Gjuhëtari Xhevat Lloshi: Televizionet janë mbushur me lolo!

Profesori dhe gjuhëtari Xhevat Lloshi ishte në studion e emisionit Shqip nga Rudina Xhunga në DritareTV.

Profesor Lloshi përcolli disa mesazhe të forta. Që nga mesazhi për lolot e televizionit që flasin për gjuhën shqipe, te humbja e kulturës së shqiptarëve, inteligjenca artificiale dhe shkatërrimin e gjuhës nga moda.

Profesor Lloshi tregon se si disa njerëz dalin nëpër studio televizive dhe thonë gjëra qesharake dhe të pavërteta për protagonizëm.

“Umberto Eco, gjuhëtar dhe shkencëtar ka thënë se televizioni bëri që çdo kush të dalë të flasë publikisht madje edhe loloja i fshatit. Lolot e fshatit në këtë kohë nuk janë pak në Shqipëri dhe ne nuk mund ta mohojmë ekzistencën e tyre.

Në kohën moderne, televizioni dhe mjetet e komunikimit masiv, bënë që dikush të mos jetë një njeri i humbur në fshat, por të dalë në rrafshin publik dhe të flasë përpara të gjithëve. Kjo është një joshje e jashtëzakonshme për ta.

Sepse një njeri që mund ta ndjejë veten jo të vlefshëm, kur del në TV, i duket vetja me shumë vlerë. Sidomos kur merr edhe vlerësime nga njerëz të të njëjtit nivel. Ky fenomen quhet protagonizëm dhe është në të gjithë fushat.

Isha në një studio në një televizion dikush më tha gjuha shqipe është e vjetër sa njerëzimi. Unë e pyeta sa i vjetër është njerëzimi dhe ai nuk diti të më përgjigjej.

Si mundet që sot kur Elon Musk po përpiqet t’i çojë njerëzit në mars, ne të kemi kaq pak informacion për njerëzimin?!

Ky është faji i mungesës së kulturës, i studiuesve dhe i mësuesve që nuk i kanë ngulitur dijet themelore për kulturën e njeriut.

Mungesa e kësaj ngulitjeje lë vend të zbrazët për të thënë gjëra qesharake dhe të pavërteta.”, u shpreh Lloshi.

Videon mund ta shikoni duke klikuar KËTU:/ Dritaretv

ObserverKult


Lexo edhe:

XHEVAT LLOSHI: DUHET HARTUAR NJË FJALOR I RI PËR GJUHËN SHQIPE

Gjuhëtari dhe studiuesi Xhevat Lloshi u vlerësua gjatë ditëve të Kongresit të Manastirit në Maqedoninë e Veriut me çmimin “22 Nëntori”.

Për këtë vlerësim shtetëror që ka në qendër mirënjohjen ndaj intelektualëve, të cilët kanë dhënë kontribut në avancimin e bashkëjetesës mes kulturave të ndryshme në Maqedoninë e Veriut, profesori rrëfen se ndihet i nderuar.

Nga periudhat historike të shqipes tek Kongresi i Manastirit për Alfabetin dhe më tej i Drejtshkrimit në vitin 1972, Lloshi, si bashkëpunëtor shkencor i Fjalorit të gjuhës shqipe të botuar në Tiranë më 1980.

Sot pas 40 vitesh ndalet dhe tek rëndësia e hartimit të një Fjalori të ri për Gjuhën Shqipe dhe një kopsht për albanologët më të shquar.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult