Guri i Diellit, enigma e simbolit 24 tonësh

Më 17 dhjetor 1790, në Meksikë zbulohet guri kalendarik i njohur si Guri i Diellit apo Guri i 5 Epokave. Objekti, një skulpturë monolite, u zbulua gjatë riparimeve të Katedrales në kryeqytetin Meksiko. Guri është 3 metra e 70 centimetra në diametër dhe peshon rreth 24 ton.

Qëllimi i saktë dhe kuptimi i këtij guri është i paqartë.

Arkeologët dhe historianët kanë propozuar një numër teorish; Guri i Diellit tregon se amerikanët autoktonë në Tenochtitlan (sot Meksiko) kishin njohuri të gjeometrisë dhe mekanikës për ta lëvizur gurin nga gurorja në destinacionin përfundimtar. Një aspekt i gurit është rëndësia fetare. Sipas një teorie, fytyra në qendër të gurit përfaqëson hyjninë Azteke të diellit. Të tjerë thonë se figura në qendër përfaqëson mitin Tenochtitlan të krijimit.

Një tjetër tipar i gurit ka të bëjë me matjen e kohës, kalendarin. Disa shenja ose glife tregojnë ditët dhe muajt, disa prej simboleve mund të përfaqësojnë 5 epokat nëpër të cilat toka besohet se ka kaluar që nga krijimi. Një tjetër karakteristikë e gurit mund të jetë rëndësia e tij gjeografike. Katër pikat mund të lidhen me të katër anët e dheut apo pikat kardinale.

Qarqet e brendshme mund të shprehin hapësirë ​​dhe kohë. Për më tepër, është aspekti politik i gurit, apo kultura vetë-centriste që synon të mbajë një popull së bashku, në këtë rast për të treguar se tenochtitlanët ishin qendra a botës dhe si rrjedhim, qendër e autoritetit. Banorët autoktonë për rreth kryeqytetit meksikan besojnë se në mbishkrimet e gurit fshihet historia e tyre dhe shpesh i referohen atij si Libri i madh i Historisë, ndërsa shkencëtarë, në Meksikë e SHBA kanë filluar prej kohësh punën për deshifrimin e simboleve të gdhendura në gur, transmeton ‘fjala.al’.

Pavarësisht se me çfarë emri njihet, arkeologët në Muzeun Kombëtar Antropologjik në Meksiko, ku Guri është i ekspozuar, besojnë se ka më shumë gjasa që Guri i Diellit të ketë qenë përdorur thjesht si arenë apo altar për ndeshje a flijime rituale, sesa si referencë astrologjike, astronomike apo historike.