Me rastin e 84-vjetorit të lindjes, Biblioteka Kombëtare e Kosovës dhe Shoqata e të Burgosurve Politikë të Kosovës kanë hapur ekspozitën “Kujtesa e Kosovës-Portrete të Adem Demaçit në pikturë dhe fotografi”, kushtuar veprimtarit të çështjes kombëtare Adem Demaçi.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e nderoi lart figurën e veprimtarit Adem Demaçi duke thënë se ai ishte veprimtari më unik dhe autentik.
“Jam mirënjohës për këtë ekspozitë që vjen në ditëlindjen e Adem Demaçit atdhetarit e liridashësit. Baca Adem është veprimtari më unik dhe më autentik që do ta kuptoni”, deklaroi Kurti.
Ai tha se Demaçi ishte i njëjti gjithmonë dhe në mungesë të shkollave e ushtrisë ai ishte mësues, intelektual e ushtar.
“Ai e kuptonte se çfarëdo që ne arrinim të vetëm se bashku mund t’i arrinim qëllimet e përbashkëta”, u shpreh Kurti.
Kurti premtoi se për nder të veprës së Adem Demaçit do ta botojnë librin për jetën dhe veprën e tij.
Anëtari i Shoqatës të të Burgosurve Politikë të Kosovës, Selatin Novosella tha se gjatë gjithë jetës së Adem Demaçit janë grumbulluar rreth 10 mijë faqe me dokumente arkivore për jetën dhe veprën e tij, ndërsa kërkoi nga Qeveria e Kosovës të themelohet instituti për të burgosurit politikë me emrin e Adem Demaçit dhe të mbulohet financiarisht botimi i librit për Adem Demaçin, vepër kjo me 40 vëllime.
Ndryshe, veprimtari i çështjes kombëtare, Adem Demaçi, ndërroi jetë më 26 korrik 2018. Ai ishte personaliteti shqiptar që vuajti dënimin më të gjatë në ish-Jugosllavi, në mbrojtje të çështjes kombëtare shqiptare.