Qyteti i gurtë i sokakëve befason çdo vizitor. As edhe një kalim i shpejtë, nuk do ta zbehte kërshërinë dhe habitjen pas ndërtesave të vjetra, rrugicave të zhurmshme po kaq sa edhe intime, apo dritareve dëshmitare sa e sa historish…
Gjirokastra në shpatet e pjerrëta të luginës së Drinos, përshfaqet menjëherë para syve me një peizazh që dëshmon historinë, mes kurorës së majave të larta.
Kur sapo ke mbërritur në qytetin e vjetër, shtëpitë me çatitë e gurta duket sikur të shohin nga të gjitha anët. Të duket se nga çasti në çast, në ato dritare do të shfaqen kushedi sa personazhe sajuar nëpër përrallat e gjysheve, kur bisedonin ulur në prag.
Ka diçka mitike Gjirokastra: mikpritëse dhe nikoqire njëherësh!
Nëse e merr rrugën për të vizituar këtë qytet kaq kontrovers – pasuri në UNESCO – kjo është historia e tij:
“Qyteti i një mijë shkallëve” ka qindra shtëpi-kulla të tipit otoman me çatitë dalluese të gurta, ballkonet e drunjta dhe muret e gurta, herë-herë të zbardhura me gëlqere. Nën hijen e rëndë të kalasë madhështore që ngrihet mbi kodër, Gjirokastra është një qytet magjik, me një të shkuar të trazuar.
Historia e përmend Gjirokastrën, si një qendër të rëndësishme administrative, ekonomiko-kulturore dhe pikë referente e përpjekje për emancipim kulturor dhe pavarësi për krejt botën shqiptare. Në rrjedhën e shekujve, qyteti përjetoi transfomime të imponuara, nga bastion i feudalizmit, në xhevahir otoman, nga qendër e rezistencës për indipendencë dhe në pikë e rëndësishme për pushtuesit fashistë italianë. Në kronikën e këtij qyteti janë regjistruar shumë sundimtarë e invadorë (pushtues); njëkohësisht, ai ka frymëzuar shumë poetë, shkrimtarë dhe artistë. Qyteti me popullsi 40 000 banorë, është sot qendra më e madhe kulturore, akademike, ekonomike e administrative e rajonit jugor, si qendër e qarkut me të të njëjtin emër. Njihet si vendlindja e tre personaliteteve me peshë në historinë e Shqipërisë: ish-diktatorit komunist Enver Hoxha, gjuhëtarit dhe albanologut Eqrem Çabej dhe shkrimtarit të madh Ismail Kadare.
Lagjet tradicionale shtrihen në formë rrezesh rreth kalasë me emrat: Cfakë, Dunavat, Manalat, Palorto, Varosh, Meçite, Hazmurat, Pazari i Vjetër. Historia e hershme e qytetit është relativisht e panjohur. Për shkak të afërsisë me qendrat klasike dhe helenistike: Jerma (Antigonea) dhe qyteti romak Hadrianopolis pranë fshatit Sofratikë, është menduar shpesh që vendbanimi më i hershëm në Gjirokastër është kalaja mesjetare. Por mbi këtë tezë janë hedhur dyshime pasi zbulimet brenda në kala kanë nxjerrë në dritë qeramikë në 4 faza të ndryshme banimi përpara periudhës osmane: në shekujt V – II p.e.s.; shekujt V – VII e.j.; shekujt IX- X dhe shekujt XII – XIII. Më e hershmja nga këto faza solli gjurmë të një muri të konsiderueshëm ndërtuar me blloqe, gjë që bën të mendosh që ka pasur një fortifikim të rëndësishëm të periudhës para romake në këtë anë të luginës së lumit Drino (para vitit 168 p.e.s).
Burimet historike dhe etimologjia e emrit
Për herë të parë burimet historike e përmendin qytetin me 1336, kur kronisti bizantin Johan Kantakuzeni shkruan për Argyrókastron. Nën Despotatin e Epirit, qyteti dhe rrethinat ishin nën sundimin e familjes feudale Zenebishi. Ndërsa Perandoria Osmane zgjerohej në Europë në fundin e shekullit të XIV-të, Gjirokastra ra nën ndikimin e sulltanëve dhe sundimtarët e saj u bënë vasalë të tij. Një nga Zenebishët përmendet se udhëhoqi një grup burrash nën komandën e Sulltan Bajazitit I (1389-1402), kur ky u mund nga Timurlengu i mongolëve në betejën e Ankarasë, më 1402. Më 1419 qyteti ra nën sundimin e plotë të Turqisë, ndërkohë që sipas regjistrave te taksave më 1431- 32, ai kishte 163 shtëpi.
Sipas historianit dhe studiuesit gjirokastrit Lefter Dilo, burimet historike kanë një sërë tezash. Në librin e tij “Gjirokastra nëpër shekuj”, historiani Dilo, thekson ndër të tjera: “Në libra, gazeta e revista të ndryshme, janë botuar shumë gjëra për themelimin e Gjirokastrës. Është Likofronti, poet grek, i cili në vargun 1117 shkruan se qyteti është homerik; janë të tjerë që tregojnë se është ngritur nga fisi i Argjirinëve; është Panajot Aravantinoi, historian grek, që tregon se u quajt kështu, për arsye se kalaja nga ngjyra e gurit ndriste si argjendi; ka studime enciklopedike të huaja, që tregojnë se ka marrë emërin Argjirokastër nga minierat e argjendit, që ishin përreth, një tezë kjo pa ndonjë bazë. Janë të tjerë që kanë shkruar se u ndërtua nga Gjin Bua Shpata dhe andaj mbronin tezën se duhet quajtur Gjinokastër. “Ca njerëz- shkruan eruditi Jorgji Meksi- imagjinuan Gjinon si themelonjës të qytetit, kur është e ditur se Gjin Shpata ishte të paktën 300 vjet pas themelimit të Gjirokastrës dhe ishte qeveritar jo në Gjirokastër, po në Nartë”. Është, nga ana tjetër, legjenda e Argjiro Menevizes (princesha me një gji të vetëm), e cila për të mos rënë në duart e turqve u vërvit nga maja e kalasë së qytetit dhe u bë copë -copë përmbi një shkëmb nga ana e lagjes “Cfakë”, por kjo gojëdhënë paraqitet pa baza, sepse një këngë greqisht për Argjiron tregohet në fshatrat e Dropullit duke bërë aluzion për Kastron e Sofratikës.
Historiani i jetës dhe veprave të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, Marin Barleti, që shkroi 36 vjet pas vdekjes së heroit e ka paraqitur në trajtën e vjetër origjinale emërin e Gjirokastrës, duke shkruar kështu: “Në kohën e rrethimit të Beratit prej Skënderbeut, GIROCASTRUM ndodhesh në duart e Turqëve.
Nga kjo del se qyteti quhet e para jo Gjinokastër, po Gjirokastër dhe e dyta se mban veçorinë e emërit të vjetër mbasi edhe
Gjatë sundimit turk qyteti thirrej Ergjëri, kurse edhe nga dokumenta të vjetër të shkruar del se quhej ARGJIRINI”.
Gjirokastra nën pushtimin turk
Kalaja është bërthama e jetës së Gjirokastrës. Ajo ka pasur gjithnjë para së gjithash funksion ushtarak. Megjithëse kishte banesa brenda mureve, ato ishin të paracaktuara për garnizonin dhe dinjitarët e rëndësishëm. Ndërkohë gjatë Mesjetës, qyteti u zhvillua jashtë mureve të saj. Zbulime për banime të hershme në qytet nuk ka, megjithëse, në një rezidencë episkopale që ndodhej në vendin e quajtur “Kodra”, është gjendur një kapitel i gdhendur bukur i shekullit të XIII-të. Në shekujt XVI-të dhe XVII-të, qyteti, si qendër kryesore e Sanxhakut të Shqipërisë (Sanxhak quheshin njësitë kryesore administrative turke në periudhën e hershme të Perandorisë Osmane) lulëzoi dhe, si rezultat, lagjet e tij u zgjeruan me 434 shtëpi më 1583, që shënon pothuaj dyfishim brenda një shekulli. Kjo ndodhi në radhë të parë për shkak të një lëvizjeje të përgjithshme të popullsisë nga fshati në qytet. Rritja vazhdoi edhe kur qendra rajonale administrative kaloi në Delvinë, në kohën e Sulltan Sulejmanit të Shkëlqyerit (1520-1566).
Në nëntor të vitit 1670, udhëtari turk, Evlia Çelebiu, pas një udhëtimi nëpër Kosovë në dhjetor të vitit 1660, dhe një udhëtimi në Shqipërinë e Veriut e në Malin e Zi në shkurt të vitit 1662, filloi udhëtimin e tij të tretë dhe më të gjatë në trevat shqiptare. Kësaj radhe ai hyri në Shqipëri nga jugu. Pas një qëndrimi të shkurtër në Delvinë, Zhulat dhe Kardhiq, ai erdhi në qytetin e Gjirokastrës, turqisht Ergiri, ku u habit shumë nga zakonet e gjirokastritëve. Dhe e përshkroi kështu:
“…Qyteti i hapur është vendosur mbi 8 kodra dhe luginat nga të gjitha anët e kalasë, me shtëpi shumëkatëshe, me çati prej guri dhe të rrethuara nga kopshte dhe hardhi. Secila nga këto shtëpi të ndërtuara mire, ka një kullë. Muret rrethuese të oborreve janë të ndërtuar me një lloj graniti të bardhë, punuar nga mjeshtra gurgdhendës, sikur të ishin tulla Ankaraje prej balte. Mure të tilla kanë si të pasurit ashtu edhe të varfrit. Gurë të prerë në formë katrore nuk gjenden veçse në qytetet e Tirit dhe Manisës në Anadoll… Mënyra e ndërtimit të mureve të jashtme të shtëpive nuk ka shoqe në botë. Ato janë të gjitha 20 inç të larta, të bëra me blloqe guri ranor të kuq, thjesht të vendosura gur mbi gur, pa baltë, gëlqere apo llaç për t’i lidhur. Muret dhe shtëpitë janë qindravjeçare, që nga koha e të pafeve. Qyteti ka një klimë shumë të mirë dhe për këtë arsye, banorët kanë fizik të shëndetshëm… Gjirokastritët mbajnë zi për të afërmit e vdekur për 40-50 apo edhe 80 vjet… për këtë arsye unë e quajta Gjirokastrën “qyteti i vajtimit”. Është çudi e madhe se si vajtojcat profesioniste vajtojnë me kaq ndjenjë…”
Gjirokastra mbeti një qendër administrative si seli e kadiut (gjykatës) dhe shumë banesa e xhami që mbijetuan deri në ditët tona datojnë në këtë periudhë. Popullsia e qytetit duket të ketë mbetur e njëjtë në shekujt XVIII-të dhe XIX-të.
Më 1811, qyteti ra në duart e Ali Pashë Tepelenës. Ai u kujdes që të kryheshin punime të reja fortifikuese në kala, si dhe të ndërtohej një ujësjellës 12 km i gjatë, që merrte ujë në malin e Sopotit. Ujësjellësi prej guri u vizatua nga piktori i famshëm britanik Eduard Lear, i cili udhëtoi mjaft nëpër këtë krahinë. Ujësjellësi u shemb më 1932, por mbi lagjen “Dunavat” ka mbetur ende një hark i tij, që njihet me emrin “Ura e Ali Pashës”. Pasi Ali Pasha u vra, qyteti vazhdoi të funksiononte si qendër administrative, qendër tregtimi e bagëtive, leshit, shajakut, prodhimeve blegtorale, të mëndafshit dhe qëndistarisë. Në viteve 1860-të, udhëtari Henry Fanshaëe Tozer vërejti se Gjirokastra ishte ” e banuar nga shqiptarët dhe grekët të cilët “gjendeshin atje”, ishin konsideruar si të huaj. Gratë gjirokastrite “vishnin një vello të bardhë apo peshqir, lidhur anembanë kokës dhe e varur poshtë nga prapa”.
Më 1880 Kuvendi i Gjirokastrës mbështeti aktivisht kauzën e vetëvendosjes dhe rezistencës ndaj sundimit otoman. Më 1908, u hap shkolla e parë shqipe në qytet me emrin “Liria” dhe mësuesit e parë ishin Thoma Papapano, Iliaz Hoxha, Asaf Çipi, Bastri Beqiri, Safet Canole etj. Shkolla e parë shqipe u njoh zyrtarisht nga një dekret i Sulltan Reshatit, më 14 prill 1911. Kjo ishte gjithashtu periudha e krijimit të një sërë shoqatash e klubesh patriotike. Në fillimet e shekullit XX-të, Gjirokastra u bë një çështje e rëndësishme, ndërkohë që përcaktoheshin kufijtë e Shqipërisë së sotme. Për një periudhë që pasoi shpalljen e Pavarësisë Kombëtare më 28 nëntor 1912, ajo ishte pjesë e “Republikës Autonome të Epirit” nën gjeneralin Zografos, i cili kërkonte bashkim me Greqinë, por, pas Luftës I Botërore, fuqitë e Antantës (Britania, Franca dhe Rusia) e bindën Greqinë që të tërhiqte pretendimet e saj nga kjo hapësirë me shumicë shqiptare. Kufiri i tanishëm u ratifikua më 1921.
Gjirokastra pas Shpalljes së Pavarësisë
Më 4 Dhjetor 1912, patriotët shqiptarë e shpallën Gjirokastrën të pavarur me ngritjen e flamurit kombëtar në kala. Me shpalljen e Pavarësisë, Gjirokastra dhe gjirokastritët filluan të shikojnë nga Evropa dhe vendi evropian më i afërt dhe tërheqës është Italia, ku tregtarët fillojnë të frekuentojnë tregjet e saj dhe të rinjtë universitetet. Në këtë periudhë të rëndësishme historike, falë bashkëpunimeve me Italinë në Gjirokastër do të vijnë zhvillimet ose elementet e parë evropiane; Shoqëria “SESA” në vitin 1932 sjell për herë të parë dritën elektrike në Gjirokastër. Po në këtë periudhë fillojnë të lindin bankat e para si Banca Nazionale d’Albania e Banco di Napoli; ndërtohen hotelet e para Hotel “Royal” dhe Hotel “Savoia” si dhe fillon të funksionojë aeroporti me fluturime ditore për në Tiranë dhe qytete të tjera. Shoqëria “SATA” do të lidhë me linja ditore autobusi Gjirokastrën me Tiranën, ndërsa nga porti i Sarandës çdo ditë do të kemi tragete me portet italiane. Gjithashtu fillon ndërtimi i një sërë objektesh me një stil të ri arkitektonik si: bankat, Zigai, vilat Kokalari, Papavangjeli, Liceu etj.
Gjatë mbretërimit të mbretit Zog (1928-1939), Gjirokastra u bë një nga qendrat më të rëndësishme kulturore dhe ekonomike të vendit. Në këtë periudhë, u ndërtua edhe burgu i madh në kala (në pjesën veriore). Për ndërtimin e tij u përdorën gurët e ujësjellësit të ndërtuar nga Ali Pashë Tepelena. I njohur si Burgu i 7 penxhereve ka filluar të funksionojë qysh në 1 janar të vitit 1930, për gati katër dekada me radhë, duke iu shërbyer në të njëjtën mënyrë katër regjimeve të ndryshme. Pas 38 vjetësh funksionimi, në vitin 1968 një urdhër nga qeveria komuniste e asaj kohe vendosi mbylljen e më tej transferimin e tij në ish-degën e brendshme të rrethit të Gjirokastrës, pasi po në këtë vit, në kala filluan punimet për ndërtimin e Muzeut të Armëve.
Përgjatë këtyre viteve, në Gjirokastër morën hov arsimi, publicistika dhe shoqatat patriotike. Më 5 nëntor 1923 u çel Liceu i Gjirokastrës, me drejtor francezin Victor Coutan, sot gjimnazi “Asim Zeneli”. Në vitin 1926, qyteti i Gjirokastrës si qendër prefekture kishte një lice me 136 meshkuj dhe 6 femra si dhe 30 shkolla fillore me 1353 meshkuj dhe 668 femra.
Gazetaria dhe publicistika njohën një nga periudhat e tyre më të arta. “Drita” e Veli Hashorvës (doli në Gjirokastër 1920-1924), “Demokratia” e Xhevat Kallajxhiut (doli Gjirokastër më 28 Nëntor 1925 dhe vijoi deri më 1939), “Labëria” dhe “Ideja kombëtare” (që dolën në periudhat kur censura ndërpreu botimin e gazetës “Demokratia”), “Fletore Popullore e Politike Kombëtare”, (doli në Gjirokastër për herë të parë më 27 mars 1920-1924), “Epoka e re” e Halit Tuqit (doli më 23 prill 1939, në gjuhën shqipe dhe pjesërisht në italisht), e përjavshmja “Bisedë e lirë” dhe gazeta politiko-shoqërore “Fletore popullore” e Petro M. Haritos (doli në Gjirokastër me dy dhe katër faqe më 3 nëntor 1923), “Neoshqiptarizma”, dhe “Përpjekja Shqiptare” të Branko Merxhanit, “Liceisti”, e shumë gazeta të tjera lokale që dolën në Delvinë, Përmet, Labëri, Libohovë, Himarë e gjetkë. Këto janë dëshmitë e para të një gazetarie ndryshe nga tradita e deriatëhershme romantike dhe e mitizuar e Rilindjes Kombëtare.
***
24 orë në Gjirokastër
Qyteti i njohur dhe si Trashëgimi Botërore në UNESCO, është një nga vendet më interesante për t’u vizituar në Shqipëri. Nëse jeni të apasionuar pas historisë, natyrës, apo kuzhinës tradicionale shqiptare, këtu do i gjeni të gjitha. Më poshtë janë disa nga vendet që duhet patjetër të vizitoni përgjatë një dite.
Mëngjesi
Niseni mëngjesin me një kafe të shijshme në një nga rrugicat me kalldrëm të qytetit të vjetër, apo me petulla me djathë, apo të tjera gatime mëngjesi që këtu bëhen plot shije. Si një qytet muze plot me hotele e shtëpi pritëse, thuajse në pjesë dërrmuese të vendqendrimeve në Gjirokastër mëngjes është tradicional. Vende të sugjeruara nga ne: Hotel Kalemi, Hotel Kodra, Hotel Gjirokastra, Hotel Argjiro, Hotel Cajupi, etj…
Pas mëngjesit
Pasi të keni mbledhur forcat, destinacioni i parë për t’u vizituar është Kalaja e Gjirokastrës. Ajo shtrihet në gjithë hapësirën e kodrës 336 metra të lartë, mbi të cilën u ndërtua gjatë viteve 1300. Forca e historisë dhe legjendës së saj kanë mbijetuar në vite e, tashmë, ajo mbahet si një nga aktraksionet turistike më të vizituara të Shqipërisë. E gdhendur në gur, kalaja njihet dhe si kalaja “Argjiro”, duke ju referuar legjendës së princeshës e cila u hodh nga lartësitë e kështjellës për të mos rënë në duart e armikut osman.
Mesdita
Vizita në kala do ju marrë jo pak kohë, pasi dhe rrugëtimi për aty është plot me peizazhe që do t’ju bëjnë të ndaloni për të shkrepur ndonjë foto. Pasi të keni mbaruar me kalanë, zbrisni në qytetin e vjetër dhe nisni turin e shtëpive karakteristike të qytetit.
Shtëpia e Zekatëve
Disi e mbështetur në shpatin malor, me çati si kapele tekanjoze, lëshon hije Shtëpia e Zekatëve. Ndërtesa konsiderohet si shembulli më i mirë i kullës tipike otomane. Ajo ka një kat të poshtëm, ndërtuar detyrimisht prej guri për arsye sigurie, dhe në katet më të larta janë vendosur dhomat kryesore për familjen. Shtëpia është ndërtuar në fillim të 1800-ës dhe muret rrethuese të dhomës kryesore janë të dekoruar me afreske, ndërsa tavanët janë prej druri të gdhendur dhe oxhakët të zbukuruar.
Shtëpia e Skëndulatëve
Kjo është një tjetër shtëpi mjaft e njohur e qytetit, dhe është më shumë se 250-vjeçare. Ndërtesa e lartë mbahet nga themele guri që arrijnë dritaret e katit të parë. Shtëpia e veçantë ka 9 oxhakë dhe tavanë të punuar me finese, reflektues të statusit të kamur të familjes.
Dreka
Për drekë mund të ndaloni te Qafa e Pazarit, ku ndodhen plot restorante tradicionale të shije origjinale.
Pas dreke
Pas dreke, mund të vizitoni Muzeun Etnografik, i krijuar në ambjentet e shtëpisë së fëmijërisë të ish-diktatorit komunist Enver Hoxha. Ndërtuar në shekullin e XIX-të, ndërtimi trekatësh me një shtesë si kapelë ndodhet në lagjen “Palorto”, shumë pranë “Sokakut të të marrëve”.
Pasdite
Jo shumë larg Muzeut Etnografik, ndodhet dhe Shtëpia-Muze e Ismail Kadaresë. Kjo shtëpi mbart vlera jo vetëm si një nga shtëpitë më të vjetra e më mbresëlënëse të qytetit, por edhe për faktin se aty lindi e jetoi shkrimtari shqiptar i mirënjohur në të gjithë botën, kandidati i çmimit Nobel për letërsi, Ismail Kadare. Për ta shijuar plotësisht vizitën këtu, sigurohuni të keni lexuar paraprakisht dhe librin e njohur “Kronikë në gur”, të shkruar nga Kadare në homazh të kujtimeve të tij nga kjo shtëpi e nga ky qytet.
Një pjesë të pasdites mund t’ia dedikoni dhe liqenit të Viroit, që ndodhet vetëm 3 kilometra larg Gjirokastrës. Peizazhet fantastike natyrore dhe shëtitorja që lidh qytetin me parkun, ka bërë që të jetë një nga vendet më të populluara përgjatë pasdites nga gjirokastritët.
Mbrëmje
Rikthehuni te Qafa e Pazarit, dhe njihuni me artizanët e Gjirokastrës. Ky qytet është i famshëm për gurgdhendësit, mjeshtërit e drurit, apo qëndistarët që respektojnë traditën familjare. Dyqanet e suvenireve janë gjithashtu të populluara nga turistët që duan ta mbyllin vizitën e tyre me një suvenir tipik nga ky qytet.
Sugjerime të tjera
Përreth Gjirokastrës ndodhen disa nga atraksionet më të njohura arkeologjike të Shqipërisë.
Antigonea
Parku Arkeologjik i Antigonesë është qyteti i themeluar nga mbreti Pirro i Epirit, rrënojat e të cilit gjenden rreth 40 minuta me makinë larg nga Gjirokastra. Prijësi e ndërtoi qytetin e lashtë në nderim të gruas së tij që mbante emrin Antigonea.
Adrianopoli
Ky qytet i periudhës romake ndodhet në luginën e lumit Drino, pranë pranë fshatit Sofratikë, dhe duhen vetëm pak kilometra nga qendra e Gjirokastrës që të mbërrish në destinacion. Teatri i Adrianopolit është pjesë e Parkut Arkeologjik të Antigonesë dhë konsiderohet një nga monumentet e rëndësishme të trashëgimisë kulturore./konica.al
Lexo edhe:
FATMIR R. GJATA: RA BUST I DIKTATORIT
ObserverKult