Gjeografikisht, rajoni Val d’Aran në Spanjë duhet të jetë pjesë e Francës, por nuk konsiderohet as zonë franceze, as spanjolle, e madje as katalanase, qoftë në kulturë, histori apo edhe gjuhë. Si kufij natyror ndarës mes këtyre shteteve, shërbejnë malet Pirenej, pasi në anën jugore të vargmaleve, gjendet Spanja, ndërsa në anën veriore, Franca.
Kjo luginë e vogël malore me një popullsi prej 10 000 banorësh, zyrtarisht është brenda kufijve administrativë të Katalonjës, por pavarësisht se është gjendur mes mbretërive më të mëdha për shekuj me radhë, Val d’Aran nuk e ka ndryshuar kurrë identitetin e saj kulturor dhe etnik. Çelësi i këtij identiteti të ruajtur me kaq fanatizëm, është gjuha aranese, e cila krahas asaj katalane dhe spanjolle, njihet zyrtarisht si gjuha e tretë e Katalonjës.
Sans Socasau presidenti i Institut d’Estudis Aranese (Instituti i Studimeve Aranese) shpjegon – në zyrën e tij të mbushur me dorëshkrime historike dhe fjalorë e libra aranes – se kjo gjuhë është me bazë romane, shumë afër latinishtes. Por, që ka evoluar ndryshe nga spanjishtja dhe frëngjishtja”. Aranese është një dialekt i veçantë i gjuhës oksitane, e cila gjatë mesjetës, flitej në një zonë të gjerë nga Pirenejtë deri në Piemonte.
Në Val d’Aran, gjuha oksitane (që ishte shumë e zhvilluar në Evropën e shekujve XI dhe XII) mbijetoi si varianti aranes dhe shifrat tregojnë se rreth 40% e popullsisë mund ta lexojë, shkruajë dhe flasë atë. Pavarësisht se u shtyp gjatë regjimit të diktatorit Francisco Franko, deri më 1975, aranese mori njohjen zyrtare kur Val d’Aran-it iu dha autonomia nga qeveria katalanase në vitin 1991. Ndërsa në vitin 2010, gjuha aranese u shpall zyrtare, së bashku me atë spanjolle dhe katalane, jo vetëm në Val d’Aran, por kudo në Katalonjë.
Fëmijët në Val d’Aran mësojnë në aranese; kanë një pasuri të literaturës dhe artikujve aranes; gjithashtu emisionet radiofonike dhe programet e lajmeve transmetohen në këtë gjuhë, duke e ruajtur dhe duke e trashëguar brez pas brezi. Në fakt, thuhet se Val d’Aran duke qenë një vend i izoluar ka arritur të ruajë kulturën e vet unike, por në të vërtetë ky rajon ka qenë gjithmonë një pikë strategjike kalimi, si dhe një zonë e njohur për tregti. Aranese ka arritur të mbijetojë ndër shekuj dhe t’i shpëtojë asimilimit nga kulturat fqinje. Po ashtu, përpjekjet për ta ruajtur atë vazhdojnë të jenë të mëdha, mirëpo për studiuesit dhe gjuhëtarët, kjo gjuhë është në rrezik dhe me shumë gjasë pas 20 apo 30 vjetësh, mund të mos ekzistojë më. /a2news.com
ObserverKult
_______________________
Lexo edhe:
KONICA: GJUHA ËSHTË NJË TREGUES I GJENDJES QYTETËRUESE TË NJË POPULLI