Përmirësimi i imazhit të qytetit, trajtimi i temave sociale dhe kulturore në kontekstin urban janë nga aktivitetet kryesore të edicionit më të ri të “Guerilla art festival”.
Disa hapësira publike në Prishtinë, që ndër vite kanë pësuar dëmtime dhe transformime negative, do të freskohen me murale të festivalit, që për gjysmë dekade kultivon kulturën urbane, raporton ‘koha.net’.
Janë tri faza në të cilat do të organizohet edicioni i gjashtë, që pritet të nisë më 10 qershor në lagjet më të njohura të kryeqytetit.
Bashkorganizatorja e këtij festivali, Jehonë Ferati, deklaroi se këtë vit janë tre artistë ndërkombëtarë dhe po aq vendorë të cilët brenda dy muajve të verës pritet të formësojnë afër gjashtë murale.
“Shkriju dhe bashkohu me qytetin”, është koncepti i kësaj ngjarjeje.
Një katalog fotografik dhe një ekspozitë do të prezantohen gjatë tri periudhave të festivalit.
Jehona Ferati thotë se muralet e këtij edicioni do t’u japin sharm hapësirave të dëmtuara.
“Guerilla art festival” për çdo vit zgjedh hapësira publike, të cilat më pas i shndërron në kënde atraktive për banorët dhe vizitorët e Prishtinës.