Gruja e ‘mirë’ alla shqiptarqe duhet me u palu e mos me ju ni zani!

ada halilaj

Nga Ada Halilaj

Nëse sipas përkufizimit shqiptar me kenë grua e ”mirë” don me thanë me fol veç kur të jepet fjala, me shërby të tjerët pa t’u ndi zani, me u ul e fundit në tryezë, me ndjek 100 rregulla për vendosjen e të cilave nuk ke ngrit kurrë dorën.

Me dalë prej derës e shoqnume gjithmonë nga një familjar, me ec drejt në rrugë pa i harru sytë askund, me vesh fustane një pllambë nën gju, këmisha me butonin e fundit një gisht poshtë fytit, me la, shpërla, hekuros, gatu me buzën në gaz si një Borëbardhë moderne jeta e së cilës lehtësohet nga elektroshtepiaket e reja.

Me gjetë njëherë e mirë burrin e andrrave të babës, nanës, vëllait, gjyshes, axhës, hallës, me u martu pa i kalu 25 vitet, me iu lut Zotit çdo natë që fëmija i parë të jetë djalë, me hekë dorë nga puna dhe karriera në emën të përkushtimit absolut karshi familjes duke ngrit në qiell rolin e shtëpiakes krenare për të cilën ekonomikisht dhe për çështje nderi kujdeset bashkëshorti.

Me kenë e para që zgjohet pa zbardh drita dhe e fundit që shtrin trupin mbas mesnate, me u plakë duke pi kafen e nadjes në të njajtin ballkon, me u thinjë përpara të njajtës pasqyrë, me qa sa herë vdes një i panjoftun, me vdekë një ditë para burrit mundësisht tuj e lanë shtëpinë e sistemume për njerëzit që do vijnë në varrimin tand…nëse çmimi i të ”mirës” jepet mbi këto atribute atëherë unë jam dhe këmbngul të jem një grua e ”keqe”.

Më gjeni jashtë çdo lloj përkufizimi dhe nëse do përfundoj në ”ferr”, atëherë biletën e shkumjes preferoj ta paguj me ”mëkatet” e mia, me zgjedhjet e mia.

ObserverKult


Lexo edhe:

ADA HALILAJ: GRATË SHQIPTARE JANË GRA TË PALUMTUNA!

Gratë shqiptare janë gra të palumtuna.

Kjo asht e zeza mbi të bardhën, asht e vërteta që jena msu me ndry primitivisht në dhomat ma të fjetuna të ndërgjegjes, e vërteta krudo, e papërpunume, e pazbutun, e vërteta që ka zà dhe kërkon zànin tonë.

Edhe pse personalisht kam besu gjithmonë tek liria dhe jo tek lumtunia, kjo shpikje urbane ngujuese dhe ndoshta ma e sikletshmja në antologjinë e shpikjeve të njeriut, kam gjet në historitë e nëndheshme të grave, të ulun stoikisht kambkryq, antagonisten e saj të betume, palumtuninë…, të dorëzohesh, të dënohesh, të vritesh me heshtjen e jetës.

Kjo palumtuni prej mishi e gjaku, mi ka hap sytë.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult