Ka përfunduar rinovimi i tërësishëm i teatrit të qytetit “Muharrem Qena” në Mitrovicë.
Kështu ka bërë të ditur ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit i Kosovës, Hajrulla Çeku përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook.
“Kjo është dëshmia e radhës e përkushtimit të Qeverisë sonë për të krijuar kushte të dinjitetshme për artistët dhe publikun artdashës. Ky modernizim i hapësirës së teatrit të Mitrovicës bëhet edhe në nderim të figurës së Muharrem Qenës, njërit ndër artistët më të veçantë të Kosovës”, shkruan tutje ai.
“Gjatë mandatit tonë kemi investuar me seriozitet në infrastrukturën kulturore të vendit, e cila kishte degraduar në mungesë të përkujdesjes shtetërore. Me prioritet të veçantë po e trajtojmë infrastrukturën teatrore në gjithë vendin. Kemi rinovuar amfiteatrin e Pallatit të Rinisë në Prishtinë, derisa punimet kanë përfunduar edhe në shtëpinë e kulturës “Ukë Bytyçi” në Suharekë, e cila ka amfiteatrin e saj”.
Po ashtu, ministri shton se punimet e restaurimit po vazhdojnë në ndërtesën kryesore të Teatrit Kombëtar të Kosovës që pritet të përfundojnë në pjesën e dytë të vitit 2025.
“Pas hartimit të projekteve zbatuese, në fazë të procedurës së prokurimit janë rinovimet e tërësishme të Teatrit të qytetit “Adriana” në Ferizaj dhe Teatrit ODA në Prishtinë. Në Rahovec vazhdon ndërtimi i Qendrës për Arte, e cila përmban amfiteatrin brenda. Aktualisht në fazë projektimi për rinovim janë edhe Teatri i qytetit në Gjilan, Teatri i qytetit “Avdush Hasani” në Podujevë si dhe ndërtimi i amfiteatrit të ri të Prishtinës në aneksin e ish-Rilindjes. Në fillim të vitit 2025 nis hartimi i projektit për ndërtesën e re të Teatrit të qytetit “Bekim Fehmiu” në Prizren”.
Vlera totale që është investuar dhe zotuar për përmirësimin dhe modernizimin e infrastrukturës teatrore në Kosovë, sipas Çekut është afër 20 milionë euro.
“Me këtë përkushtim teatri nuk është trajtuar asnjëherë më parë”.
ObserverKult
Lexo edhe: