“’Gjethurinat‘ ka qenë libri im i parë, që kam shkruar pasi kuptova se s’mund të shkruaja dot ‘Njëqind vjet vetmi‘”, potencon Gabriel García Márquez në një intervistë të tij në dialogun e tij të famshëm me Mario Vargas Llosa-n për romanin latino – amerikan.
Nga Ardit Mehmetaj
Romanin e karakterizon shumësia. Duke filluar nga shumësia e personazheve pasi i kemi rreth tridhjetë të tillë, edhe pse shumica personazhe minore. Pastaj, është shumësia e narratorëve që rrëfejnë në roman. Ndërsa, element tjetër i shumësisë si karakteristikë e veprës është edhe shumësia tematike që e përbën veprën.
Rrëfimi në roman fillon me teknikën In medias res, që nënkupton fillimin e rrëfimit nga mesi i ngjarjes, dhe jo domosdoshmërisht rrëfimi të fillojë nga fillimi ose fundi i ngjarjes. Veprat që e përdorin këtë lloj teknike zakonisht operojnë me rrëfim jolinear. Kështu vepron edhe Marquez. E tërë ngjarja në roman zgjat vetëm tridhjetë minuta dhe kjo argumentohet përmes trenit që lëvizë në fshat, të cilin na e shfaq djali kur rrëfen. Por, në këta tridhjetë minuta shfaqet historia e mëparshme, ardhja e doktorit në Makondo, pritja nga Koloneli, izolimi i tij dhe frika nga fshatarët e tjerë e deri tek varrimi, në të cilin marrin pjesë vetëm Koloneli me të bijën dhe nipin. Gjatë rrëfimit, thuajse gjatë gjithë kohës, kemi kthim në retrospektivë, ku trajtohet kryesisht një çerek shekulli para vdekjes së Doktorit. Në ato vite 28 vite kthim pas rrëfimi bazohet në mendimet, imagjinatën dhe kujtimet e personazheve.
Në roman kemi katër narratorë. Kemi narratorin që rrëfen në veten e tretë e që e rrëfen ngjarjen në mënyrë objektive. Kurse, tri personazhet e tjera që përbëjnë tri gjeneratat Gjysh – Bijë – Nip, rrëfejnë ngjarjen në mënyrë subjektive. Rrëfimin e djalit e karakterizon tërë kohën tronditja dhe absurditeti pasi është hera e parë që ai e sheh një të vdekur. Rrëfimin e Nënës e karakterizon frika se çfarë do të thonë fqinjët dhe fshatarët për pjesëmarrjen e tyre në vdekjen e atij që ishte shpallur moti armik i fshatit. Rrëfimin e Gjyshit e karakterizon siguria dhe misioni që duhet ta çojë në fund pasi ai është peng i premtimit për ta varrosur Doktorin.
Tek personazhet që rrëfejnë ka një karakteristikë interesante në roman pasi djali rrëfen në gjashtë pjesë, nëna e tij tetë pjesë, kurse gjyshi i tij dhjetë pjesë. Pra, kemi simbolikë. Numri i pjesëve që rrëfejnë simbolizon kushtimisht moshën.
Informacioni në roman nuk jepet tërësisht. Informacioni është i paktë dhe plotësohet pastaj me copëza nga personazhet tjera që rrëfejnë, ku shpesh kemi edhe përsëritje. Por, edhe në përsëritje kemi qasje të re pasi personazhet rrëfejnë nga pikëvështrimi i tyre, p.sh. Koloneli u beson bestytnive dhe beson se Doktori pati një fund të tillë duke u vetvrarë pasi u mallkua nga fshatarët, kurse në rrëfimin e vajzës së tij kemi bestytnitë që paraqiten si besime të rrejshme dhe fundin e Doktorit ajo nuk e lidhë me mallkimin e fshatarëve. Kështu, megjithë përsëritjet, nuk krijohet monotoni.
Në roman kemi kronos dhe topos të përcaktuar. Ngjarja zhvillohet në gjysmën e parë të shekullit XX në fshatin e Makondos, fshat imagjinar që më vonë del edhe topikë e veprës Njëqind vjet vetmi. Lidhja e romanit Gjethurinat me romanin 100 vjet vetmi është më se e dukshme nga secili që i ka lexuar të dy romanet. Gjethurinat përfshinë vetëm disa nga 100 vitet e vetmisë.
Tek rrëfimi i Isabelës që ndërtohet mbi bazën e mendimeve, ëndrrave e kujtimeve të saj, lexuesi mund të depërtojë thellë në psikologjinë e gruas makondase. Deperton thellë në zakonet dhe besimin e komunitetit. Në vepër kemi elemente të patriarkatit, ku del edhe martesa si detyrim pasi është Koloneli që vendosë për martesën e Isabelës, e jo ajo për veten e saj.
Sa i përket tematikës, romani është ambig pasi përveç vdekjes, temë tjetër është vetmia, por që të dy temat mund të shihen si një. Vetmia është temë e trajtuar shumë herë nga Marquez, por këtu është vetmi e imponuar nga jashtë pasi Doktori frikësohet nga fshatarët dhe qëndron një dekadë i mbyllur, madje duke mos e pirë as ujin pasi frikësohet nga helmimi që mund t’ia bëjnë fshatarët përmes tij. Sikurse vetmia, ashtu edhe vdekja që vjen nga vetëvrasja, është kushtimisht e imponuar pasi ajo është pasojë e vetmisë së gjatë. Temë tjetër e cila del përmes disa indikacioneve në roman është tema e luftës, temë kjo e përsëritur në shumë vepra të Marquez-it. Tek “Gjethurinat” këto indikacione tregojnë se fshati ka vuajtur pasojat e luftës më parë atëherë kur jepet informacioni se Doktori ka refuzuar të kujdeset për disa ushtarë të plagosur në luftë.
Romanin Gjethurinat të Marquez-it nëse e paralelizojmë me dramën Antigona të Sofokliut atëherë mund të gjejmë disa lidhje të ngjashme, të cilat mund të kenë ndikuar tek Marquez-i. Elementi më i qëndrueshëm që është karakteristikë e përbashkët e të dyja këtyre veprave letrare është se dy personazhet, këtu Koloneli e atje Antigona, janë të vendosur që t’i çojnë gjërat deri në fund. Tek drama e Sofokliut, Antigona është e vendosur ta varrosë vëllain e saj pavarësisht pasojave kërcënuese nga mbreti Kreon. Njësoj është edhe në romanin Gjethurinat. Koloneli është i vendosur ta varrosë Doktorin pavarësisht pasojave kërcënuese nga fshatarët e Makondos. Në të dy rastet akti i varrosjes kryhet pavarësisht pasojave.
ObserverKult
_____________________
Lexo edhe: