Halil Matoshi: Vaj për Brahim Rugovën

halil matoshi:

Ditën qe mbylle sytë ti
Orët u ndalën nga acari
akrepat ngatrrue nuk diftonin ma kohën e Kosovës

U shtang qyteti
ngri në varganë të gjatë njerëzish
qe dojshin me manifestu forcë n’ligshtim

Ishte ni goditje gati ndëshkim hyjnor për ta
pamja jote e shtrime Brahim.

gratë u zbardhen n’Dukagjin
u errën burrat n’Llap e Gallap
dita u pushtue nga fuqia e nji të vdekuni
qyteti i ngrimë skejonte perdet
me pa boshin që sillte nata

masi Kosova ta bâni gjamën
pa nxjerr zâ si të ish fundi i botës

terri ra

ankthi mbështolli qytetin
zia mbushi sheshet
u zmbrapsën pritat u hoqen gishtat nga kambëza
u deaktivizuen bombat
kurthet fjalët e idhta
u kthyen në grykë

paqja funksionoi
për sa u mbajte përmi dhé
Orakull

shpagim nuk lype kurrë
po ma shumë dritë
me haqet e huqet tua

njerëzor u ngjite nalt
totem në besimet e tokës së dardhave.

ObserverKult


Lexo edhe:

SABRI HAMITI: IBRAHIM RUGOVA