Gulielm Radoja: Ndihem i tradhtuar nga politika- jemi bërë shumë tallava

Aktori i mirënjohur Gulielm Radoja në një intervistë për “A-Show” në “Syri TV” foli ndër të tjera edhe për ngjarjen e 17 majit, kur u shemb Teatri Kombëtar.

“U nis shumë herët dhe pati një step by step qysh në kohë të vjetra kur u ndërtua në mënyrën më të çuditshme teatri i Rubairave dhe ne aktorët e TK-së hynim nga sqetulla e godinës. Ia arritën qëllimit, pak nga pak, e shembën. E shembën. Nën këmbët e një kulle do të ishte edhe teatri. Jo. Është identitet ai. Ka vende të tjera Tirana. O aty o s’ka. Na dhunuan. Ishte një dhunë që prodhoi një ndasi shumë të madhe.

Ne nuk e kemi pas njohur njëri-tjetrin. Shumica prej nesh u blenë, por secili para pasqyrës përgjigjet për fytyrën e vet. Pra, pushteti të shkel me këmbë dhe ata, jam i sigurtë, që fërkojnë duart se shkatërruan atë godinë në mënyrë të pabesë. Na tradhtuan”. Sa i përket situatës politike në vend dhe atë çfarë po ndodh me Shqipërinë, aktori shprehur zhgënjimin e tij.

“Jemi bërë shumë tallava. Më duket se e thotë Kim Mehmeti, po bëhemi tallava-popull. Është prishur shija. Prej disa vitesh unë jam apartiak. Kam alergji për të gjitha llojet e partive, pasi ndjehem i zhgënjyer që në 91-shin.

Kam qenë një prej nismëtarëve për demokraci. Kandidat për deputet në zgjedhjet e para pluraliste. Jam tërhequr me koshiencë. Më vjen keq se jam i tradhtuar në gen. Ndjehem i tradhtuar. Jam rehat. Shoh filma dokumentarë, shoh filma me kartonë, nuk shoh lajme. Jam rehat”, tha ndër të tjera aktori Gulielm Radoja.