Gjuha shqipe në Universitetin e Karlit në Çeki

Dr.Orkida Borshi profesore e gjuhës shqipe në Universitetin e Karlit në Pragë, Çeki, në një rrëfim dhënë gazetarit Sokol Paja për gazetën Dielli organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës Vatra në New York, rrëfen historinë e gjuhës shqipe në Universitetin e Karlit në Pragë si i vetmi universitet i cili ofron studime të gjuhës shqipe në të tërë Çekinë dhe Sllovakinë, dhe një nga arsyet që vendasit kanë fillluar të interesohen për shqipen 5-6 vitet e fundit që është në lidhje me turizmin në Shqipëri dhe Kosovë.

HISTORIKU I GJUHËS SHQIPE NË UNIVERSITETIN KARL NË PRAGË

Historia e mësimdhënies së gjuhës shqipe në Universitetin e Karlit në Pragë fillon me Jan Urban Jarnikun, një gjuhëtar të shquar, i cili fillimisht merrej me gjuhët latine, konkretisht me rumanishten. Gjatë hulumtimeve të tij gjuhësore Jarniku u ndesh dhe me një gjuhë intersante e cila kishte disa tipare të ngjashme jo vetëm me gjuhën rumune por edhe me gjuhët e tjera ballkanike. Gjuha në fjalë qe shqipja. Në kohën e tij, Jarniku mbante edhe një korrespondencë të pasur me Gustav Meyerin (njërin nga albanologët më të shquar në botë), me të cilin kishin planifikuar edhe një udhëtim nëpër Shqipëri, gjë, që për fat të keq nuk u realizua asnjëherë. Në shekullin e kaluar pastaj fati i shqipes në nivelin akademik është vendosur sipas regjimeve dhe ndikimeve politike. Në vitet “50 ekziston Seminari i gjuhës shqipe nën Katedrën e gjuhësisë së përgjithshme në Fakultetin Filozofik në universitetin që përmenda më lart. Studies si p.sh. gjuhëtari doc. Pavel Novák ose dr. Václav Polák diplomohen në këtë specializim, por meqenëse po në të njëjtat vite Shqipëria i ndërpreu marrëdhëniet me Rusinë staliniste dhe Çekosllovakia e atëhershme shikohej me prizmin e Bllokut të Lindjes, konceptohej si armik. Për këtë arsye ky specializim u anullua. Gjatë viteve “60 Nováku ka bërë disa tentativa ta rinovonte praninë e shqipes në fakultet, por pa efekt të qëndrueshëm. Në vitet ’90 pastaj shqipja rinovohet gjatë një periudhe të shkurtër. Arsyet e rinovimit janë prapë politike, sepse në atë periudhë datohet lufta e Kosovës. 

GJUHA SHQIPE SI SPECIALIZIM MË VETE NË ÇEKI

Programi, akreditimin e të cilit e kam hartuar unë dhe jam garante njëkohësisht, është në fuqi nga viti akademik 2011-2012. Shqipja konsiderohet si specializim më vete dhe është e barabartë me gjuhët e tjera të Ballkanit si rumanishten, serbishten, kroatishten, sllovenishten, bullgarishten dhe greqishten. Të gjitha këto gjuhë janë pjesë e programit të titulluar: Studime Sllavo-jugore dhe Ballkanike nën Katedrën e Studimeve Sllavo-jugore dhe Ballkanike. Niveli i studimit është Bachelor dhe Master. Deri më sot tek ne janë diplomuar rreth 15 kuadro. Shumica e tyre janë të punësuar në NGO, turizëm, dipllomaci, financa, por edhe në qarqet akademike.

INTERESIMI I ÇEKËVE PËR TË STUDIUAR SHQIP

Mund të themi se vendasit kanë fillluar të interesohen për shqipen 5-6 vitet e fundit në lidhje me turizmin në Shqipëri dhe Kosovë. Studentët tanë janë pjesërisht nga brezi i dytë i shqiptarëve që jetojnë në Çeki dhe pjesërisht vendas. Proporcioni është 50:50.

SI KA LINDUR INTERESI PËR SHQIPEN NË ÇEKI DHE SLLOVAKI

Universiteti i Karlit është i vetmi universitet, i cili ofron studime të gjuhës shqipe në të tërë Çekinë dhe Sllovakinë. Interesi për shqipen nuk ndodhi nga dita në ditë. Në Universitetin e Karlit ka mjaft shkencëtarë, historianë në përgjithësi (si p.sh. prof. Jan Pelikán), të cilët e kanë parë praninë e arealit shqiptar si një pjesë të pandarë nga historiografia ballkanike. Me fjalë të tjera interesi ka qenë gjithnjë. Afërsisht para dhjetë vjetësh shqipja u përfshi në programin e gjuhëve strategjike në fakultet, si p.sh. edhe kinezishtja, dhe kështu u mundësua edhe hapja e saj, qëndrimi i së cilës është historikisht më i gjati në këtë shtet. 

KUSH ËSHTË ORKIDA BORSHI 

Dr. Orkida Backus Borshi (1980) lindi në Vlorë, Shqipëri. Në moshë të vogël u transferua me familjen e saj në Çekosllovaki. Gjatë viteve 2001 – 2007 kreu studimet universitare në Fakultetin Filozofik të Universitetit Karl në Pragë me dy specializime: Anglistikë – amerikanistikë dhe filologji – letërsi frënge me shtojcë në gjuhën shqipe në nivelin Master. Po ashtu, studioi gjuhë dhe gjuhësi frënge në Sorbonne – Paris 4 dhe Sorbonne Nouvelle – Paris 3. Në 2016 mbrojti tezën e doktoraturës në Pragë të titulluar: Formal Expression of Definiteness in Albanian. A Description Based on Comparison with English. Në kohën e saj të lirë merret me përkthime beltristike nga shqipja. Ag Apolloni – výběr z románu: Vytí vlka, vlka vytí (Ulurima e ujkut), Vydalo Albatros media, s.r.o., 2019, 264 fq. ISBN: 978-80-7473-812-8. Ismail Kadare: Kdo přivezl Doruntinu? (Kush e solli Doruntinën?), 141 fq. ; vydalo nakladatelství dybbuk v Praze 2011 (ISBN 978-80-7438-0402). Bibliografi selektive: BACKUS BORSHI, Orkida: Gramaticko-stylistická cvičebnice albánských textů – vysokoškolská příručka doplňující teoretické lingvisticko-albanistické přednášky v Bc. stupni studia. E-publikace, Univerzita Karlova v Praze, Filozofická fakulta, 2014, ISBN/ISSN 978-80-7308-528-5 (36 str.) BORSHI, Orkida. Rilindja e studimeve albanologjike në Universitetin e Karlit në Pragë: Perspektivat. In: Studia Linguistica et Balkanica. ISBN: 978-5-02- 038341-8, Petrohrad, Rusko, 2013 (51-56). BORSHI, Orkida. Po stopách Dor[untin]y aneb nepřeložitelný princip albánského mýtu. In: Porta Balkanica 1/2013 (27-33). BORSHI, Orkida: Srovnání průběhových tvarů v angličtině a albánštině (A Comparison of Progressive Forms in English and Albanian) In: Linguistica Pragensia 2011/2 (70-87). BORSHI, Orkida: Skromný návrat albánštiny na evropskou scénu – albánské slovníky pro češtinu (A modest return of Albanian on the European scene – Albanian-Czech dictionaries) In: Časopis pro moderní filologii 2009/2 (115- 119). BORSHI, Orkida. Albánština: současnost a perspektivy. In: Výuka jihoslovanských jazyků v dnešní Evropě. ISBN: 978-80-904846-7-2, Brno, ČR, 2014 (289-292). BORSHI, Orkida. A Revival of Albanian Studies at Charles University in Prague. In: Mësimdhënia e gjuhës shqipe si gjuhë e huaj. ISBN: 978-86-6153- 226-9, Bělehrad, Srbsko, 2013 (143-149). BORSHI, Orkida. Rilindja e studimeve albanologjike në Universitetin e Karlit në Pragë.  /gazetadielli