Punimet në rrugën për në Apoloni, nxjerrin në dritë copëza të jetës së shekujve më parë, jashtë mureve rrethuese të qytetit antik.
Neritan Ceka, arkeologu veteran që ka ndjekur ndër dekada zbulimet atje, s’kishte si të mungonte në këtë rast, kur historia i solli papritur këtë dhuratë të çmuar për karrierën e tij të gjatë.
“Jo vetëm brenda mureve rrethuese, por edhe jashtë vijonte jeta në Apoloni, në fillim me furrat për prodhimin e qeramikës”, – thotë Ceka.
Por, çfarë ishte konkretisht, punishtja e përpunimit të qeramikës dhe kur daton?
“Apolonia ka qenë në një zonë të varfër për gurë dhe për këtë arsye, ka qenë nga qytetet e para që ka përdorur tullat, për të ndërtuar muret rrethuese, rreth shekullit të 5-të para Krishtit”, – sqaron arkeologu, Vangjel Dimo.
Varrezat romake, janë një tjetër zbulim interesant.
“Janë të ndara në parcela, diçka e rrallë në Shqipëri”, – pohojnë arkeologët, transmeton ‘konica.al’.
Shekujt dhe madje mijëvjeçarët kalojnë, por gjurmët e atyre që jetuan në ato toka, kanë mbetur si një dëshmi e qartë e identitetit, që kurrsesi s’mund të mbulohet, apo tjetërsohet nga askush.
Tashmë, objekteve qytetit do t’u shtohen edhe këto copëza të vyera të historisë, varrezat romake, më shumë se 1,700-vjeçare dhe furra e qeramikës, plot 2 mijë vjeçare dhe 5 shekuj histori.
Rruga turistike do të zhvendoset dhe furra e lashtë, që përpunonte objektet e qeramikës, do të mbetet aty, për t’u admiruar nga vizitorët, si një xhevahir antik dhe i pakrahasueshëm që i shtohet Shqipërisë, ndërsa mund të lëvizen varrezat romake, për t’i lënë vendin rrugës drejt qytetit.