Muzeu Historik Kombëtar përkujtoi, kohë më parë, gjuhëtarin gjerman, studiuesin e gjuhëve indoevropiane Gustav Meyer, një nga albanologët më të rëndësishëm të kohës së tij, i cili provoi se gjuha shqipe i përket familjes indoevropiane.
Në nder të kontributit të tij për albanologjinë, një shkollë në Tiranë mban emrin e tij. Meyer çmohet si gjuhëtari që provoi se gjuha shqipe i përket familjes indoevropiane dhe njihet për korrespondencën e gjatë me Jeronim de Radën.
Lindi në Groß Strehlitz në provincën prusiane të Silezisë (sot Strzelce Opolskie në Poloni). Më 1867 u regjistrua në Universitetin e Breslau (sot Universiteti i Wrocław) për të studiuar filologji klasike, gjuhët indoevropiane, greqishten moderne dhe sanskritishten. Aty u ndikua nga filologët Martin Hertz dhe Adolf Friedrich Stenzler.
Më 1871 u emërua ndihmësprofesor në Universitetin e Göttingen, dhe një vit më vonë profesor i gjuhëve të lashta po aty.
Më 1877 u emërua profesor i sanskritishtes dhe gjuhësisë së krahasuar tek Universiteti i Gracit, ku vijoi studimet në greqishten e lashtë, turqishten dhe shqipen dhe botoi studimin e tij “Kontribute mbi teorinë e fjalëformimit në greqisht dhe latinisht” (1872). Atje u përqendrua rreth albanologjisë dhe botoi një sërë veprash, si: “Albanesische Studien, I” (1882); “Etymologisches Wörterbuch der albanesischen Sprache”, (1891); “Kurzgefasste albanesische Grammatik”, (1888) etj.
Albanologu gjerman u nda nga jeta më 28 gusht 1900./ATSH
ObserverKult
————————-
Lexo edhe:
DITA NDËRKOMBËTARE E GJUHËS AMTARE: GJUHA SHQIPE “SA E BUKUR, SA E VLERË”
24 vjet më parë, më 21 shkurt të vitit 1999, UNESCO-ja shpalli Ditën Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare. Ndërsa Asambleja e Kombeve të Bashkuara e adoptoi këtë rezolutë më 2002.
Që prej asaj date, çdo vit vihet theksi tek vlera universale.Që mbart shumëllojshmëria gjuhësore e kombeve.
Gjuha, si njësi e pandashme kulturore e vendeve, shërben jo vetëm si një mjet komunikimi. Por edhe si simbol përbashkësie.
Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU: