Gjyshja ime i quante “njerëzit ilaç”

ilaç duar

Nga Gio Evan

Gjyshja ime i quante “njerëzit ilaç”. Thoshte se ka njerëz që kur i sheh, me një vështrim, të shërojnë. Që sapo të afrohen, sapo i ndjen pranë të qetësohen rrahjet e zemrës, të rregullohen rrahjet e pulsit. Njerëz që hapin grilat e ulura të shpirtit duke lejuar të hyjë brenda tij drita e diellit, ajo e vërteta.

Me një përqafim ndalin takikardinë, atë që për net e net të gjata ke mbajtur brenda me shpërthime ankthesh, që në fakt as nuk të përkiste.

Gjyshja thoshte se ekzistojnë njerëz që kanë shëlbimin e çajit brenda syve, kanë kamomilë në vështrim, që ti i sheh, buzëqesh dhe të qetësohet frymëmarrja, të qartësohen mendimet.

Pasi i ke njohur njerëz të tillë kupton se ata nuk tremben prej dhimbjeve të tua, që nuk kanë frikë të përqafojnë traumat e tua, që dinë ku e kur të t’i thonë fjalët e duhura, njerëz që kanë mësuar të jetojnë kaq shumë me diellin, saqë dinë të të shoqërojnë deri në perëndim të tij.

Gjyshja i quante “njerëzit ilaç”, vetëm duke i parë të shërojnë.

Sipas saj janë të vetmit njerëz me të cilët jeta kthehet në kënaqësi nëse i frekuenton e të vetmit në të cilët ne duhet ta shndërrojmë veten.

Përktheu: Ervina Toptani

ObserverKult


Lexo edhe:

ERVINA TOPTANI: MË DHEMB NË SHPIRT ENDE DHIMBJA E TYRE E PATRETUR

S’ka rëndësi kush jam. Thirrmëni Shtrigë!