Dhjetëra dokumente të këmbyera ndër vite, si përpjekje e figurave të ndryshme intelektuale kosovare për shtetformimin e Kosovës, janë publikuar nga Arkivi i shtetit shqiptar.
Këto shkresa të protokolluara gjatë viteve të një shekulli më parë janë vendosur në hyrje të Institutit Albanologjik, në aktivitetin “Panairi i librit të vjetër, të rrallë dhe të përdorur”.
Ndër to janë letrat e Hasan Prishtinës, Hoxhë Kadriut, Hysen Currit dhe lëvizjeve të ndryshme patriotike si janë prezantuar në dymbëdhjetë panot e ekspozitës “Kosova në arkivin e shtetit shqiptar”.
E organizuar nga Agjencia shtetërore e arkivave të Kosovës, Drejtoria e përgjithshme e arkivave të Shqipërisë dhe Muzeu Kombëtar i Kosovës, kjo ekspoze paraqet edhe dokumentet e tjera me rëndësi, si “Veprimtaria e çetave të Kosovës dërguar Komitetit Kombëtar të Kosovës”, “Mesazhi i kuvendit popullor të Republikës së Shqipërisë drejtuar Konferencës së Londrës më 26 tetor 1992”.
Imazhe nga betejat luftarake, ku shqiptarët kanë shënuar fitore, janë pjesë e kësaj ekspozite.
Panot e vendosura në këtë ngjarje ishin vendosur edhe në ekspozitën e organizuar për dymbëdhjetëvjetorin e pavarësisë së Kosovës, transmeton ‘koha.net’.
Kjo ekspozitë është organizuar me synimin që të rikujtohen disa raste të prodhuara historike për krijimin dhe mbrojtjen e shtetit të Kosovës.