Halili nxjerr tridhetë djelm nga burgu

(Strellc, Deçan)

Lum për ty, ore i madhi zot!
Nuk jem kanë po zoti na ka dhanë!
Tridhetë agë, bre, n’kuvend ‘in kanë mledhë.
Nxuni e foli Ali Bajraktari:
Tridhetë djem, shokë, ne qi na u kanë ba
me shti armë e n’lufta për me ra,
vendin tanë prej hazmave me e pshtue.
Veçse djemt na, shokë, s’i kemi msue
n’lufta t’idhta si duhet me ra,
prit’ e shkaut si duhet me i thy
edhe shpatën si duhet m’e sjellë
dhe gjogat si duhet me i ngá.
Me m’ngu mue keq s’ka me na ra –
djemve Muja sot ka për me u pri
dej n’Kotorre Muja për me ra,
me i ra shkaut, luftën me ja nisë,
lufta t’idhta atje për me ba.
Ta dijnë djemt, bre, se qysh bâhet deka,
m’u kallxue se qysh prehet hazmi,
m’u kallxue se qysh merret lufta.
Mirë krezhnikt-o fjalët po ja ngojnë,
peshue i kanë e për t’mira po i marrin.
Veç me shkue! – Mujës tek po i thonë.
Priti e foli Klladushane Muja:
-Moni, shokë, n’e dini zotin zot!
Mu kit pun-o sod mos ma ngarkoni
se pleqnija ka nisë e m’ka rrokë!
M’la fuqija, krahi shpesh po m’rrê’,
lanë m’kanë sytë, bre, larg mirë nu’ po shoh,
lanë m’kanë vésht, bre, larg nu’ po muj ndi,
lanë m’ka zani, fort s’po muj vikas
n’palcë anmikut tutën me ja shti,
trimav’ t’mij, bre, zemër për m’u dhanë.
N’koftë se luftën û kam sod m’e hjekë,
jau dhash besën pa djem u kam lanë!
Priti e tha qaj Dizdar Osman Aga:
Mos fol, Muj-o, mos të koftë hallall!
Krahi yt fuqinë e hershme e ka,
syni yt dritën e parë e ka,
veshi yt, bre, ndin si n’kohë të para,
fyti yt, bre, lshon vikamë të madhe
qi m’t’u dridh-o toka për nër kamë.
S’â kaherë qi n’luftë na bashkë jem ra;
ta pashë turrin si gjithmonë në lufta.
Largoe tutën, Mujë, pash t’madhin zot,
priju djem’e n’Kotorre me i shti!
Fort inati Mujës i ka ardhë.
Jollah, n’kamë ai kâka çue,
rrept Dizdarit Muja i ki folë:
Ndale gojën, Dizdar Osman Aga!
Muja tutën nuk e din çka â.
Veç ni fjalë unë ktu ju po jau tham,
veç ni besë, shokë ju jau paça dhanë
se fitime anmikut kam me i prue.
Mue fuqija, shokë, s’ka nisë me m’lanë,
nuk m’lanë sytë, hala une po shoh,
nuk m’lanë vésht, hala une po ndi,
nuk m’la zani, hala po vikas
n’palcë anmikut tutën me ja shti
veçse zana mue m’ka pa thanë:
,,Ditve t’marte n’lufta mos me ra
se i hup trimat, besa, edhe kryet!”
Veçse n’luftë une sod du me ra
zi në shpi, shokë, juve me ju sjellë.
Tridhetë djem, bre, n’kamë qi kâkan çue,
po u bijnë n’shpin-o gjogave t’mejdanit –
gjithë sokola, n’Klladushë rritë kanë shtatin,
me t’ardhë keq, bre, për gjaqe me i pre.
Po m’u prin ai Gjetobashe Muja,
trup e trup atyne Lugjev’ t’Verdha.
N’Bjeshkë të Nalta krezhnikt-o janë dalë,
mirë po i shohin ato Kotorr’ t’bukra.
Ngani, djem bre, Muja m’u ka thanë,
ktyne grykav’ gjogat ju me i lshue,
dej n’klisura shok me shok me ra.
Kur të dalim, n’Klisura t’Kotorreve,
ni piskamë aty unë kam m’e lshue,
at’herë ju, bre, për tri rrúgsh me u da,
dekë tuj mjellë edhe poterë tuj lshue.
Në Kotorre lufta bashkë na ban;
gjogut mrapa at’herë me m’i ardhë.
Zoti e vraftë at Dizdar Osman Agën!
Letër krajlit, qyre, i ki pa çue:
,,Prite n’shpindë at Gjetobashe Mujën!”
Se ça bani krajli pej Kotorri –
pritë çatall-o n’klisura i ki nxanë
zogu i malit mos me mujtë me i pshtue.
Paj m’e pa-o ni serin të madh –
n’krye t’klisurav’ krezhníkt kâkan ra.
Ni piskamë aty Muji e bani,
dushku i malit për tokë kâka ra.
Për tri rrúgsh-o krezhníkt rrept janë lshue,
tuj piskatë si llava n’mot të keq;
n’fund t’klisurav’ krezhníkt shpejt janë ra,
keq në prita, haj medet, janë teshë.
Treqind pushkë n’ni flakë at’herë janë kallë.
dymdhetë varr-o Muja n’shtat i muer.
Tim e flakë, bre, zoti e ka ba,
hiç s’po i she-o Muja djemt ku i ka.
Për mejdan qat’herë shkitë kâkan dalë,
p’e rrethojnë at Gjetobashe Mujën.
Dymdhetë varrt-o Mujes po i kullojnë,
kuq prej gjakut gjogu po m’i shkon,
po, pa u ftofë, hala varrët s’po i ndín.
Po shkon rrafsh-o përpara tuj ba,
s’i ka n’sy as trimat me armë n’dorë,
s’i ka n’sy as gjogat e mejdanit,
s’i ka n’sy as pritat qi ja nxanë,
s’i ka n’sy as kalldremet e mdha.
Po shkon trimat për toke tu’ i lshue,
po shkon gjogat përgjys-o tu’ i da,
po shkon shokët sa mundet tu’ i thirrë,
po asnjani gjegjen s’po ja kthen,
po asnjani mrapa nu’ po i vje’
se keq púshkt ata i kanë trullue.
Dikur Mujës várrt ju paskan ftofë,
fort fuqija trimin e ka lanë,
s’mundet shpatën m’e sjellë aq sa duhet,
s’mundet gjogut udhë mirë për me i hjekë,
s’mundet shokve fort ma me u bërtitë,
veç me ikë se tjetër shteg s’i met
o aty, tha, dekën sod m’e pritë.
Ja dredh frenin gjogut të mejdanit
për klisura, andej kah Klladusha.
Asni djalë, bre, Muja s’e ka pa,
veç atij Hysenit-o të ri.
Fort pej shkive i shkreti i’ rrethue,
nu’ po mundet Muja me i nimue,
As me goj-o s’po mundet me i folë.
– Për Klladushë! sall me dorë i ka thanë.
Fort po ik ai Gjetobashe Muja;
treqind shki përmrapa po m’i shkojnë.
N’Lugje t’Verdha Muja kur â dalë,
gjâ për veti trimi ditë nu’ ka,
met i pshtetë n’qafë t’gjogut të mejdanit.
Gjogu i mirë kryet Mujës po ja pshton,
drejt Klladushën gjogu e ka msy.
Sa shpejt shkive gjogu ju ka da,
si vetima n’Klladushë kâka ra,
dyert e kullës mshelë i paska gjetë.
Ni hingllim-o gjogu tek e bani,
qeremindet për tokë kâkan ra.
Po ma ndin-o Hajkunja e Bardhë,
me mezil ajo në derë â dalë.
Po ma sheh at Gjetobasho Mujën,
n’qafë të gjogut kacavarrë kish ra,
tuj pikë gjak si ajo gurra e kronit.
Ni piskam-o çika e paska ba:
E zezë dita me ditën e sodit,
kullat tona pa ty kâkan metë,
gjogu i luftës pa zot kâka metë,
ármt e dekës pa trim kâkan metë,
kallauzin çeta ma s’e ka!
N’kullë ka ndi ai Sokole Halili,
ka tri shkallë, bre, trimi shkon tu i kcy,
si vetima n’oborr kâka dalë;
po ma sheh at Gjetobashe Mujën,
për hajr varrët Mújs qi ja ka ba,
veçse gjegjen pej ti s’e ka marrë.
Paj pej gjogut Mújn kadalë p’e zhdrypin,
me mundim në kulla e kanë qitë.
Shpejt m’bedena Halili â dalë,
po ma shpraz at pushkën habertare.
Krejt Klladusha ushtimë qi ka marrë.
Ni sahat halá për pa u ba
n’kullë kanë mrri-o tridhetë agallarë,
për hajr varrët Mújs qi po ja bajnë.
Veç asnjanit gjegje s’i ka dhanë,
pej kllapisë, bre, Muja s’din ku â.
Ngat po i ungjet Tale Budalina,
pej pleqnije zemra ju ki ligë.
Dikur Mujës ka nisë e i ka thanë:
Ku je ti, bre Gjetobashe Muja?
Çou bre, dajës haber për me i dhanë,
me i kallxue lufta qysh â shkue,
me i kallxue djemt qysh na kanë metë,
me i kallxue varrët qysh i more
e pa trim Klladushën qysh e le!
Qaty Muja sytë i paska çelë,
me mundim ka nisë ai për me folë:
Ngoni kndej, iu tridhetë agallarë!
N’kry t’klisurav’ me djem kur jam ra,
për tri grykash jurish kemi ba,
si me krih-o n’Kotorre me ra.
N’fun t’klisurav’, shokë, kur kemi mrri,
qaty rrúgt, tha, ne na kanë bashkue,
n’ball të djemve qaty unë jam gjetë,
me u hjekë udhë e n’Kotorre me i shti.
Veçse n’pritë na, medet, jem zatetë,
treqind pushkë qaty n’ni flakë janë kallë,
tim e flakë, bre, zoti e ka ba,
dymdhetë varrë në trup mu m’i kanë dhanë,
hiç pej timit djemt s’kam mujtë me i pa.
Kam pri luftën, n’Kotorre jam ra,
rrafsh përpara sa kam mujtë me ba.
Dikur varrt-o kanë nisë me m’u ftofë
e fuqija ka nisë për me m’lanë
edhe shkit-o fort më kanë kaplue –
veç me ikë, bre, tjetër shteg s’m’ka metë.
Dredhë ja kam frejt gjogut të mejdanit,
për Klladush-o rrugën ja kam dhanë.
Gjogu i mirë, bre, kryet mu ma ka pshtue,
rruga-rruga shkojke shkitë tu i da.
N’fund t’klisurav’, shokë, unë kur jam ra,
pá e kam at Hysenin e ri,
skuqë pej gjakut e n’shpatë çatallue
tu’ i ça shkitë, bre, sikur kungujt n’arë,
fort molís-o djalin e kin pasë.
Hiç s’kam mujtë ndihmë trimit për me i dhanë,
hiç s’kam mujt-o me gojë për me i folë,
(lot’ për faqe Mujës po m’i shkojnë).
,,Për Klladush-o” me dorë ja kam ba,
t’lig m’ka ra, e gja matanë nuk di.
N’koftë qi zoti, shokë, tek e ka shkrue
deka mue, shokë bre, për me m’ardhë,
me ‘i igjram-o n’at dyjê po shkoj –
qi për djem, bre, s’mujta me marrë vesh
a janë dekë a rob ata i kanë nxanë.
A ma ka-o Judbina naj trim,
a ka ba-e kreshnikja naj djalë,
a ma din-o kand motra për vlla
dej n’Kotorre ai sod për me ra,
m’e lanë kryet-o, a haber me pru
për djem tanë qi n’Kotorre i lash?
Tridhetë agë kryet për tokë qi p’e lshojnë,
s’merr asnjani me gojë për me folë
veç ai trimi Sokole Halili.
Zoti t’vraft-o, bacë bre, si t’ka vra!
Kanë nisë mêt-o, bacë bre, ty me t’lanë.
Shókt në kullë, bacë, ti qysh po i randon?
Mue qi m’ka-o Judbina për trim,
mue qi m’ka ba kreshnikja ni djalë,
mue qi m’din-o Hajkunja për vlla,
tash n’Kotorre, bacë, bre, kam me ra.
Ta dhash besën kryet qi kam m’e lanë
e pa gjegje për djem s’kam me t’ardhë!
Qyre, buza n’gaz Mújs qi i ka shkue,
i ra t’lig e kryet e ka palue:
n’jeremllak ka nisë e po pisket:
O ku jini, trimat e mejdanit?
Ngulni kâmë se tash Muja ja mrrini!
Qindro ti, o Hysen Aga i ri,
hallall t’kofshin gjitë e asaj nane!
Priti shkitë, trim, veç coll edhe pak,
ja çatisi Gjetobashe Muja!
Fort kaskan Halilit qi i ka ardhë,
u hungj, Mujën trimi e ka puthë
e hallallin Mújs tek ja ka lypë:
– Pash at zot, bacë, n’dritë qi të ka qitë
kfjelloe menden, hallal me ma ba!
N’koftë se deka ty sod ka me t’ardhë,
n’lavde tua unë gjallë kam me metë.
Edhe i’ be, bacë, ktu jam tuj ta ba:
dymijë vjet, bre, ymyr unë n’i paça,
nu’ kam luftat Kotorrev’ me i da,
për ty gjaqe sa t’mundna me nxjerrë.
Krejt Kotorrev’ û’ dekën n’jav prufsha,
gjaku yt nuk ka për me u pague.
Û në luftë, bacë, sod qi jam tuj ra,
atje dekën ndoshta kam m’e gjetë,
e me ty n’kët jetë unë s’kam m’u pa.
T’baj rigjê hallall mu me ma ba,
shum herë t’idhtit n’zemër ta kam pru.
(I) madhi zot ne na përpjektë n’at jetë!
Hiç kllapija Mujën s’e ka lshue.
U çue n’kam-o Sokole Halili;
qy, t’mirë shndetin shokve jau ka lanë,
si vetima përjashta â dalë,
n’shpindë po i bjen ai gjogut të mejdanit.
Para i duel Hajkuna e Bardhë
e për freni gjogun ja ka kapë;
tanë tuj kajtë, bre, Halilit po i flet:
Nal, Halil-o, ku je nisë me shkue?
Muja n’kullë, bre, Halil â tuj dekë.
Qysh p’e len, vlla, votrën për pa zot,
qysh p’e len, vlla, nanën për pa djalë,
qysh p’e len, vlla, motrën për pa clla,
qysh p’e len, vlla, Klladushën pa trim?
Hiç, bre, vesh Halili s’e ka marrë;
me mahmuza gjogun e ka therrë.
Bash si zana gjogu qi â gjue,
bisht e jele bashkë qi i ka ba,
e t’â lshu atyne grykav’ t’ngushta.
N’Beshkë të Nêlta Halili m’â dalë,
n’dorë p’e merr at serçali turbinë,
rend me rend Kotorret po i shikon.
N’kulla t’krajlit sytë kur i kanë shkue,
të shtatë krajlat n’bahçe i ki pa,
tanë tuj pi e tuj u shegarue.
Vetmeveti ‘Alili be po ban:
,,Zi n’Kotorre nuk e la pa çue
ose dekën n’at vend kam m’e gjetë!”
Qaty nat’n Halili ma ka pritë.
Aksham zoti, po, sa e ka ba,
tfilloi udhën Sokole Halili,
me terr t’natës n’klisura ka ra,
n’dorë tu e majtë at shpatën-o tehhollë,
pa ba zhurmë, as zogun mos m’e tremë.
Pa rrezik ai klisurat po i len,
e n’Kotorre djali paska ra,
fill te dera krajlit po m’i shkon,
dyert e mshelne trimi m’i ka gjetë.
Se ç’po ban ai Sokole Halili –
për ngat ziti gjogun p’e afron,
kámt në shkall-o trimi te i ka ‘ndu,
gjith sa mujti përpjetë qi ka kcy
edhe n’zit Halili fort â kapë,
paj pej zitit mrenda qi ka kcy.
Ziti i nêltë, haj medet, ishte kanë,
ni sahat pa frymë djali â metë.
Dikur n’veti trimi kâka ardhë,
n’dorë p’e merr at shpatën e mejdanit,
gjithkund rojet ku janë i ka pre
dhe burgjev’ afrue tek ju ka.
Haj medet, dyert mshelë qi po m’i gján!
Menxi shókt me dije qi po i ban.
More, tash m’e pa ni çudë me sy
se ç’po ban ai Sokole Halili –
Zanës madhe ndihmën po ja lyp:
Hajde zan-o, pash at fuqinë tande,
tridhetë djem-o n’burgje ty po t’presin!
Ty po tpret ai Sokole Halili
midis zitnav’ dekën tu e pritë
e me i thá zemrat e tridhetë nanave
e me i prishë kunorat e tridhetë nuseve
e me i lanë-o tridhetë armë pa zot
e me i lanë tridhetë gjoga pa shalë
e m’e lanë Mujën për jetë pa krah
e m’e lanë çetën për pa e pertri
e m’e lanë Klladushën pa sokola
e m’u ra krajlave n’dorë pa luftë!
Mirë Halilin zana tek p’e ngon,
si vetima pej malev’ po zhdryp,
n’odë po i shkon, bre, Dylberës së Bardhë,
e ka nis-o çikës po m’i thotë:
Zoti t’vraftë, oj Dylberja e Bradhë,
e pabesë, çikë, qi kâke qillue!
Me Halilin besën e ki pasë
fat për veti djalin për m’e marrë.
Ty Halili besën ta ka majtë,
ai mas teje n’Kotorre ka ra,
tridhetë djem’e bukurinë jau prishi,
tridhetë çika pa nafakë tu’ i lanë,
edhe vetit shtatë varrë n’trup ja dha,
n’burgje tua tash deka po i vjen,
askush ngat, eu, buzët me ja lagë.
Nu’ ka dert ai deka qi po i vjen,
nu’ ka dert ai shókt qi po i desin,
ni igjram atij qi po m’i jet –
ty për s’gjalli s’po mundet me t’pa
Se ç’po ban-o Dylberja e Bardhë:
,,jollah!” bani e n’kamë kâka çue,
krajlit çelsat çika ja ki vjedhë,
drejt n’podrum, paj, çika don me shkue,
për Halilin vesh qi don me marrë
a â gjallë Halili a â dekë.
Arshikí fort çika n’tâ ki pasë.
N’derë të burgjev’ çika kur po shkon,
hala derën çika s’e ki çelë,
hala za Halilit s’i ki ba,
kur Sokoli mrapa i ki dalë,
ngrykë shojshojn-o ata e kanë marrë,
paj pa frymë shojshojn qi e kanë lanë.
Dikur bashkë në burgje kâkan ra,
përmas veti dyert mirë i kanë mshelë.
Zoti e vraftë ni bajlozin të krajlit!
Ai Dylberes mrapa i ki vojtë,
rend me rend ai vakinë e ki pa,
â dredhë krajlit e krejt po i kallxon.
Fort inati krajlit te i ka ardhë.
Shpejt bajlozat krajli i ka bashkue,
n’derë të burgjeve ata shpejt kanë vojtë.
Pej çeliku dyert ishin qillue,
me shtatë dryna mirë ishin shtrëngue,
me shtatë drongje mirë ishin forcue.
Hiç, bajlozat mrenda s’un kanë ra,
shtatë dyer t’hekrit ata s’un po i prishin,
hiç shtatë drongje ata s’un po i thejnë,
hiç shtatë dryna ata s’un po i çelin.
Se ç’po ban ai krali pej Kotorri:
pej kalasë ai mallin e ka hjekë,
mirë kalanë me topa e ka rrethue,
rrafsh me tokë kalanë po don m’e ba
çikës dekën call për me ja prue,
n’burgje t’veta me krezhnikë ngujue.
Tash m’e pa, tha, ni çud-o me sy –
treqind topa me ni flakë janë kallë,
keq kalas-o zitnat po ja rrehin.
Bjeshkt e Nelta keq qi po ushtojnë,
dej n’Klladushë ushtima qi ka shkue.
Tek po i ndin-o Hajkuna e Bardhë;
shpejt në kulla Hajkuna ka shkue,
niska Mujës çika me i kallxue:
– Gjamë e madhe pej Kotorresh shkon,
Bjéshkt e Nelta fort qi po ushtojnë;
droj Halili atje ka me dekë.
Jollah, bani Muja n’krah â ndreqë
e Hajkunës fort po m’i pisket:
– Çou, Hajkune, várrt me m’i shtrengue!
çou shtrengoma gjogun e mejdanit,
çou shtrengomni armët e luftimit!
Du Halilit mrapa për me i ra.
Se ç’po ban-o Hajkunja e Bardhë –
várrt ja lán me raki dymdhetë vjeçe,.
ja shtrenguan me dymdhetë kut pëlhurë.
Mirë ja ngjeshi armët e mejdanit,
ra n’podrum e gjogun ja ka marrë,
ja ‘ndoi shalën, mirë ja ka shtërngue,
për mejdan Mújs gati mirë ja bani.
Qat’herë Muja n’kamë qi kâka çue
edhe shokve nxuni e u ka thanë:
Çonu, shokë, në lufta dojmë me ra!
Çonu shokë, bre, pashë at t’madhin zot,
me nxjerrë gjaqe ose djemt me i pshtue!
Tridhetë ag-o shojshojn kqyrë e kanë,
me pishman mas Mujës qi janë dalë.
Gjogut n’shpinë, bre, Muja m’i ka ra,
me mahmuza keq e paska therrë.
Bash si zana gjogu paska kcy.
Për Kotorre rrugën qi e kanë marrë,
n’Bjeshkë të Nêlta krezhnikt kâkan dalë.
Mirë tyrbijat Muja po i shikon.
Ça me pa, eu, ni çudën me sy –
çato zitna kalênë qi e rrethojnë,
rrafsh me topa qi i kishin ba,
kishin metë veç znanet pa u thy,
kishin metë veç trimat për pa dekë;
zanet lódh-o, qyre, me u rrenue
trimat gati jashta per me dalë
m’e dhanë jetën n’at fushë të mejdanit.
Qat’herë Muja vrap gjogut m’i dha,
si vetima klisurav’ m’â ra,
n’dorë tu e majtë ai shpatën e mejdanit.
Mrapa i shkojn-o tridhetë agallarë.
Muja gati për djem për me dekë,
ágt pishman, bre, jetën për m’e dhanë
N’fund t’Klisurav’ Muja kur m’â ra,
ni piskam-o Muja qi p’e ban.
Aman, shokë, zotit i kofshim falë!
Po ç’ushtimë Kotorret qi kanë marrë,
me t’rrê mendja bjéshkt qi janë rrênue,
dushku i malit për tokë qi â ra!
Qaq zor veti Muja i kish dhanë:
t’dymdhetë varrët Mújs gjak po i kullojnë.
Qyr Halilit Muja ç’i kish thanë;
Ah, ku je, o Sokole Halili,
a je gjallë, Halil-o, a je dekë?
E n’kofsh gjallë, vlla, hala frymë tuj marrë,
edhe pak, trim, n’mujsh ti me qindrue,
tash ja mrrini Gjetobashe Muja,
(i) ka me veti tridhetë agallarë,
tanë t’shternguem n’arme të mejdanit
me mjellë dekë e kulla me shkretnue.
Mirë Halili Mujën po ma ndín
e n’derë t’znanev’ Halili m’â dalë,
ka pritë Mújs Halili m’i ka thanë:
Gjallë e i fortë jam, kurr ma i fort s’jam kanë,
tuj ndejë gati n’lufta për me ra.
Shpejt krezhnikt në shki tek janë zatetë,
bash si llava berrav’ kur u bje,
e i shpërndan ahishtave tuj ikë;
për m’i pa krezhnikt qashtu janë ra.
Me za Muja fort i kish tmerrue –
e lshuen luftën, ikën e kanë marrë.
Gjama topav’ kur u ka pushue,
shpejt Halili përjashta m’â dalë.
Azrail shumkuj qi ju kish ba.
Dikur lufta fund tek paska marrë.
N’derë të burgjev’ krezhnikt tek kanë mrri;
qy ‘tanë djemt aty qi po m’i gjajnë,
‘tanë t’varruem e gati për me dekë,
Aty s’ish ai Hysen Aga i ri;
n’Lugje t’Verdha trimi ish kanë dekë,
masi vehten mirë e kish pague.
Qy, Hysenin Muja kur s’e pa,
lot’ për faqe trimit po m’i shkojnë.
Sa fort veten Muja e ka mallkue,
djalit ndihmë qi s’ka mujtë për me i dhanë.
Be po ban bre: – N’luftë ma s’kam me ra!
Për Klladush-o krezhnikt janë tfillue,
ma s’po shkojnë, bre, djemt, ,,oh” tuj gjimue;
mirë Dylberja shkon tu i heçimue.
Kush e ngoi-o zemra ju burrnoftë
edhe besë ai kto fjalë t’tana i nxaftë!
Kurrnja na, bre, tybe nuk jem kanë,
tjért janë kanë, bre, e tjért e kallxojnë;
mos me kanë, eu, s’kishin ditë m’e thanë.

*Shkëputur nga “Këngë të kreshnikëve” – Antologji, Përgatiti: Dr. Zymer Neziri

ObserverKult


Lexo edhe:


LEGJENDË POPULLORE: N’KËT’ VEN KUR KNON QYQJA VRITET NAJKUSH…