Halil Matoshi, mysafir i “Vjeshtës letrare të Gjilanit”

halili

Edicioni i 13-të e Manifestimit tradicional « Vjeshta letrare e Gjilanit », që njëkohësisht për nga kohëzgjatja i ngjan një maratone letrare, në veprimtarinë e parafundit për këtë vit, mysafir të saj e pati një figurë të shquar publike, Halil Matoshin, në cilësinë e shkrimtarit e, si shkas i kësaj ftese të merituar ishte libri i tij më i ri poetik, GDHENDJE DRITE, përmes të cilit u kujtue dhe u vlerësue edhe pjesa e mëparshme letrare e kësaj pene të mirë të letërsisë bashkëkohëse shqiptare.

Në Sallën e Konferencave të Bibliotekës së re të Gjilanit, para një publiku të zgjedhur, për librin më të ri dhe me një titull sa metaforik, aq dhe interesant e intrigues, foli poetja dhe studiuesja e letërsisë, Donika Dabishevci, e cila u ndal në aspekte të veçanta të poezisë e së Halili, tek tematika, idetë, forma, struktura, gjuha etj.

Ecurinë e botimit të kësaj vepreje e shpalosi botuesi e dramaturgu ynë Jeton Neziraj, ndërsa rreth krijimtarisë letrare, me përqëndrim kryesisht në botimet paraprake si « Frymë varresh në dallgore », « Lajmësi memec » , »N’zanafillë », « Udhëtim nëpër andërr të keqe », « Udhëtim nëpër zhgjandër të keqe » dhe « Katedralë letre », folën poetë e kritikë letrarë si, Sinan Sadiku, Nexhat Rexha, Selvete Abdullahu, Zyrafete Shala e Aziz Mustafa.

Këtë eveniment letrar e drejtoi shkrimtari i njohur në Kosovë e më gjerë, Sabit Rrustemi, i cili njëkohësisht edhe udhëheq Ars Clubin « Beqir Musliu », një asociacion ky alternativ i shkrimtarëve të Kosovës me seli në Gjilan.

Poezi nga opusi i Halil Matoshit deklamoi aktorja e mëhershme e teatrit të Qytetit, Shpresa Vokshi.

Në përmbyllje fjalën e mori dhe vetë protagonisti kryesor i kësaj veprimtarie të « Vjeshtës letrare… », duke mos i fsheh emocionet që ndodhet në Gjilan, sepse edhe siç u shpreh, « sa herë nisem kah Hajvalia, po m’doket që po vi pej shpie, sepse fminia ime ma e amël m’ka mbetë k’nej ».

Por, pos fjalëve të mira, dhurata më e çmuar ishte libri GDHENDJE DRITE të cilën autori dhe botuesi i tij, Jeton Neziraj, me të cilin i nderuan mbi 40 e sa veta profilesh të ndryshme që ishin të pranishëm.

Prania e Halil Matoshit në këtë veprimtari letrare dëshmoi se ai, pavarësisht se ka ushtruar edhe profesionin e gazetarit, publicistit, të rezistuesit për lirinë dhe pavarësinë e kësaj Republike, po edhe atë të analisitit e veprimtarit institucional, në shpirt mbetet poet.

ObserverKult