Nga Sadik Krasniqi
Kronisti nga pozita e tij e mbuluar me një çadër të rrjepur dhe të zverdhur nga dielli nuk mundte të shikonte shumë larg dhe nuk e dinte se nga vinin këta gurë gjigantë të gdhendur me një simetri të përsosur. Nuk dinte nga vinin ata të gatshëm dhe aq të ngjashëm, vinin përtej rëre, përtej deti apo zbrisnin nga qielli. Para binës së tij kalonin kuaj të zi, deve ngjyrë rëre dhe njerëz të përgjakur që tërhiqnin gurët e rëndë drejt majës së ngrehinës.
Përbri tyre ecnin gratë brune me petka të bardha që mbulonin vidhet e rregullta dhe gjinjtë e bukur. Gratë mbanin në kokë bukë e hurma, ndërsa dy duart i kishin të zëna me ibrikë plot ujë e verë. Kronisti i pozicionit të mesit, me bisht të syrit shikonte gjinjtë e njomë dhe kofshët e zbuluara të vajzave të reja që përkuleshin mbi të plagosurit duke u vërë melhem mbi plagët që kullonin gjak të nxehtë.
Kudo dëgjoheshin hingëllima, blegërima e britma që mbulohshin me fishkëllimin e kamxhikëve që binin si vetëtima mbi lëkurat e kafshëve e të njerëzve. M’u atëherë kur ishte kërrusur si i humbur mbi hierolglifët me të cilat përshkruante situatën e çastit dhe numrat me të cilit numëronte gurët që tërhiqeshin lart, dëgjoi britma të shoqëruara me këngë dhe valle që shkonin pas gurit kubik.
Duke parë këtë gur u drodh dhe i ra terri syve!
Për një kohë mbajti sytë e mbyllur, sikur donte ta provonte se si do të dukej jeta pa sy.
Guri i madh kubik i shoqëruar me këngë dhe valle, ishte guri i fundit drejt Piramidës së fundit.
Ai gurëmajë ishte kobi vetë. Pas disa ore do jetë buzë majës së piramidës së madhe, po që nuk do vëhej para muzgut. Muzgu do ta sillte yllin orientues, sipas të cilit, edhe ishte nisur piramida e re.
Përndritja e këtij ylli do ishte edhe muzgu i fundit për shumë njerëz që ishin të veçantë përgjatë ndërtimit njëzetvjeçar të kësaj ngrehine. Këta njerëz do të vriteshin ose do gjymtoheshin asisoji, që mos të ishin në gjendje të dëshmonin për së gjalli të tyre mënyrën e ndërtimit të Piramidës unike.
Vdekja apo shëmtimi i tyre do të bëhej e njohur me anë të dekretit të vulosur me dyllë të lëshuar nga Faraoni.
Kronisti i zbehur dhe i mbuluar nga djersët e ftohta, mori dekretin sekret duke mos e shikuar njeriun që e solli atë. Kumti i dekretit në mes gishtërinjve që dridheshin u lexua fluturimthi dhe me një shpejtësi marramendëse, por u kuptua qartë vendimi:“Kronistit të pozicionit dy, do t’i prehen gjuha dhe gishtërinjtë, që mos të rrëfejë e as të shkruajë numrin e gurëve që ka marrë piramida“.
Këtij i ra dielli në kokë dhe iu errësuan sytë. Si i dehur, iu afrua urnës së madhe e të nxehtë, i hoqi kapakun nga rrasa e gurit të zi, futi kokën brenda dhe duke u mbajtur për dy vegët si dy vesh të urnës, qëndroi disa sekonda, derisa u plandos në rërë duke mbuluar fytyrën me duart tashmë të vdekura. Ndërsa nga urna e rrëzuar doli një gjarpër i gjatë ngjyrë rëre dhe duke u pëdredhur humbi nën dunat që i merrte era.
ObserverKult
Lexo edhe: