Në Edicionin e XXVII të Festivalit Ndërkombëtar “Ditët e Naimit” – Halil Matoshit i jepet çmimi për karrierë letrare.
Prej 19–21 tetor 2023, në Tetovë u mbajt Edicioni i 27-të i Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë “Ditët e Naimit”.
Në këtë festival poetik morën pjesë poetë nga vende të ndryshme të botës si: Pierfranko Bruni (Itali), Marisa Martínez Pérsico (Argentina), Tanya Ko Hong (Korea e Jugut), Dayra Lee Montoyo Leandry (Porto Riko), Mohamed Rabie (Palestinë/SHBA), Mario De Rosa (Itali), Nikolay Naydenov (Bullgari), Ali Al Shalahi (Irak /Zvicër), Muhsine Arda (Turqi), Xanthi Hondrou-Hill (Greqi), Tara Skurtu (SHBA), Maria Teresa Alfonso (Itali), Adi Memeti (SHBA), Juliana Veliçkovska (Maqedonia e Veriut), Arjan Kallço dhe Eva Kacanja (Shqipëri), Halil Matoshi , Ndue Ukaj dhe Mërgime Jetishi (Kosovë), Puntorie Muça ZIBA, Valdeta Dulahi dhe Saranda Mehmedi (Maqedonia e Veriut.)
Jurinë e Festivalit e përbënin Prof. Dr. Ymer Çiraku (kryetar), Mr. Ndue Ukaj dhe Prof. Dr. Vebi Bexheti, e cila laureoi poetin italo/arbëresh Pierfranko Bruni. Gjithashtu, u nda edhe çmimi letrar ‘Qiriu i Naimit’, që jepet për poezi më të mirë. Atë e mori poeti shqiptar, Adi Memeti nga SHBA.
Në Teçen Harabat u mbajt ora letrare “Poetë dhe vargje”, në të cilën poetët lexuan krijimet e tyre, si dhe u nda edhe çmimi letrar “Silke/Liria”. Ky çmim i takoi poetes turke, Muhsine Arda.
Në mbrëmje në Qendrën për kulturë dhe art “Shift Center” u mbajt ora e madhe letrare “Meridiane Poetike” pas të cilës u ndanë çmimet e tjera letrare të Festivalit.
Kështu, çmimi letrar “Ditët e Naimit”, i cili jepet për karierë letrare iu dha poetit nga Kosova, Halil Matoshi, çmimi ‘Menada’, që jepet për vlera të veçanta poetike iu dha poetes koreane Tanya Ko Hong, çmimi letrar ‘Oaeneumi’, që jepet për ciklin më të mirë poetik shkoi për poeten nga Argentina, Marisa Martinez Persico.
Festivalin e udhëhoqi moderatorja Narta Emërllahu, ndërsa poezitë i lexoi në gjuhën shqipe aktori i njohur, Arsim Kaleci. Nga një pikë muzikore ekzekutuan pianistja Jasmina Salija dhe violinistja Doriana Selmani, ndërkaq, leximin e poezive në shqipe të poetëve pjesëmarrës i përcolli me piano, Jasmina Salija.
Drejtoria e Festivalit, si gjithmonë, edhe në këtë edicion botoi Antologjinë e Festivalit, të poezive të poetëve pjesëmarrës me titull “Sytë e mbrëmjes”, të përgatitur dhe redaktuar nga Shaip Emërllahu e me parathënie të George Walllace.
ObserverKult
Lexo edhe:
“THE LIL’S POEM”, VLERËSOHET SI LIBRI MË I MIRË NË MITINGUN E POEZISË NË GJAKOVË