Gratë në vinë e parë të frontit

“Shkuen pllumbat mbetën shkrumat”, ishte citat që ia nxorri lotët. M’i nxorrën dhe mue, pa e dëgju rrëfimin deri në fund. Quhet “emocion ngjitës”, sipas shkencëtarit Daniel Rampala, kur njeriu derisa loton pret të kuptoj arsyen se përse qanë. Kështu ishin shprehë bashkëmoshatarët në shkollë për shoqninë që iu bashkangjitën radhëve të UÇK-së, që kishin shkue me vdekë për lirinë e Kosovës.

Nga Valbona Bajrami

Mimoza Shala, grueja thatuke me karakter stoik, nuk t’krijon përshtypje në shikim t’parë se mrenda saj asht e ndryeme nji copë e historisë së lavdisë. Mimoza, moderne e ditëve të sotme, e stilueme me shije e klasë gjersa ecë, mban plagët e luftës me vete që tregojnë krejt diçka tjetër nga përshtypja që t’krijon syni. Çdo shenjë e mbetun, sapo i ngacmohet, shpërthen nji tregim tjetër e tjetër, që druej se historia e shkrueme i ka anashkalu gratë dhe çikat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – me apo pa qëllim, i mbetet studiuesve të çështjeve gjinore me i nxjerrë tregimet në dritë.

Mimoza, fjalëpak për përjetimet e luftës, bashkë me bashkëluftaret e tjera, më sillen si monolog i nji krahasimi me veteranet amerikane që punoj. Asht për t’ardhë keq se si nuk asht realizu nji projekt serioz, qoftë edhe me figura të caktume të UÇK-së, që rrëfimet e tyne pastaj të analizohen nga punëtor social, antropolog, psikolog, historian e sociolog – me nxjerrë nji dimension shkencor që harmonizon të gjitha pikëpamjet profesionale se pse gratë veprimtare i çlyen apo neglizhon historia. Apo, larg qoftë, me mbetë të dhanat demografike të heroinave, qofshin të gjalla apo të vdekuna, në format minimal që gjeneratave pasardhëse nuk ju bajnë përshtypje sepse shtjellohen në dy-tre fjali nëpër arkiva.

Mimoza Shala

Mimozën, kam guxim me citu pa leje, por nuk kam guxim me ia përdorë rrëfimet e luftës pa lejen e saj. Kam përshtypje se modestia e grave, normë kjo e ndjellun nga patriarkati në Kosovë, asht tavani i qelqtë që gradualisht shtypë gratë dhe çikat. ‘Modestia’ si pritshmëri asht temë komplekse se a duhet pa si vlerë njerëzore, e që i detyrohet kategorikisht grave (jo si burrave që kanë mundësi me zgjedhë dhe prap pranohen normal në shoqni e ju thurret lavdi).

Ka ditë që në format dialogu me humor thumbues theksoj Shotën në profil social, të lanë anash në historinë e lavdisë. Në fakt, revolta, në formë sarkazmi asht serioze me ngacmu ndërgjegje, mbase dikush kujtohet që sot kemi Shotat e gjalla, që nuk meritojnë me i përkamë nëpër komente rrjetesh, e që nuk e dijnë fare se kush në fakt janë për shkak të mungesës së informatave. Dhe jo me qëllim që t’kërkohet fajtor, por me qëllim çfarë tutje me historinë e grave veprimtare. Në çfarë sirtatesh kanë me i mbyllë, apo anashkalu, që historia e lavdisë me marrë kahje të rrjeshme e grave me ju mveshë role gjinore shtypse sipas visë patrilineare që i çlyen apo i përkambë jo vetëm komentusi mediokër i rrjeteve por edhe historia. Asht guxim anormal që normalizohet nga shoqnia e edukume egër, që me misogjini insistojnë me i mbajtë në kthetra gratë, qofshin edhe veprimtare t’lirisë së Kosovës, e që për fatin tonë të mjerë sa janë gjallë i përdorim, kur vdesin i venisim, sepse ashtu na do ma shumë patriarkalizmi.

Novelistja Sara Hall, shtjellon në detaje në librin e saj “The Carhullan Army”, se shoqnia kundër së cilës lufton ushtria asht një version despotik i patriarkalizmit ku edhe pse më pak se 2% i të gjitha luftave botnore kanë qenë ushtare gra, norma e ‘burrnisë së muskujve’ ju shpallë luftë ambiciesh. Edhe gjatë luftës, gratë janë njëzet herë më të rrezikuara se burrat të sulmohen gjatë shërbimit të tyre ushtarak (Southwell & MacDermid Wadsworth, 2016). Për më shumë, historianja Margaret MacMillen, e thotë mrenda nji fjalie mentalitetin patrilinear mbas armëpushimit e që flet me za burrash (atë që burrat e bajnë në emër të grave historikisht): “Le t’u tregojmë atyne se janë lepuj dhe dhelpra që përpiqen të sundojnë mbi qent e ujqërit” – asht tipologji se çfarë ndodhë me ushtaret e luftës së Kosovës, edhe pse autorja i referohet periudhës romake (!)

“Gjinia në vinë e parë të frontit”, asht muze ndërkombtar që nuk lejon zhdukjen apo përkamjen e kontributit të grave në Luftën e Dytë Botnore. Ndërsa shqiptarët, me histori lufte relativisht të re, rreken pas mentalitetit si n’citatin e lartpërmemdun të MacMillen që flet për periudhë të tranzicioninit para dhe pas erës së re.

ObserverKult