Gjirokastra ju pret t’ia merrni një labçe!

 Iso-polifonia, kjo jehonë e ndërthurjes së shpirtit të trazuar dhe natyrës së mahnitshme të Shqipërisë, ka habitur autorë, studiues, antropologë dhe poetë.

Bajroni, shkroi për këtë unison harmonik e madhështor të zërave mashkullorë, që e magjepsi:

“Shqiptarët me veshjet e tyre (më të mrekullueshmet në botë, përbërë nga fustanella e gjatë e bardhë, mantel i punuar prej ari, xhaketë prej kadifeje dhe qëndisma me fije ari, pisqolla të ngjeshura në brez dhe jataganë argjendi) … formojnë një spektakël unik dhe të bukur për një të huaj.”

Gjirokastra e kalldrëmeve dhe polifonisë, po promovon një traditë risi, përmes krijimit të teksteve të reja dhe përfshirjes së fëmijëve në grupet polifonike.

Njëri prej mjeshtrave të polifonisë, Arjan Shehu, rrëfen për mediet, se nëse UNESCO nuk do ta kishte njohur e mbrojtur, pak do t’i dihej vlera! Sot ai shpreson që polifonia të vijojë si aset krahas trashëgimisë, kulturës dhe natyrës shqiptare.

Ndërsa përfshirja e fëmijëve si pjesë e grupeve polifonike, për muzikantin Gentian Selfo, cilësohet një qasje shumë e mirë ndaj kësaj trashëgimie. Polifonia dhe njohja e mirë e ritmit, është diçka që i zbavit fëmijët dhe një mënyrë e mirë për të evidentuar talentet e reja.

Vera sakaq, me gjithë kufizimet në pjesëmarrje për shkak të masave, do ta risjellë polifoninë në qendër të vëmendjes dhe kombinuar me zërat e fëmijëve. Artistët e karrirës dhe ata të rinj, po përpiqen të krijojnë ndërthurje mes polifonisë, këngës qytetare, folklorit e koreografisë.

Vizitorët po ashtu, do të mund të bëhen pjesë e grupeve të këngëve dhe valleve, dhe kjo, ka për të qenë veçantia e këtij sezoni./konica