Gjon Mili, Artur Miler dhe Merilin Monro

Gjon Mili: Marilyn Monroe dhe Arthur Miller në shfaqjen “Macbeth”, 1959

Artur Miler: “Aty nga fundi i jetës së tij, nja njëzet e ca vite më vonë, Gjoni filloi të më fliste gjithnjë e më shpesh për nënën, porositë e së cilës, sipas tij, i kishte akoma të nevojshme. Edhe pse i kishte kaluar tashmë të shtatëdhjetat, ai donte që të kishte ende sukses në Amerikë, me qëllim që nëna e tij, nja nëntëdhjetë e kusur vjeç, të mund të mburrej me djalin e saj atje larg…”

Shkruan: Kristaq Balli

Artur Miler (Arthur Miller) (1915-2005) dhe Merilin Monró (Marylin Monroe) (1926-1962) për pothuajse 5 vjet (1956-1960) kanë qenë bashkëshortë dhe afërsia e tyre ka patur ndikim të fortë në jetën dhe veprimtaritë e tyre artistike, si dhe në miqësinë e gjatë e fotografitë që Gjon Milit ka realizuar për ta.

Artur Miler (1915-2005) ka qenë një dramaturg, skenarist, radiodramaturg, eseist dhe personalitet protagonist i teatrit amerikan në shek. XX. Ai ka shkruar rreth 40 drama te gjata dhe me një akt, shumë dramatizime nga vepra prozaike të autorëve të tjerë, punime te tjera në prozë, gazetari, esse, kujtime, vënie ne skene të veprave të tij në shtete të tjerë, etj.

Midis tyre veprat më të suksesshme konsiderohen dramat “All My Sons” (Bijtë e mi) 1947, “Death of a Salesman” (Vdekja e Komisionerit) 1949, “A View from the Bridge” (Pamje nga Ura) 1956 (drama, të cilat janë luajtur në shqip edhe në teatrot tona), etj.

Karriera e Artur Miler shtrihet në mbi shtatë dekada; ai konsiderohet si një nga dramaturgët më të mëdhenj të shek XX; ai i koncepton stilet dhe lëvizjet dramatike me besimin që një dramë personifikon një balancë delikate midis individit dhe shoqërisë, midis personaliteti të njëshit me shumicën dhe midis elementëve vetiakë e kolektivë të funksionimit të jetës. Ai e konsideronte veten një shkrimtar të dramave sociale me theks të fortë në problemet morale të shoqërisë amerikane, shpesh shkak psikologjik i sjelljes së tyre.

Ai shpesh sendërton në traditën realiste të Henrik Ibsen-it në zbulimet e tij të konfliktit individual me shoqërinë, por huazoi gjithashtu në teknikat simboliste dhe ekspresionizmin e Bertolt Breht dhe të tjerëve. Artur Miler ka fituar shumë çmime e vlerësime të larta artistike, si “National Medal of Arts”, 1993, çmimin “PEN/ Laura Pels International Foundation Theater Award” si Mjeshtër Amerikan në Dramaturgji,1998, “Nderimin më të lartë federal për arritje në shkencat humane NEH, 2001”, një nga çmimet më të pasura në arte “The Dorothy and Lillian Gish Prize”, 1999, çmimin spanjoll “Principe de Asturias Prize for Literature”, duke u konsideruar si mjeshtër absolut i dramës moderne, çmimin “Jerusalem Prize”, etj

Merilin Monró (1926 – 1962), e lindur si Norma Jeane Mortenson, ka qenë një aktore dhe modele e famshme amerikane. Një nga sex-simbolet më popullore amerikane të viteve ’50 të shekullit të kaluar, emblematike e qëndrimit ndaj seksualitetit dhe aktore e top-listës për një dekadë, ajo vijon të konsiderohet një ikonë madhore e kulturës popullore.

E filloi karierën si fotomodele që në moshë shumë të re, si dhe me disa role të vogla në filma të shkurtër të kompanive hollivudiane Twentieth Century-Fox dhe Columbia Pictures (1947-48) dhe u bë një aktore popullore me role në disa komedi.

Ishte një nga yjet e Hollivudit më të vyer të tregut ne vitin 1953 me tre filma komedi ku konfirmonte plotësisht mentalitetin e ri të imazhit të saj si “bjonde mendjelehtë”. Në vitin 1954 themeloi kompaninë e saj të prodhimit të filmave MMP (Marilyn Monroe Production), ku me filmin e saj “The Prince and the Showgirl” ajo fitoi një çmim “Golden Globe” për aktoren më të mirë. Filmi i saj i fundit i plotë ishte drama “The Misfits” (Të Papërshtaturit), 1961, me skenar të Artur Milerit.

Jeta private e trazuar e Monroes ka marrë shumë vëmendje. Ajo është përballur me substanca abuzuese, depresion dhe ankth. Ka patur 3 martesa, fillimisht kur ishte 17 vjet me një njëzetvjeçar, James Douughterty (1943-1944), më pas me yllin e bejsbollit Joe DiMaggio (1954-1955) dhe pastaj me dramaturgun e shkrimtarin Artur Miler (1956-1961), të cilat kanë përfunduar me divorce.

Martesa me Milerin e detyroi të konvertohet në fenë hebraike, gjë që i kushtoi asaj ndalimin e filmave në vendet antisemike. Gjatë kësaj kohe nëpërmjet kompanisë së saj MMP ajo realizoi si producente dhe aktore disa filma, të cilët u pritën me skepticizëm në Amerikë, por jo edhe në Europë. Madje në Itali ajo u vlerësua me çmimin “David di Donatello” dhe në Francë me çmimet “Crystal Star” si dhe u nominua për një çmim BAFTA. Kthimi në Hollivud u bë pas divorcit me Miller (Janar 1961), i cili kishte filluar një lidhje të re.

Më 1962 ajo mori çmimin e Golden Globe “World Film Favorite” (Filmi i Preferuar i Vitit). Po gjatë viteve 1961-62 ajo u bë personazhi i dy seteve fotografike si fotomodele e modës dhe nudo me fotografin Bert Stern për revistën “Vogue” , si dhe u angazhua në festimet e ditëlindjes së presidenti Kenedi, të cilin e kishte mik, duke kënduar për të më 19 Maj 1962 në Madison Square Garden, New York urimin “Happy birthday”.

Më 5 gusht 1962 Marylin Monroe u gjet e vdekur në dhomën e saj të gjumit si pasojë e një overdoze barnash antidepresive, duke u konsideruar si një vetëvrasje.

Ndërmjet prurjeve artistike, kryesisht në kinematografi, të cilat kapin shifrën rreth 30, disa prej tyre janë: “Love Happy” (Lumturi Dashurie), 1949, “All About Eve” (Gjithçka mbi Evën), 1950, “We’re Not Married!” (Nuk Jemi të Martuar), 1952, “Niagara” (Niagara), 1953, “Let’s Make love” (Le të Bëjmë Dashuri), 1960, etj.

Monroe konsiderohet si personi më i fotografuar në botë në shek. XX. Instituti amerikan i filmit e quajti atë femrën e gjashtë më të madhe të legjendës së ekranit në Historinë e Filmit Amerikan. Instituti Smithsonian e ka futur atë në listën e tij të ”100 amerikanëve më të shquar të të gjitha kohrave”. Qindra libra, filma drama, opera, këngë, reklama botërore janë realizuar për të.

Në shkrimet dhe kujtimet e tij, Gjon Mili nuk përmend se si ka filluar dhe ka evoluar miqësia me Milerin dhe Monroen. Si dëshmi të shkruar mbi njohjen dhe afërsinë e tyre kemi autobiografinë e Arthur Milerit, “Timebends-A life” (1995), ku në f. 495-496 ai përshkruan një situatë rivaliteti me tone komike pune fotografike në New York midis tre fotografëve të shquar: Cartier-Breson (1908-2004), Inge Morath, 1923-2002 (gruaja e Millerit) dhe Gjon Milit.

Në këtë pasazh, ndër të tjera, Miler shkruan se e konsideron Milin “…një fotograf i madh, por shumë I ndryshëm” dhe se ”Gjon Mili ishte i gjatë, me mustaqe të varura nën një koqe hunde të madhe (f.495) mesdhetare, me flokë të qethura nga Sammy (nofkë ushtari amerikan-KB) dhe shqiptar i pamartuar…

Përveç pajisjeve fotografike Gjoni nuk blinte asgjë… Dukej si një dhi mali. Revista LIFE, pasi stúdioja e tij u dogj, i dha atij një zyrë njëdhomëshe në godinën e saj, një katastrofë e madhe që përpiu mijra foto, dhurata, kapele të vjetra, si dhe letrat e Pikasos e të të tjerëve të ruajtura për një kohë të gjatë. Ai i pëlqente vallet popullore dhe shkonte poshtë në Broduej çdo javë dhe kërcente me shumë shqiptarë të tjerë, shumica e tyre sa gjysma e trupit të tij. Për të, çdo gjë ishte mahnitëse. Ai ishte pak si Saroyani” (Wililiam Saroyan, dramaturg e romancier amerikan i shek XX, K.B.)…

Më tej Arthur Miler shkruan: “Aty nga fundi i jetës së tij, nja njëzet e ca vite më vonë, Gjoni filloi të më fliste gjithnjë e më shpesh për nënën, porositë e së cilës, sipas tij, i kishte akoma të nevojshme. Edhe pse i kishte kaluar tashmë të shtatëdhjetat, ai donte që të kishte ende sukses në Amerikë, me qëllim që nëna e tij, nja nëntëdhjetë e kusur vjeç, të mund të mburrej me djalin e saj atje larg, diku në malet e izoluara të Shqipërisë” (Timebends – A Life).

Fotogafitë që Gjon Mili i ka kushtuar këtij çifti i përkasin së shumti jetës së tyre private e publike kur ata sapo ishin martuar, apo edhe më tej. Setet fotografike që ai u ka bërë atyre janë ato që i përkasin dasmës së tyre më 1956, si dhe, veç të tjerash, një seancë gjatë pjesëmarrjes së tyre si të ftuar speciale në Metropolitan Opera për të ndjekur shfaqjen ”Makbeth”.

Por kujtimi më i bukur për ta ishin fotot e Gjon Milit dedikuar shfaqjes së një prej dramave të famshme të Milerit “The Crucible” (Prova, Gjyqi), e cila paraqit horrorin dhe histerinë e “gjuetarëve të shtrigave” në realitetin aktual të shek. XX. Me të gjitha karakteret të bazuara në personazhe realë, shfaqja , më shumë se realitet është depërtim njerëzor, është më shumë një kërkim se sa lojë (is more of a plea than a play).

E inskenuar dhe e luajtur mrekullisht, ajo i shtoi madhështi sezonit të Brodueit. Ato shfaqin me çiltërsi anën humane të thjeshtë të këtij çifti të shquar. (Satan Came to Salem-Arthur Miller Play Exposes Horror and Histeria of Witch Hunt: LIFE Magazine, February 9, 1953 f. 87-88). Duhet të shtoj se “The Crucible” u botua edhe si libër për herë të parë në vitin 1953 dhe mbante si “këmishë” të kopertinës një foto të bërë enkas nga Gjon Mili.

Me rastin e 100-vjetorit të lindjes së Milerit, Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë çeli një ekspozitë ku ishin paraqitur disa prej veprave të tij të përkthyera në shqip dhe të vëna në skenë nga trupa teatrale shqiptare, si dhe materiale ku pasqyroheshin marredhëniet e tij me Gjon Milin, të cilat ishin krijuar nga angazhimet e tyre në fusha respektive artistike.

ObserverKult


Lexo edhe:

FOTO STROBOSKOPIKE “ATIPIKE” TË GJON MILIT