

Kur jam kenë në Shqipni e kam pa Europën me sytë e saj e njashtu edhe kam shkru e tash që jam në Europë e shof Shqipninë me sytë e saj, asht ky edhe postulati i artë i krijimtarise së karaktereve të mi në dramë e prozë.

2

Si kapet nji karakter e çka asht nji karakter njerëzor që ka në vedi fuqinë shpërthyese thuejse atomike në art?

Karakteri njerëzor, në të vertetë, në natyrën e tij asht i përfunduem si frut. Ai ka në mrendësi nji bërthamë të fortë e përjashta mbulesën e butë. Njeriu i formuem si shpirtnisht ashtu edhe mendërisht e ruen ket formë të përsosun deri në frymën e fundit.

Jeta njerzore si e tillë, vepron në atë mënyrë që disa karaktere e ruejnë deri në fund ket bërthamë të fortë e disa të tjere qullosen, marrin formën që i japin të tjeret e marrin atë formën që bota e quen: karakter i prishun.

Njerëzit me karakter të mirë, të fortë janë edhe ata që shkëlqejne prej pasione të mëdha, prej dashunive të mëdha, ndërsa njerëzit me karaktere të dobëta, janë ato që na kallxojnë greminat e natyrës njerzore.

Askush ma mirë se nji shembull nga jeta nuk e kallxon ket:

3

Karakteret e manipulueme, të qullosuna janë e keqja e njerëzimit!

Kur isha ushtar në Shkodër në vitet 80 ishim nji kompani me shkodranë, të qytetit e të rrethinave. Tre muejt e Karantinës ishim të gjithë miq e shokë të mirë, gati si vëllazën e ndashim gjithçka me njeni-tjetrin, bukën e cigaret. Mbi krye kishim nji oficier e mbi shpatulla nji kapterr.

(Karantina e Koronës e vitit 2020 ka qenë nji Dejavu e vërtetë në kohë e hapsinë për mu e shumë të tjerë që kanë përjetu nji kohë të ngjashme.)

Shumëkush nuk e ka pasë nji kapterr kryederr, pasioni i vetëm i të cilit ka qenë me ta marrë shpirtin. Unë mbaj mend Pashukun, nga zonat rurale, ushtar i vitit të tretë, pa shkollë e dije, porse i aftë me na e marrë shpirtin ne ushtarëve të rij në karantenë, i aftë, me na lanë në akull e ftoftë në rresht gjysë lakuriq me pritë, ndërsa frynte murlani prej Cukalit, krejt kotnasikot….

Sa Pashuket i kena ndeshë në jetë, të cilët kanë maninë e së keqes me i ba keq të tjerëve, se këtu e ndjejnë atë kënaqësinë e tyne, patologjike, nji nga këto asht luejte edhe së fundi në mënyre gjeniale nga Meryl Streep në filmin „The Devil Wears Prada“.

Tre muej oficieri i kompanisë Myrtollari e kapterri Pashuku u kujdesen me nxjerrë prej nesh Kujdestarin e kompanisë për dy vjetet e ardhshëm, me nxjerrë personin që kishte me pasë nën kontroll kompaninë për 24 orë në 24, që kishte me pasë favore të shërbimit të truprojës, natën e ditën.

Ky person duhet ta meritonte atë, ai duhej të ishte ma sportiv, ma i zgjuet, ma i qindrueshëm në karakter, i drejtë me të gjithë, jo me shtypë ma të dobëtit e me iu nënshtrue ma të fortit. Ky ishte për mu personi ideal e unë e disa mahallali të tjerë shkodranë i kishim shumë tipare e shpresë për me u „ngrit në detyrë“, porse a e dini se kush u zgjodh në fund si kujdestar i kompanisë?

Në fund, Myrtollari e Pashuku zgjodhën nji si vedin, Marenglenin, nga familje e shtypun, e vorfën e nji zone rurale, kryeultë, komunista të bindun, pa kulturë të madhe, pa gjuhë të huej, i cili sa herë që i takonte me dhanë komandën gjatë karantenës 3-mujore thoshte:

NI për 1, DI për 2 e na shkyheshim së qeshuni.

„Tani, tha ai, nuk keni çka me qeshë ma se e kam unë në dorë komandën!“

2 vjet me radhë Marengleni na e mori shpirtin, siç na e kishte marrë Pashuku në ata tre muej e unë pashë se zgjidhja kishte qenë e pregatitun me kohë. Ai na paditte te oficieri sa herë që shkelnim ndonji urdhën krejt kot, na kontrollonte me anë të frikës së pushtetit e ligjit të pamëshirshëm ushtarak.

Gjatë qitjes, mbaj mend, unë mora tridhet pikë me automatik 100 metra, ndërsa Marengleni me zor i ra tabelave e megjithatë me kqyri tanë perbuzje, se fundja ai ishte Kujdestari, kapterri i kompanisë e unë kisha mbetë nji ushtar i thjeshtë.

Këtu unë mësova se karaktere si Marengleni nuk dijnë me iu gëtzu të bukurës, të mirës, suksesit të tjetrit, ajo dashunia krishtenë për të afërmin si dhe empatija humane për tjetrin nuk egzistojnë në të.

Kështu ajo bërthama që ai kishte pasë në fillim si te tanë na për tre muej, nisi e mori nji formë tjetër gjatë dy viteve, u squll si njeri e humbi karakterin njerëzor. Besoj se në keto raste ka dalë edhe ajo fjala e urtë:

„Njeriun njife kur të marrin pushtet!“

(Të njëjtën gja kam ndi edhe për ata njerez që kanë qenë afër Liderve politike shqiptarë nën diktaturë e në demokraci).

Kështu nga jeta, mësova se „KAPTERR TË MIRË ASHT E VËSHTIRË ME GJETË“, sepse kapterri asht diçka në mes të ushtarit të thjeshtë dhe oficierit të plotë, profesionist. Ky kapterri asht diçka e qulltë që merr herë njenën e here tjetrën formë. Ai nuk asht ma ushtar, porse as edhe oficier, diku në nji zonë gri, në të cilën sa ma të randa bahen rregullat e lojës, aq ma i qullët bahet ai e bërthama mrendë.

Këtu mësova se edhe jeta kishte me qenë kështu, se në mes të oficiereve e ushtarëve, kanë me qenë gjithnji në mes njerëzit kapterrë, as mish e as peshk.

Ky person, KAPTERRI, mundet me u ba kryeministër, ministër, kryebashkiak, profesor universiteti, drejtues teatri, oligark, sepse asht ajo plastelina njerëzore që merr formën e së keqes.

Thoshte Ernest Perdoda kryetari i parë i PD-së në Shkodër: „Nuk shartohet demokracija me elementët e diktaturës, me komunistë të thekun sepse frytat janë të prishuna“.

Kështu kur jeta e mbjell bërthamën e fortë të njeriut me karakter, ai ka në degët e tija lulet e parajsës, të amshmit e të perjetësisë njerëzore. Ndërsa kur jeta mbjedh bërthamën e qullët, atëherë dalin degë me lule të kalbuna, nga të cilat lidhen fruta përherë e ma helmuese, që sjellin vdekjen e nji shoqnije.

Edhe gjatë ceremonisë së ndamjes së çmimit AT ZEF PLLUMI, ndërsa dy fisnikë shqiptarë, Flutura e Marjana po flitshin për „Trenin në fillim të botës“, unë e pashë Pashukun, kapterrin me bërthamën e qullët, që i v𡞱shtronte me sytë e terrësuem e kqyrte Diplomën me emnin e bukur GJERGJ e thoshte si atëherë gjatë qitjes në repartin ushtarak me standarden në akcentin gege:

„Pse ore të kanë dhenë NISHIN!“

Sot Pashuku asht ba Kapterr me gradë e ai shkruen nji studim mbi gjeneral Myrtollarin se si ka kapë majat e artit ushtarak botënor, në nji kohë që ushtria tashma asht reduktu deri në kockë.

4

Romani shqiptar, në fakt nuk vuen nga Pashuket e Myrtollarët, se ato i ka me bollëk, romani shqiptar që nga themelimi i tij me shkodranin Ndoc Nikaj e derimësot vuen nga shpirtat e mëdhej, nga dashunitë e mëdha, të cilat i qëndrojnë të randa mbi pendën e tij.

Kështuqë na nuk kena derimësot Don Kishot e Dulcinea, Quasimodo e Esmeralda, Paul e Virgjinia, Zhivago e Lara, në romanin shqiptar e letërsija shqipe këtu e shef mirë kategorinë ku luen, anipse pashukët e myrtollarët kanë zbulu edhe romanciere të „shkalleve të larta botërore“ në letrat shqipe.

Uroj që dashunija e madhe e Tim & Gabriela në romanin „Treni ne fillim te botës“ të gjejë rrugën në zemrat e lexuesit shqiptar e sidomos të nxanësve e studentëve shqiptar. Timi thotë në roman se e vetmja gja që njeriu nuk mundet me ja mshefe vedit asht: DASHUNIJA!

Unë qytetin e Lezhës e gjithçka që ai po ban për kulturën e letrat shqipe e kam shumë për zemër, anipse gazeta „Koha e Jonë“ asnjiherë nuk denjoi me pasqyru aktivitete e mija letrare e artistike, si në perëndim ashtu edhe në atdhe, për arësye mu të panjoftuna, porse edhe aty duhet të jenë pashukët e myrtollarët që ruejne me fanatizëm, për me kenë vetë NISHA…

Si konkluzion i kësaj eseje, me rastin e marrjes së ÇMIMIT PRESTIGJOZ AT ZEF PLLUMI për karrierën, ndaj me ju nji kujtim të parë se si u takova me At Zefin në nji shpi njikatëshe tiranse në vitin 1993, me nji oborr të ngushtë e dritaret ku binte nji dritë e zbehtë prej jashtë e folëm mbi letrat shqipe, mbi nji letërsi të re, të jashtzakonshme, siç ishte ajo e meshtarëve nën diktaturë.

Sot në nji kohe mbas 30 vjetësh shof se nga gjitha këto, për nji arësye apo nji tjetër, RRNO PËR ME TREGUE asht edhe përfaqësuesja ma e njoftun e kësaj letërsije të jashtzakonshme në letrat shqipe e në mbarë letrat europiane.

Unë ju du të gjithëve mikesha e miq të mirë, sepse sekreti i njeriut e i karakterit, kam zbulu me kohën, ndodhet në nji thanje magjike të jetës:

Nëse nuk don Zoti

Asgja në botë nuk mundet

Me e hapë dritaren

E jetës e suksesit tand

E nëse don Zoti

Asgja nuk mundet me mbajte mbyllë atë.

Sepse në jetë nuk mjafton vetëm vullnet, vetëm pasion, vetëm talent, duhet sadopak edhe Gottes Gnade, thonë popujt gjermanofolës, Hiri i Hyjit!

Lum ata njerëz e kombe që e kanë ende Hirin e Zotit se ai i do bërthamat e forta e mjerë ata që e kanë humbë atë e janë sgjullosë se nuk ka kush me ja hjekë pllaken e vorrit ma.

Na shqiptaret mbijetojmë sepse në mrendësi tonë ndodhet ajo bërthama e fortë arbnore, ndodhën ato shekujt e sakrificës nën terrorin osman, ku ruejtëm gjuhën e mbi te tana e shkruejtëm gjuhën tonë arbnore, sepse gjuha asht edhe tapia e kombit.

Prandaj sot asht e trishtueshme, madje asht nji sakrilegj në sytë e Hyjit që pikërisht ata njerëz që e mallkuen kët gjuhë, që i vranë ata që e shkruen, i shvarrosën madje, pikërisht pasardhësit e tyne sot vendosin për gjuhën shqipe, si ishte rasti i kongresit të 72-shit të Kostallarit apo edhe sot rasti i kryeakademikut ish-ministër të diktaturës, që shan e shilon, si mediokër shkrimtaret gegë që nuk e kanë lëshu për asnji moment trashëgimninë 7 shekullore të gegnishtes arbnore.

Prandaj unë jam i lumtun që AT ZEF PLLUMBI për karrierën time me mbi 60 drama e 15 romane në Gegnishte më asht dhanë nga nji qytet simpatik, që më sjellë ndermendje fjalet biblike:

O TI BETHLEHEM NË JUDEA!

TI NUK JE ASPAK MA I PARANDSISHËM

SE QYTETE E TJERA

NE TY KA GJETË DRITAREN NË AMSHIM

GJERGJ KASTRIOTI QË NA DHA IDENTITETIN

ME FLAMURIN ARBNOR!

Hyji idhnohet përditë e ma shumë me shqiptarët që i kane ra mohit Gegnishtes e Toskënishtes e merrem me „standarden belbacuke“, sepse ai shef në thellësi të këtyne njerzëve se si e kanë qullosë bërthamën e karakterit ë tyne.

Porse për sa kohë të jenë në pushtet, myrtollarët e pashukët e partisë, kombi shqiptar nuk mundet me hjekë „pllakën e vorrit“ të Standardit e me i dhanë frymë Gegnishtes e Toskënishtes letrare.

Me i ba te tanë karakteret me folë në standarte, do me thanë me i ba te tanë në karakter të squlltë, madje edhe ata me bërthame të fortë, e kjo përban nji anomali në natyrën njerëzore. Kjo mund të ndodhi në zyra, në institucione, në shkresa, fatalisht po ndodhë edhe në kishën katolike që asht martirizu 5 shekuj osman për Arbnishten, porse në art, sidomos në dramë, kinema e romane asht e pafalshme që nji personazh shqiptar që në jetë flet gegnisht apo toskërishte me folë në art standartin e pa jetë. (nji film që po luhet kohët e fundit në kinematë evropiane e vërteton këtë: personazhe që flasin gegnishte me akcent toskë apo toskënisht me akcent gege, a thuese nuk ka mjaft aktorë gegë e toskë për këto role, apo fundja të duplohet si në mbarë botën e mos me kalu në ilaritet.)

Natyra i hjedh ato në koshin e plehut dhe arti kallxon edhe nji herë se ai e ka HIRIN HYJNOR me vedi, përsosmëninë e përjetsinë bashkë.

Unë jam i lumtun për kët çmim sepse mbi të tana, ky përban nji frymëzim të vazhdueshëm për me mbushë romanet e dramat e mija me karakteret e demokracisë 30-vjeçare shqiptare porse edhe të asaj perëndimore ku jetoj tashma që 30 vjet…

Vjenë, 1. 3. 2023

ObserverKult


Lexo edhe:

GJERGJ JOZEF KOLA: GEGNISHTJA, E VETMJA KOLONË E NATYRSHME VERTEBRALE E KOMBIT TONË