Gjergj Jozef Kola: “Shndërrimi i dytë“ i Franz Kafkës

Gjergj Jozef Kola

Për 100-vjetorin e shkrimtarit, Franz Kafka.

Nga Gjergj Jozef Kola

1.
Për 100-vjetorin e kalimit në amshim, Franz Kafka mori si shpërblim nga përjetësia, me u kthye në botë e me pa edhe nji herë, nji ditë, nga ato të fundit të jetës së tij.
Kjo leje nuk ishte për të edhe aq e jashtëzakonshme, nisë nga ajo që shndërrimi, metamorfoza e tij e famshme në roman, ishte ma e paimagjinueshme se shumëçka, shndërrim ky që i shkallmonte tanë ligjet e evolucionit të Darvinit e ato biblik të Krijimit të botës e të qenjeve të gjalla.
Kjo ishte forca e metaforës që lëviz mbarë qiejt e pafund të artit.
„Fundja kur nji njeri mund të kthehet në nji Bubajkë, pse të mos kthehet ai edhe nji herë në botë si njeri, i shndërruem, kësaj radhe me e njoftë botën prej dimensionit të pavdeksisë.“, mendoi.
I dukej herë si nji peng që i kishte mbetë në botë e duhej patjetër me e zgjidhë e herë si nji shpërblim, dhuratë që i bahet dikujt e në mes të këtyne dy ndjesive plot ambiguitet e pati ndeshjen e parë me botën në Klosterneuburg, afër Vjenës, aty ku e kishte lanë jetën toskore e kjo nuk kishte pse me e habitë fort.
„Me sa duket dita e fundit toksore asht edhe dritarja për me hi në botë, me u kthye si shpirt.“, mendoi.
Në Klosternueburg aty ku kishte dhanë frymën e fundit pati ndjesinë se nuk kishte ndryshue thuejse asgja. Renovimet e fundit të Manastirit të domenikanëve i kallxojshin se njerëzit e shoqnia ishin në gjendje të mirë ekonomike gja që nuk mund të thuhej për vitet 20 të shekullit të kaluem.
Në vend të engjullit shoqnues që e kishte sjellë deri këtu u shfaq Dora Diamant, dashunia e fundit që e kishte shoqnue edhe në derën e vdekjes në muejt e sanatoriumit e atij iu duk se dashunia hyjnore po e e dorëzonte te ajo tokësore.
Me sy të kaftë, vështrimin sensual e buzët e bukura si perendesha Athinë ajo i buzëqeshi si në ditët e fundit, plot përkujdesje gja që i bani me mendu se nji dashuni e vërtetë asht edhe nji diamant i pandryshueshëm në jetë e në çdo kohë.
Katër dashuni kishte pasë në jetë, si nji kryq i madh, Julia, Felice, Milena dhe Dora. Kjo e fundit me sa duket ishte edhe dera hapëse e mbyllëse në dy botët.


E pyeti Dorën D. se çka ishte ma e mira me e kalu atë ditë lejet në tokë për 100 vjetor e ajo i tregoi stacionin e trenit.
„Për fat të mirë sot ka trena çdo 20 minuta për në Vjenë e jo si në kohën tonë, dy herë në ditë, nji nadje herët e nji në darkë vonë“, i tha ajo kur morën trenin e u nisën.
Zbritën në Vjenë – Mitte e prej ty panë pikën ma të naltë të qytetit të vjetër: Katedralen e Shën Shtjefnit e Dora D. i tha se me ardhë në Vjenë e mos me kalu nën hijën e „Stefl“ siç i thojshin vjenezët në dashni, ishte e palujeushme.
Ecën në parkun e qytetit e u ndalën para shtatores së kompozitorit Johann Strauss të lame në flori, përku Franc Kafka u gëzu, e i tha asaj se Vjena nuk i ndryshonte kurrë zakonet e mira të saj e nji nga ky ishte edhe përkujtimi e nderimi i gjenive.
Dora D. e kqyri mirë nga kryet e deri te kambët, se megjithse e dinte se nga vinte, nuk e dinte se çka mendonte me të vërtetë e i tha se kompozitori me violinën e tij nga njena anë e meritonte, porse nga ana tjetër kishte shumë muzikanta e shkrimtarë e sidomos piktorë që e meritojshin nji nderim të tillë: me u la në flori!
Sa ishte gjallë e kishte adhuru këtë qytet si perendi, në kohën e perandorisë kishte qenë kryeqyteti i tij e ai kishte qenë gjithnji nji krijesë e thjeshtë, nji spektator i parandsishëm në fund të sallës, të cilin as që e njihte kush.
Katedralja i bani të njajtën përshtypje siç i kishte ba dikur me atë hijen e saj të butë e madhështore…Ecën së bashku nëpër Singerstrasse e në të djathtë i ndeshën sytë te Liliengasse.
Dora D. i bani me shenjë me dorë e ai pa në fund të saj mbishkrimin: TEATËR!
„Teatër në këtë mbramje të qetë vjeneze!“, i qeshi ai asaj, ndërsa mendoi se me nji aktore si shoqnuese nëpër rrugët e Vjenës në nji ditë leje nga përjetësija nuk kishte si me kenë ndryshe. Të kishte qenë Milena, me të cilën kishte kalu 4 ditët ma të zjermta të jetës së tij në Vjenë, kushedi se ku kishte me e çu ajo. Ndoshta në Prater e me festu gjithë natën…
„ Eja Franc!“, e nguci ajo, aktorja e dikurshme, sikur donte me i ba nji surprizë të kandshme.
U ndalën para reklamës në hymje të teatrit e ai lexoi nji emën të njoftun, të afërt megjithë largësinë nji shekullore në kohë:
Ai ktheu kryet nga Dora D. e cila kishte marrë rrolin e nji engjulli e rrinte në heshtje e nuk bzante, as e nxehtë e as e ftoftë, krejt neutrale.
„Teatri përballë kompanjelit të madh të katedrales së Vjenës ka vu në skenë për 100 vjetor nji dramë të Franz Kafkes, dramën time!“, u prek për herë të parë personalisht se pau nji dritë prozhektori që qyteti kishte hjedhë mbi të.
Ajo i buzëqeshi me atë gojën e bukur prej perëndeshe Athina.
„Ah,“ mendoi Franc Kafka, „Maksi Brod, miku jem i vetëm i madh, shkrimtari i njoftun e i famshëm i kohës, mbështetësi jem, i paska gjetë dramat e nuk i paska djegë.
„Porse cilën prej dramave po luejnë sonte në Vjenë për 100 vjetor?“, zgurdulloi sytë prej kurreshtjes.
Dora D. që ia lexonte mendimet u struk në vedi, fundja asaj të gjitha shkrimet e tija ia kishin sekuestru Gestapoja e nuk dihej se ku kishin përfundu e i erdhi mirë që ai nuk e pyeti direkt për dramat, mbi të cilat askush nuk kishte dijeni.
Franc Kafka. hyni mrendë i tronditun thellë në zemër sepse Vjena, ish kryeqyteti i botës, i 12 kombeve të perandorisë Habsburge, për 100 vjetor po e kujtonte me nji vepër të tijën.
Dikur kishte kalu aty afër tanë ndroje, kishte pa Grillpanzerin e Hoffmansthalin, ishte dashtë me ndejë në radhë me marrë nji biletë e tash këtu po luejnë nji dramë të tijen, mbas 100 vjetësh.
„Kohët paskan ndrru për mirë!“, mendoi e u ul.
Pa u hapë mirë skena, kureshtja e madhe me dijtë se cilën dramë kishin vu në skenë trupa e teatrit vjenez, nuk e la të qetë.
Dora D u përpjek me e qetësu sadopak e atëhere ai e mori vedin e i tha se po gëzohet thellë në zemër se sa mirë që i paska ra ndërmendje e me vu në skenë nji vepër të tijën, nji dramë të dashtun.
„Fundja shkrimet e mia janë botu vetëm në gazeta e revista e vetëm romani Shndërrimi- Metamorfoza asht botu në nji rrallore, bashkë me të tjerë e kjo vetëm e vetëm falë mikut tem shkrimtar e botues Max Brod, madje edhe ky roman nuk asht përfundu krejt, njashtu si dy të tjerët“, i tha Dorës D.
Ajo i qeshi lehtë me atë lëvitjen e gojës e buzëve të mërmerta si perëndesha Athina.
„Tre romane e të tre të papërfunduem, ose siç thoshte Maxi: përsosmëni e papërfundueme janë këto tre romane“, i tha ajo.
Franzi qeshi e mendoi se ky paska qenë edhe raporti i tij me Vjenën: i papërfunduem, i lanë përgjysë e me sa dukej tash për 100 vjetor po i plotësohej.
„Po dramat e romanet e Maxit që u festuen me aq sukses në të gjallët tonë?“, guxoi ai me e pyetë Dora D.-në.
„ Ato nuk i kujton askush ma.“, tha ajo shkurt e premë.
„Si kështu!“, u habit ai.
„Me sa duket romanet e dhimbjes e të shfytyrimit që poeti transmeton prej vedit, në nji të ardhme e kallxojnë ma mirë se kushdo shpirtin e kohës së tij“, ia mbylli ajo me të shpejtë temën e mikut të tij.
Ai kishte shkru për shndërrimin e njeriut në Bubajkë, porse ai e dinte se çdo artist i njgan nji zogut e ai vetë në fakt tanë jetën ishte ndje si Kolibri, jo aq për tetë brijtë e tij, se sa për zemrën që qindronte në raport të zhdrejtë me trupin si dhe aftësisë me e injoru komplet botën përreth e me jetu në perfeksionimin e krahëve të tij, gjaqë e ndjente gjatë shkrimit.
2.
Kur u hap perdja e aktorët nisën me lexu nga Ditari i tij, atëhere Franz K e kuptoi se Maxi nuk i kishte djegë ditarët, megjithse kjo kishte qenë nji nga dëshirat e mëdha të tij e nji nga premtimet e mikut.
„Gëzoju pra“, i pëshpëriti Dora D, „sepse falë këtij ditari sot po të feston mbarë Vjena artistike në nji teatër prestigjoz“
Fillimisht nuk dijti a me u gëzu apo jo e vetëm kur erdhi skena e natës kur ai kishte shkru tregimin e njoftun „Gjykimi“ së bashku me shënimin e dashtun në ditarë: E nisa në darkë dhe nadje herët e kisha të përfunduem, se nji vepër shkruhet me nji frymë, e preku thellë në zemer e u ndje mirnjoftës Maxit që nuk ia kishte djegë.
„Nji teatër krejt për mu në nji natë me romanet e mija, kjo asht diçka e jashtzakonshme, për mu që kam kalu këndej në këto rrugë të kryeqyteteve të perandorisë e askush nuk mi ka hjedhë sytë, askush nuk më ka njoftë e askush nuk asht ndalë me thanë:
Shikjoni, ky asht Franz Kafka!
Të gjithë më kanë njoftë për atë juristin nëpunësin-ndihmës të „Asicurazioni Generali“, nji person që as ushtar nuk e kanë marrë prej shëndeti të keq e askush nuk më ka njoftë e dijtë për shkrimtarin prozator sa isha gjallë, e tash mbas vdekjes, imagjino edhe 100 vjet ma vonë po më kujtojnë të tanë si shkrimtarin e askujt aq që i bjen ndër mend se çka kam punu si profesion.
„E pabesushme porse e vërtetë, e tash po e shof nën nji kandvështrim tjetër, shndërrimin e Gregor Simsës.“, mendoi intensivisht.
Ndërsa ndrroheshin skenat ai priti se cilën dramë do i lujshin mbas leximit të ditarit, porse papritmas në skenë hyni Gregor Samsa si Bubajkë e atëhere ai e kuptoi se trupa kishte dramatizu romanet e tija. Pikërisht romanin e vetëm të botuem si radhor nga Max Brod e të papërfundum për të cilin mjeku i shpisë i kishte thanë:
„E çka ke dashtë me shndërru këtu në ketë metamorfozën tande? Pse?, kishte pyetë Franz Kafka. Sepse më pyetë grueja, vajza, mbesa, kunata, te tanë ato që ua kam dhanë librin për lexim, porse nuk e kanë kuptu këtë roman?“
Franz Kafka qeshi kur ndigjoi mbas 100 vjetësh pyetjen që i kishte ba mjeku i tij mbi romanin e mendoi se autorët i kishin ndejtë besnik romanit e Ditarit tue i alternu me njeni tjetrin tue dashtë me kriju nji harmoni në mes tyne.
„ Sidokjoftë si asht e mujtun që miku e botuesi jem Maxi nuk i ka gjetë dramat e mija, së paku atë për Teatrin e judejve, apo ndoshta i ka gjetë dhe i ka djegë, se nuk i janë duke të nivelit të mirë si të tjerat shkrime?“ e pyeti ai Doren D. tue ia dhanë vetë përgjigjen pyetjes.
„Ndoshta, tundi kryet ajo në aprovim. Materjalet që kam pasë unë i ka marrë Gestapoja, nji polici sekrete e Nacional-socialistave, „i tha ajo pa e dijtë nëse ai e ndiqte krejt apo jo.“
Sidokjoftë Maxit i jam mirnjoftës, sepse falë tij po lëvizin sonte në këtë premierë mbi 100 vjetorin tim, nga skena në skenë, romanet e mija e sidomos letrat në raportin me letërkëmbimet me gratë e jetës.
„Me ty kam dashtë me u martu përnjimend e me gjithë zemër porse yt Atë nuk e dha lejen, ndoshta me të drejtë e kështu tuberkulozin nuk më la me u gëzu me ty, anipse nji vjet jetë e pijmë përditë bashkë deri në fund“, i pëshpëriti.
Ajo e pa në sy e atij iu duk se pika të mëdha lotësh i rrëshqitën, ma shumë se aktorit që luante Kafkën në dramën e jetës e të veprës së tij të quejtun: Panoptiku i Franc Kafkës.
Në skenën e fundit, Mjekut të fshatit, tregimit ku ai kishte reflektu vedin dhe Dora D-në ai e pa edhe nji herë se si vdekja kishte ardhë më krahët e zi të nji engjulli të bardhë e deshti me ia shtërngu dorën fort mikes e të dashtunës së fundit që e kishte përcjellë në botën e amshimit.
Porse në atë çast mbarë publiku u ngrit në kambë dhe me nji shpërthim thuejse frenetik nisi me rrahë shuplakët plot entuziazëm e thirrje po aq të zjarrta.
„Po të nderojnë, i tha Dora D, ty së pari, nëpërmjet aktorëve, regjizorit, ndërtuesit të skenës, muzikës, kostumeve dritave e gjithçkaje që duhet me hypë në skenë nji vepër teatrale.“
Franc mendoi se ajo kishte qenë vetë aktore e kishte luejtë në shumë drama e askush ma mirë nuk mund ta njifte skenën se ajo dhe e përshëndeti më mirnjoftje.
„Dikush ka thanë se skena asht dashunia e parë e shpirtave poetikë e unë po tham se aktorja asht dashunija e fundit e këtyne shpirtave.“, mendoi Franz K ndërsa dolën jashtë dhe e ndjente Doren K. krejt afër.
3
Në rrugicën Liliengasse u ndalën e ai ktheu kryet edhe nji herë sikur të donte më gjetë vedin në mes të Katedrales dhe Teatrit.
„Gjithçka ishte kaq e përsosun sonte, si vetë romanet e mi të papërfunduem. Vetë teatri me emnin kuptimplotë: Teater in Zentrum. Me sa duket amshimi e ka dijtë se unë jam nji perfeksionist i fjalës.
Dora D po e ndiqte nëpr rrugët e Vjenës si Beatriçe Danten.
„Ku po do me dalë Franc? Sonte ishte premiera e 100 vjetorit tand e Vjena të nderoi si rradhë kend.“, pyeti ajo.
Ai i qeshi lehtë përmes syve të zi, të thellë e vetullave të trasha, po aq të zeza që reflektonin mbi ballin e shtrimë nelt mbi të cilin mendimi i randë hapte rrudhat palë e palë.
„Sa Autorë ka në botë të ngjashëm me fatin tim, të cilët gjatë jetës nuk i njofti kush, nuk patën asnji famë e as pasuni e vetëm kur ikën atëhere erdhi nji brez tjetër që i zbuloi dhe i mbushi sheshet e teatrot me veprat e tyne, tue i hapë dyert përjetësisë.“
Dora D mendoi se kështu ishte jeta, plot mistere e askush nuk mundet me i kuptu si e sa duhet, porse duhet me kenë mirnjoftës për gjithçka.
Shkuen të dy bashkë në këtë mbramje të premierës së tij për 100 vjetor nëpër rrugicat e Vjenës e ai vazhdoi me ba atë që kishte ba ma mirë se gjithçka në jetë:
Me shkru, njashtu edhe vetëm me mendime.
„Pyetja mbetet, „mendoi Franc K, „çka asht ma mirë, me kenë i famshëm gjatë jetës e mandej me u shu si ylli i djegun, apo me u lind mbas vdekjes e me jetu përjetësisht vepra yte?“
Miku i tij Max Brod të cilit ai i detyrohej aq shumë për botimin sa ishte gjallë e sidomos për ato mbas vdekjes, kishte pasë famë, talent e pasuni gjatë jetës e tash ishte lanë në harresë e kjo i theri në zemër për këtë mënyrë të pamëshirshme se si jeta sillej me shkrimtarët.
„Ndoshta tash që nuk jam ma në këtë botë asht ma e lehtë me thanë se prej përjetsisë përjetsia fiton, porse ndoshta sikur të isha gjallë kisha thanë që ma mirë lavdija kur je i gjallë, sado e shkurtë kjoftë,“ mendoi dhe e pa Dora D-në thellë e në sy e në ato buzët e saj prej bukurisë së Athinës. „Sa Dramaturgët e Autorët ka sot që vehen në skenë në Vjenë e kanë fatin e madh me iu gëzu asaj e sa të tjerë që as në Vjenë e as në vendlindjen e tyne, në 12 kombet e perandorisë habsburge, nuk i vën kush në skenë, kurrë, vetëm kur të vijnë nji brez e ti zbulojnë për përjetësinë.“
Vjenë

24.01.2024.

ObserverKult


Xhelal Ademi
Xhelal Ademi

Lexo edhe:

XHELAL ADEMI: NËSE MUNDESH TË HARROSH GJITHÇKA TONËN…

Nëse mundesh të harrosh gjithçka tonën përmbi dhe,
Gjithçka bëre e sodite gjithçka preke gjithçka pe,
Madje hapit përmbas shpine nëse mundesh t’i vësh emër
E t’i ndrydhish njëmijë heshtje që të ecin nëpër zemër.

Nëse mundesh t’i vësh fshesën gjithçka ishte jeta jote,
T’hedhësh ndjenjën nëpër detra mes valnajës fuqiplote,
Nëse mundesh të rrëmbesh gjithçka tënden që më dhe,
Dhe t’pështyshë nga ece dje për të hapur rrugë të re.

Nëse buzës i vë dryrin që t’mos shkrehet nëpër vaj,
Gjitha puthjet t’ia shkëpusish mu aty tek cep i saj,
E t’i hedhish përmbanë qiellit ose djegish përmbi prush,
Dhe e akullt t’i sodisish me atë sy të zi si rrush.

Nëse plagët mund t’i mbyllish t’arratisesh fare kot,
Mbi karvanët e kujtesës mos ia beh ky qiell me lot,
Nëse mundesh t’mbyllish sytë nën qepalla kur të shkosh,
Atëherë ndodh që të largohesh duke bartur shpirtin bosh…

Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult