Gruaja që nuk pati frikë të dashuronte dhe të pranonte se kishte dashuruar njeriun e gabuar

Silvana Kola-Loka


Nga: Silvana Kola-Loka

Ajo i kishte kaluar të 90-at. Në fytyrë i dalloheshin qartë tiparet e një gruaje të bukur. Herë pas here rregullonte shaminë e zezë me të cilën kishte mbuluar flokët e thurura gërshet dhe lëvizja e duarve i ngjante një vallëzimi në ajër. Sytë i kishte të shkruar dhe, kur buzëqeshte, ata i merrnin një shkëlqim që thuajse të mpinte. A thua e dinte sa grua e bukur ishte?
Pa e ditur, këtë pyetje unë e kisha bërë me zë të lartë. Sapo e kisha pyetur: “A e di që je shumë e bukur?”
Ajo buzëqeshi lehtë (unë nuk isha e para që ia vija në pah bukurinë) dhe më tha: “Eh moj bijë! Bukuria është fatkeqësia më e madhe për një grua që ka një burrë xheloz!”
I shoqi “e kishte rrëmbyer’ në shenjë të dashurisë së madhe, përtej mungesës së vullnetit të familjes së saj për një martesë midis tyre. Fëmijët erdhën shumë shpejt, njëri pas tjetrit, dhe bashkë me lodhjen për t’u kujdesur për fëmijët, shtëpinë dhe punët në arë, asaj i duhej të përballonte çdo natë skenat e xhelozisë së tij.

Ndërkohë që m’i tregonte episodet e shumta me detaje, sikur të kishin ndodhur një ditë më parë, mua më oshëtinin në vesh porositë që ai i kishte dhënë çdo ditë, për pothuajse 40 vjet që kishin jetuar bashkë:


“Bëj kujdes të mos jesh as më e bukura dhe as më e shëmtuara e grave! Mos fol më shumë nga të gjitha dhe mos rri pa folur fare se njësoj bie në sy!

Kur shkoni dhe ktheheni nga ara me gratë e tjera, mos rri as në fillim dhe as në fund të rrjeshtit, por rri gjithmonë në mes!…

***

Pastaj ajo vazhdoi: “Ishte e lehtë të qëndroja në mes të rrjeshtit kur ishim numër tek. Por kur ishim numër çift unë nuk dija para apo pas kujt të ecja. Ai më qortonte kudo që të rrija, nuk i gjendej dermani. Derisa një ditë, shoqja ime e kuptoi që kisha një hall. Kur ia tregova sikletin që kisha, atëherë ajo doli në krahun tim dhe kështu unë ia dola të isha në mes të rrjeshtit të grave, në një ditë kur ishim në numër çift…”

***

Në emër të xhelozisë ai e kishte detyruar të gjente mesin e artë të gjërave dhe të qëndronte fiks aty, asnjë milimetër më lartë dhe asnjë milimetër më poshtë.
Sa të vështirë duhet ta ketë patur ajo grua të gjente gjithmonë se cili ishte mesi i rrjeshtit, mesi i shkallës së të qeshurës, mesi i sasisë së të folurës, etj, etj!
Ai e kishte detyruar që ajo të përpiqej të bëhej ‘e padukshme’ për sytë dhe veshët e gjithë të tjerëve…

***

U ngrita dhe i dhashë një përqafim. Ndjeva se kisha nevojë ta pushtoja në krahë atë grua dhe t’i përsërisja që ishte me të vërtetë një grua e bukur.
Dhe jo vetëm një grua e bukur. I dhashë edhe një përqafim për shoqen e saj të mirë dhe i thashë: “Ti ke qenë edhe një shoqe shumë e mirë përderisa një grua tjetër pranoi të ecte në mes të rrjeshtit dhe të bëhej e padukshme vetëm për ty!”
Ajo grua ishte stërgjyshja ime. Një grua që nuk pati frikë të dashuronte dhe të pranonte se kishte dashuruar njeriun e gabuar.

ObserverKult


Silvana Kola Loka

Lexo edhe:

SILVANA KOLA LOKA: BËHU Ç’TË DUASH, VETËM MËSUESE MOS U BËJ!

Nga Silvana Kola Loka

Kjo është e vetja këshillë për karrierë që më ka dhënë ime më. Ndërkohë, ajo vetë ishte mësuese në ciklin fillor. Dhe ishte një mësuese nga ato të rrallat.

Ende e kam para syve pirgun e nápave që i lante dhe hekuroste çdo të dielë në darkë. Në klasë kishte nxënës që gjithë paraditen ishin vetëm në shtëpi dhe, kur shkonin në mësimin që zhvillohej pasdite, ishin të djersitur. Ime më iu vinte napat në kurriz të mos sëmureshin.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult