Hapet sot Bienalja e Arkitekturës në Venecia. Lajmin e ka bërë publik ministrja e Kulturës e Shqipërisë, Elva Margariti e cila ka prezantuar pak ditë më parë edhe temën e pavijonit me të cilin prezantohet Shqipëria.
“Si do të jetojmë së bashku” është edhe tema e pjesëmarrjes së Shqipërisë në këtë Bienale e cila hap dyert pikërisht sot dhe do të qëndrojë e hapur për një muaj rresht. Bienalja rihapet këtë vit, pas një periudhe mbylljeje njëvjeçare për shkak të pandemisë Covid-19.
Konceptimi i përfaqësimit të Shqipërisë në këtë Bienale bazohet në konceptin e fqinjësisë si një traditë tipike shqiptare dhe që gjatë pandemisë na bëri të rijetojmë fqinjësinë edhe njëherë tjetër.
Kjo pjesëmarrje vjen me materiale të arkivit të filmit, materiale që sjellin realitetin e përjetuar në fqinjësi duke treguar që fqinji ynë është gjithmonë diku aty pranë dhe prezent në jetën e të gjithë shqiptarëve.
“Këtë realitet ne duhet ta çojmë edhe në Venecia si traditë dhe filozofi. Jam e sigurt që është një prezantim dinjitoz dhe ne ia dolëm”, u shpreh Margariti.
Gjithashtu duke shfrytëzuar 20 filma shqiptarë, në Venecia dërgohet jo vetëm fqinjësia por edhe kinematografia shqiptare./ATSH