“Gruaja e lirë”/ Promovohet libri i ri i Helena Kadare: Ismaili nuk ka qenë kur bëra tregimet e fundit

Në këndin e përvitshëm në Panairin e Librit (që u mbyll dje), ku dikur qëndronte krah Ismailit, Helena Kadare, gruaja e shkrimtarit tonë të madh Ismail Kadare por dhe autore vetë, e promovoi veprën e saj, teksa takimet me lexuesit i falën jo pak emocione dhe nostalgji.

“Është një kënaqësi shumë e veçantë sepse një pjesë e tyre vijnë nga një kohë e largët. Ata vijnë dhe më tregojnë se ku jemi takuar”, shprehet Helena.

“Gruaja e lirë” , libri i ri nga Helena Kadare, është një përmbledhje tregimesh, përfshirë disa shkrime të para viteve ‘90, për të cilat sikurse Helena tregon, iu nënshtruan një procesi të fortë autokritik, për t’ia risjellë lexuesit.

Ajo thotë: “Kisha botuar dy vëllime me tregime para demokracisë dhe thashë do t’i marr, por kur i lexova, u habita sepse 70% e tyre nuk më pëlqyen më. Mora ato që m’u dukën se ia vlenin dhe pjesën tjetër e kam shkruar këtë vitin e fundit”.

Ndërsa një pjesë tjetër e shkrimeve me kujtime, ndjenja dhe reflektime janë shkruar në një periudhë të vështirë për autoren, pas humbjes së partnerit të jetës, që u nda nga jeta në 2024.

“Ismaili nuk ka qenë kur kam bërë tregimet e fundit dhe kjo ka qenë një lloj lirie, sepse gjithmonë kisha frikën se çfarë do të mendojë ai, kur e shikoja që lëvizte fytyrën me pakënaqësi, e zhdukja në moment tekstin”, thotë shkrimtarja.

Protagonistja e tregimit “Gruaja e lirë” është një vajzë polake që autorja e ka takuar në Francë dhe është njohur me historinë e jetës së saj, duke e kthyer kështu në një personazh që pritet të jetë i suksesshëm në letrat shqipe.

Helena shton: “Një histori që më ka emocionuar shumë sepse e kam ndjekur në disa periudha”.

Vepra bazohet tërësisht në histori të vërtetë, por sikurse shkrimtarja pohoi për Top Channel, ka nota të forta autobiografie. A ia ka dalë Kadare që jetë gjithnjë një grua e lirë?

“Një grua është e lirë kur bën atë që ka dëshirë dhe jo të jetë e imponuar nga dikush tjetër. Kjo është për mua të jesh e lirë, as për mua nuk ka qenë e lehtë. I pari ka qenë sistemi, por edhe koha sepse nuk kam pasur mundësi sepse isha e përkushtuar të ndihmoja Ismailin”, përgjigjet Helena.

Mes rreshtave, lexuesi do të përjetojë ndjesitë e shkrimtares për dashurinë, kohën dhe lirinë. Por, me pengun që një pjesë të madhe e kujtimeve të hedhura në letër ndër vite nuk kanë gjetur ende dritën e botimit, shkrimtarja inkurajon autorët e rinj. 

“Do t’i thosha atyre që duan të shkruajnë mos ta lënë kurrë një gjë për më vonë, asnjëherë nuk të vjen ajo më vonë. Unë kam shumë tema që akoma nuk kam arritur t’i shkruaj”, përfundon shkrimtarja.

ObserverKult


Lexo edhe:

ISMAIL KADARE PËR HAVZI NELËN: NJË POET U LËKUND NË TRIKËMBËSH, NË QYTETIN VERIOR TË KUKËSIT…