Përse Mona Lisa konsiderohet piktura më e famshme në botë? Për shkak të buzëqeshjes së saj enigmatike? Për misterin që e rrethon? Ngaqë kishte për autor Leonardo Da Vinçin? Përgjigja është Jo.
Nga Artan Gjyzel Hasani
Sigurisht, ajo është një kryevepër. Por në fillim të viteve 1900 ajo nuk ishte e famshme. U bë e tillë falë një hajduti që e vodhi atë në 21 Gusht të vitit 1911.
Vincenzo Peruggia ishte një emigrant italian që punonte në Muzeun e Luvrit në Francë. Një ditë e ngarkuan të bënte një kornizë qelqi për pikturën. Atë pasdite pasi e mbaroi kornizën, ai nuk u largua nga galeria. E kaloi natën i fshehur diku brenda saj. Të nesërmen në mëngjes kur u hap galeria Peruggia ishte larguar me pikturën e Mona Lisës. Të mbështjellë si tub dhe të fshehur nën xhaketë.
Ditën e parë askush nuk e vuri re mungesën e pikturës. Punonjësit e Galerisë kishin menduar se Mona Lisa ishte në proçes riparimi në laboratorin e Muzeut. Mona Lisa nuk ishte e njohur në atë kohë e prandaj nuk i kushtohej ndonje mbrojtje dhe vëmendje e madhe nga rojet e galerisë.
Aq e parëndësishme ishte si pikturë, saqë nuk e kishin varur as në mur, por e ekspozonin të mbështetur pas murit mbi dy kolltuqe të vegjël.
Por dy ditë më vonë në Galeri u shfaq një vizitor i cili kishte ardhur për të riprodhuar me laps portretin e Mona Lisës nga origjinali, një proçedurë rutinë e lejuar e asaj kohe dhe ky ishte momenti kur u kuptua që piktura ishte vjedhur.
Lajmi u shkruajt edhe në gazetat e mëdha të botës me imazhin e pikturës në faqen e parë.
Luvri u bë edhe më i famshëm. Njerëzit tashmë shkonin në Luvër për të vizituar vendin bosh të pikturës së vjedhur.
Policia ishte e paaftë të gjentë ndonjë gjurmë të saj. Mes të dyshuarve për këtë vjedhje ishte edhe Pablo Pikaso.
Hajduti Peruggia ishte zhdukur pa nam e nishan e kështu, në dy vitet në vazhdim kjo histori u harrua.
Në vitin 1913 Alfredo Geri, një sekser veprash arti, mori një letër të çuditshme. Autori i letrës pretendonte se kishte vjedhur dhe kishte në zotërim Mona Lisan origjinale dhe ia ofronte për shitje. U takuan të dy në Firence. Geri u bind menjëherë që ajo Mona Lisa e njeriut të panjohur ishte vërtet origjinali i vjedhur dy vjet më parë, të cilin Peruggia e kishte mbajtur të fshehur në bodrumin e vet gjatë gjithë asaj kohe.
Peruggia u arrestua menjëherë nga policia. Kur e pyetën në gjyq se pse e kishte kryer atë akt, ai tha që kishtë rënë në dashuri me Mona Lisën. Gjithashtu Peruggia nënvizoi faktin që piktura i përkiste Italisë përderisa autori i saj Leonardo ishte italian, e prandaj ai kishte dashur ta rikthente pikturën në atdheun e vet.
Por Peruggia gabohej. Leonardo i kaloi vitet e fundit të jetës së tij në Francë dhe ia pati shitur Mona Lisën mbretit të Francës, Fransua I.
Kështu, falë avokatit të vet që e paraqiti vjedhjen si gjest patriotik Peruggia u dënua veç me një vit burg, ndërsa Mona Lisa u rikthye në Luvër, këtë herë e famshme, më e famshme se çdo pikturë tjetër e botës.
Në vitin 1947 një person me emrin Vincenzo Peruggia vdiq në Haute-Savoie. Gazetarët kujtuan se bëhej fjalë për hajdutin e famshëm te Mona Lisës dhe nxituan të mbushnin faqet e gazetave dhe minutazhet e radiove me lajmin e vdekjes së tij.
Por të nesërmen u mësua që Peruggia i vërtetë kishte vdekur në harresë të plotë 22 vjet më parë, në vitin 1925, në moshën 44-vjeçare në qytetin francez Saint-Maur-des-Fossés ku kishte punuar si mirëmbajtës veprash arti.
ObserverKult
Lexo edhe: