Nga libri-album i studiuesit të fotografisë Qerim Vrioni “Miq në 50 foto”, ku imazhet janë shoqëruar me përshkrimet e çasteve të fotografimit dhe jetëshkrimit të personazheve të përzgjedhura nga bota e artit dhe kulturës, kemi zgjedhur për ju, prezentimin që z. Vrioni ia ka bërë regjisorit, Gjergj Vlashit.
Ju ftojmë ta lexoni historinë e fotografisë:
Fotografi dhe koleksionisti i njohur nga Durrësi, Luan Jaupi, më sugjeroi që për të njohur më gjerë fotografët e vjetër të qytetit bregdetar, duhet të takohesha me regjisorin Gjergj Vlashin (Durrës, 1928 – Durrës, 2020).
Nga Qerim Vrioni
Emri i Gjergj Vlashit shkruhej, përmendej në shtyp e biseda dhe dëgjohej në mediat elektronike. Ai ka drejtuar me sukses për disa dhjetëvjeçarë jetën teatrore të Durrësit. Ka shkruar pjesë teatrore si “Dhoma nr.13”, ”Komploti i grave”, “Si vihet në skenë një shfaqje estrade?” i ka vënë ato në skenë, dhe të autorëve të tjerë. Punën e ka vazhduar edhe disa vite pas daljes në pension. Ai ka përkthyer vepra të Kafkës, Buxatit, Saramagos etj., ka shkruar romane “Njeriu i netëve të vjeshtës”, e “Damian P.” etj, si edhe vëllime me tregime, novela, ese, e shumë artikuj të ndryshëm në shtypin shqiptar, kryesisht për dramaturgjinë. Gjergj Vlashi është nderuar edhe me titullin e lartë “Artist i Popullit” dhe me urdhrin “Nderi i Kombit”.
Pas 2-3 telefonatave u takuam në një bar-kafe. Fjalia e parë, pas atyre rutinë për shëndetin ishte pyetësore: “Po Agim Vrionin çfarë e ke pasur? Pasi i shpjegova se e kam pasur djalë xhaxhai, ai filloi të fliste me lëvdata të shumta për të, çka i kisha dëgjuar edhe nga shokë të tjerë klase të Agimit.
Pastaj i dhurova me autograf librin tim “Fjalor i Fotografisë“. Bashkëbisedimi vazhdoi në rrjedhën e paracaktuar mbi të dhënat historike për fotografët e vjetër të Durrësit. Ai e ndërpreu disa herë fjalën e tij dhe timen, duke hapur librin me kureshtje në faqe të ndryshme.
Kisha nxjerrë aparatin dhe po bëhesha gati për ta kapur në ndonjë qendrim të veçantë, ndërkohë ai u kthye sërish te fillimi i bisedës me fjalët “Sa inteligjent e i kulturuar ishte Agimi!”, duke shikuar nga dera sikur po priste të hynte shoku i paharruar i klasës. Ato çaste e fotografova, fytyrës së tij i kishte rënë një hije e lehtë përmallimi…
Data ishte 15 prill 2015.
ObserverKult
Lexo edhe: