Hafiz Ali Korça, denoncuesi i parë shqiptar i ideologjisë komuniste

Në 5 prill 1873 në Korçë, lindi Hafiz Ali Korça, hoxhë, hafiz, hatip, publicist dhe përkthyes i kryeveprave të letërsisë fetare e artistike orientale.

Ali Korça, i biri i Iljaz efendi Kadiut, vinte nga një familje që brez pas brezi kishin qenë dijetarë të fesë myslimane.

Mësimet fillore dhe të mesme i mori në vendlindje, në shkollën iptidaije dhe atë idadije.

Studimet e larta i kreu në Medresenë “Çifte Minareli” në Stamboll.

Prej njohurive që kishte në gjuhët tradicionale të Lindjes, përktheu kryeveprat fetare e letrare si “Mevludi” më 1900, “303 fjalë të Imam Aliut” botuar në Korçë më 1910,  “Gjylistani dhe bostani” të Saadiut më 1918 dhe “Rubaijat” e Khajamit më 1930 nga persishtja.

Në vitin 1925 shkroi “Bolshevizma a çkatrrim i njerëzimit”, duke u shënjuar si denoncuesi i parë shqiptar i ideologjisë komuniste.

Më 15 shkurt 2017, Presidenti Bujar Nishani e vlerësoi pas vdekjes me dekoratën “Nderi i Kombit”, transmeton ‘ATSH’.

Në Arkiv gjendet fondi personal i Hafiz Ali Korçës dhe sot publikojmë kopje gazetash që flasin për jetën dhe veprimtarinë e tij.