Viti 2021 do të shpallet nga Bashkia Gjirokastër si “Viti Kadare”. Propozimi drejtuar Këshillit Bashkiak është në kuadër të 85-vjetorit të lindjes së shkrimtarit të madh Ismail Kadare.
Pandemia nuk i ka penguar gjirokastritët të festojnë përvjetorin e lindjes së shkrimtarit Kadare.
“U bëfsh shekull gjeniu i letërsisë shqipe”, titullohej aktiviteti artistiko-kulturor i organizuar nga Bashkia e Gjirokastrës, në 85-vjetorin e lindjes së korifeut të letrave shqipe, shkrimtarit Ismail Kadare.
Në mënyrë simbolike, aktiviteti u zhvillua në mjediset e muzeut “Shtëpia Kadare”. Pjesëmarrësit në këtë organizim, miq të shkrimtarit, intelektualë, studiues të letërsisë, përcollën mbresat nga leximi i veprave të Kadaresë, dhe interpretuan pjesë nga krijimtaria e tij.
Me miratimin e Këshillit Bashkiak, viti 2021, do të cilësohet si ”Viti i Kadaresë” ndërkohë që shtëpia e lindjes së shkrimtarit është përshirë në projektin për rivitalizimin e muzeumeve në qytetin e Gjirokastrës.
Shtëpia Kadare është kthyer në një prej destinacioneve kryesore turistike në qytet. Muzealizimi i saj synon pasurimin me të gjithë kolonën e librave të shkrimtarit dhe jo vetëm, për të bërë të prekshme nga vizitorët çdo detaj të jetës dhe veprës së shkrimtarit të madh./(BalkanWeb)